Përmirësimi i kushteve të urbaneve të Tiranës rezulton të jetë mashtrim, ndërsa rritja e çmimit të biletës me 10 lekë, nisur nga data 1 shkurt, është thjesht një justifikim për të rritur të ardhurat për kompanitë private që menaxhojnë transportin urban. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në fushatën e tij për të marrë postin e të parit të kryeqytetit por edhe më vonë, kur kompanitë e transportit urban kërkuan rritjen e çmimit të biletës për qytetarët që marrin çdo ditë urbanet për të lëvizur, tha se rritja e biletës është e domosdoshme për të rritur cilësinë e transportit urban në Tiranë. Veliaj tha se, nisur nga 1 shkurti kur hyri në fuqi çmimi i rritur i biletës, urbanet do të zbatonin oraret, do të ishin më të pastra dhe komunikimi arrogant i fatorinove do të ndryshonte. Në fakt, asnjë e tillë nuk ka ndodhur. Gazeta “Sot” ka bërë një vëzhgim të urbaneve dhe rezultati është që premtimet e Veliajt janë mashtrime. Ndërsa temperaturat rriten, kondicionerët e urbaneve nuk ndizen, edhe pse buxheti i tyre krahasuar me një vit më parë, është rritur. Oraret nuk respektohen, ndërsa komunikimi me fatorinot është gati i pamundur. Nga vëzhgimi rezulton që linja e Unazës është ndër më problematiket. Urbanet e kësaj linje herë pas herë e ndezin kondicionerin, por oraret nuk respektohen. Ndodh që pritja e qytetarëve në stacion të zgjasë deri në 20 minuta, çka shkakton mbipopullim. Ndërkohë, një problem shumë i theksuar është lëvizja e urbaneve me shpejtësi marramendëse, aspak normale për një mjet të transportit publik. Të futesh dhe të dalësh nga urbanet e kësaj linje është e rrezikshme, mbyllja e dyerve ndodh ende pa hyrë dhe pa dalë njerëzit. Rritja e çmimit të biletës i ka shërbyer kësaj linje që të shtojë numrin e të punësuarve me uniformë bashkie, që bëjnë kontrolle të shpeshta, mos ndonjë qytetar nuk ka dorëzuar 40 lekëshin. Ndërkaq, linja e Tiranës së Re dhe Kombinatit rezultojnë të jenë më të rregullta.