FMN: Mungon transparenca qeveritare me koncesionet

0
165

– Sipas FMN ka nevojë për reforma të tjera që të përmirësojnë klimën e biznesit por këto reforma po vonojnë

 

 Ervin Kaduku

 

 

Fondi Monetar Ndërkombëtar vazhdon të këmbëngulë se problemi kryesor në Shqipëri është mungesa e transparencës në politikat e qeverisë, veçanërisht në politikat koncesionare. Në njoftimin për shtyp publikuar me rastin e dhënies së këstit të radhës të borxhit, FMN, paçka se ka përgëzuar qeverinë për nisjen e disa reformave, ka kërkuar më shumë transparencë për Partneritetet Publike Private (PPP). Klima jo e mirë e biznesit dhe niveli i lartë i kredive me probleme ishin të tjera çështje për të cilat FMN-ja u shpreh në raport.

 

Sugjerimet kryesore të FMN-së janë:

  • Duhet më shumë transparencë për procedurat që përdor qeveria për koncesionet apo PPP-të.
  • Për çdo koncesion apo PPP, qeveria duhet të hartojë dhe publikojë një analizë kosto-përfitimi dhe të ndjekë me rigorozitet praktikat ndërkombëtare.
  • Qeveria duhet të mbajë nën kontroll borxhin publik. Për këtë qëllim, ndër të tjera ajo nuk duhet të bëjë rrezikojë të ardhurat duke përjashtuar grupe të caktuara nga taksat apo duke vendosur taksa më të ulta për grupe të caktuara.
  • Niveli i lartë i kredive me probleme dhe rënia e kërkesës së bizneseve për kredi është ende një problem i madh. Qeveria duhet të angazhohet më shumë në uljen e numrit të kredive me problem, veçanërisht duke përmirësuar ligjin e falimentimit dhe përmbaruesve privatë.
  • Në mënyrë që të përmirësohet klima e biznesit duhet të zbatohen sa më shpejtë reforma strukturore, reforma në drejtësi, forcimi i të drejtës së pronësisë, përmirësimi i infrastrukturës dhe arsimimit.

 

Pas këtij rishikimi zëvendësdrejtori menaxherial në Bordin Ekzekutiv David Lipton në një deklaratë për shtyp ka vënë theksin edhe në disa aspekte të tjera që duhet të ketë parasysh qeveria.

Së pari pranohet se ekonomia po përmirësohet por duhet të vendoset më shumë theks tek reformat strukturore. Sipas FMN ka nevojë për refoma të tjera që të përmirësojnë klimën e biznesit por këto reforma po vonojnë. Nga ana tjetër kemi edhe nevojën për konsolidim fiskal duke ulur dobësitë dhe të sigurohet qëndrueshmëri e borxhit. “Autoritetet planifikojnë që të vazhdojnë me përpjekjet e tyre për të bërë korrigjimet e nvojshme në kahun e të ardhurave dhe kjo shihet si diçka e duhur. Strategjia e konsolidimit duhet të synojë zgjerimin e bazës së taksave duke limituar përjashtimet dhe forcimin e bashkëpunimit në administrimin e të ardhurave” vlerëson FMN.

Por edhe një herë sillet në vëmendje pjersa e partneriteteve publike private. “Risqet fiskale nga këto partneritete duhet të kufizohen duke bërë një analizë kosto-­përfitim dhe duke dhënë këto partneritete në linjë me normat ndërkombëtare të transparencës”. Më tej, “reformat e mëtejshme strukturore për të përmirësuar mjedisin e biznesit do të jenë kritike për forcimin e aftësisë konkurruese të Shqipërisë. Fokusi duhet të jetë mbi zbatimin e reformës gjyqësore, forcimin e të drejtave të pronësisë, si dhe përmirësimin e infrastrukturës dhe arsimit. Këto hapa do të ndihmojnë të hapin rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe rritje të qëndrueshme“.

 

Kush përfiton

 

Ministria e Ekonomisë ka pohuar se ligji i investimeve strategjike ka filluar të japë rezultate — janë katër projekte investimesh, me vlerë totale prej 116 milionë euro, të cilat kanë aplikuar dhe janë klasifikuar si investime strategjike dhe pritet të përfitojnë mbrojtje të veçantë dhe koncesione nga qeveria. Në kushtet ku ndodhet sot vendi, investimet e huaja përbëjnë, në fakt, të vetmen rrugëdalje nga kriza, veçanërisht përt buxhetin publik. Ato janë instrumenti i vetëm që mund të sjellin suficit buxhetor, për të ulur borxhin publik, duke garantuar rritje të prodhimit të përgjithshëm (PPB). Pa një fluks të vazhdueshëm investimesh të huaja nuk mund të funksionojë programi i uljes së borxhit i dakordësuar me FMN-në. Niveli minimal, jetësor për qeverinë, i investimeve direkte të huaja duhet të jetë më i lartë se një miliardë euro në vit.

Ky kufi është shumë i vështirë për t’u arritur pa ndonjë vepër të madhe infrastrukturore apo investime të mëdha ndërkombëtare, të tilla si TAP, Hidropoëer Devoll, apo projekte të tjera të ngjashme, shpesh shumëvjecarë, por që garantojnë fluks investimesh prej qindra milionë euro çdo vit. Për këtë arsye u përgatit ligji i investimeve strategjike, i cili ofron lehtësi burokratike në marrjen e licensave, lehtësi në shpronësimin e tokave apo pronave private, ofron terrene publike me çmime simbolike, ofron mbështetjen e shtetit për investime publike në infrastrukturën e nevojshme mbështetëse (si rrugë lidhëse, kanalizime, furnizimin me ujë dhe energji elektrike, etj.) për t’i garantuar investetorëve, kështu, suksesin ekonomik të investimet, në rastet kur investimi gjykohet se ka efekt të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë së vendit.

Një vemendje të veçantë ligji i kushton problemit të pronësisë së tokës, në veçanti në zonat turistike, për t’u lejuar investitorëve të mëdha të shmagin problemet që ndeshen shpesh me pronarët. Për të shmangur kundërshtimet e mundshme, ligji kërkon që vendimet e shpronësimit apo dhurimit të tokës publike të votohen në paralamet, pra praktikisht shpronësimi i shtetit apo privatit në favor të investitorit të bëhet me ligj. Por nga katër investimet strategjike që ka prodhuar ligji i ri në gjashtë muajt e tij të parë të aplikimit, tre janë fshatra turistikë—në Drimadhë, Gjirin e Lalëzit dhe Velipojë—dhe një kompani bujqësore që premton të investojë vetëm 3,6 milionë euro. Edhe pse Ministria nuk e ka konfirmuar ende, informacione tona konfidenciale tregojnë se të gjitha projektet janë projekte të oligarkëve të zakonshëm vendas—të cilët nuk prodhojnë asgjë por bëjnë miliona përmes kontratave dhe koncensioneve publike të cilat ju mundësojnë grabitjen e pasurive dhe financave të vendit. Në mënyrë tashmë tipike, projekti i Drimadhës, i promovuar si investim 52 milionë eurosh, dhe ai i bujqësisë duket se janë i të njëjtit oligark, ndër më të mëdhenjtë të Shqipërisë.

Nëse këto informacione konfirmohen, është e qartë se nuk flitet për të lehtësuar investitorët e huaj, por për të ndihmuar klientët e përhershëm të rrëmbejnë burimet natyrore. Investimet në zona rezidenciale buzë detit nuk kanë asnjë vlerë për Shqipërinë e aq më pak rëndësi trategjike. Oligarkët po ndërtojnë vila për t’ua shitur të pasurve vendas dhe kosovarë, për të siguruar menjëherë paratë dhe për të ndërtuar të tjera. Ajo që duhet për të zhvilluar turizmin shqiptar nuk janë vilat private të bosave të Tiranës (shumica të korruptuar apo kriminalizuar), por komplekset turistike për turistët e huaj dhe që administrohen në bashkëpunim me kompani të huaja profesionale.

Në bregdetin e jugut ka probleme të mëdha me kthimin e pronave, por këtë problem oligarkët shqiptarë e kanë zgjidhur me ligjin i ri të investimeve strategjike, i cili i bën ata pronarë të ligjshëm të çdo lloj prone që mund ta kenë shtënë në dorë me korrupsion, mashtrim, fallsifikim apo forcë. Tashmë është e qartë se ligji i investimeve straegjike është hartuar nga dyshja Rama-Ahmetaj vetëm për të rrëmbyer, në bashkëpunim me klientët e tyre, pronat e shqiptarëve dhe për ta legalizuar pastaj vjedhjen me votat e shërbëtorëve të tyre në Kuvend. Me justifikimin e interesit publik, ndërtuesit klientë të përhershëm të politikës po rrëmbejnë cepat e fundit të Shqipërisë, pa asnjë konsideratë për të drejtat e pronarëve, pa asnjë efekt pozitiv në të ardhurat publike apo në zhvillimin e turizmit shqiptar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here