Dy familje me origjinë veriore, banuese në Tiranë, kishin muaj që ziheshin me njëra tjetrën dhe ishin shoqëruar disa herë në polici për një konflikt prone. Pas punimeve që kishte bërë bashkia, këto shtëpi të cilat ishin ndërtuar pa leje në tokë të tjetër kujt, kishin mbetur pa bërë derën e jashtme.
Pikërisht kur ata do të bënin derën, familja A i thoshte asaj B se nuk mund ta ndërtonte në tokën e tij. Ky i fundit i thoshte se toka nuk ishte e askujt pasi të dy kishin ndërtuar pa leje. Me të zëna e arrestime shkoi gjatë ky muhabet. Policia ngrinte duart lart dhe nuk kishte si të bënte. Teksa i pari thoshte se ishte burrë, e burri fjalën që thotë nuk e merr mbrapsht.
Rasti është real dhe ka ndodhur në një zonë pranë Rr. “Siri Kodra”. Familjet ishin kushërinj me njëra-tjetrën. Marrëzia nuk ka brirë mesa duket. Në fund më ngel si shpjegim i vetëm, një shprehje që përmbledh këtë masë shqiptarësh: “Moj kasolle ku na mblodhe…”
Zgjidhja? I pajtoi më në fund policia me “kërcënimin” se shteti do t’ia prishte shtëpinë të dy familjeve nëse nuk gjenin mirëkuptim.