Konfliktet mes banorëve të pallateve dhe pronarëve të lokaleve në katet e para, që i morën jetën edhe një 55-vjeçari në Tiranë, nuk janë një problem i panjohur për policinë.
Në kryeqytet, në sallën operative të uniformave blu ka dhjetëra telefonata në ditë dhe, në disa raste, subjektet janë proceduar edhe penalisht.
“Në punën tonë të përditshme kemi pasur disa raste për zhurma sidomos në orët e vona të natës. Tashmë në sezonin e verës të tilla denoncime sa vijnë edhe shtohen nga qytetarët. Ne dërgojmë shërbimet të cilat e marrin me seriozitet shqetësimin e qytetarëve. Kemi proceduar disa subjekte për prishje të rendit dhe qetësisë publike”, tha Dritan Brami, specialist i sallës operative.
Respektimi i orareve sa i takon zhurmave apo kritereve të tjera zbatohet thuajse vetëm në zonën e ish-bllokut, që për shkak të ndotjes akustike u bë gati e pabanueshme. Problem mbeten kafenetë apo ambientet e tjera nëpër lagjet e kryeqytetit.
Në bazë të ligjit, përgjegjësinë për ndotjen akustike e ka Inspektoriati i Mjedisit, i cili në bashkëpunim me Policinë Bashkiake mund të marrë masa që variojnë nga gjoba deri në mbyllje të aktivitetit.