– Neranxi: Hiqjani biznesit të vogël fashën, sepse ia morët frymën dhe lëreni të punojë sa të dojë, natyrisht duke i caktuar detyrime fiskale normale
Ervin Kaduku
Kreu i Misionit të përhershëm të FMN-së në Tiranë Jens Reinke ka pohuar dje qartazi në një dalje për shtyp së bashku me ministrin e Financave Arben Ahmetaj se vendi është mbrapa me përmirësimin e klimës së biznesit. “Teksa shifrat e buxhetit janë optimiste, biznesi raporton një situatë krejt tjetër”, tha ai. “Biznesi thotë se administrata tatimore bën represion. Kjo pengon biznesin vendas të zgjerohet dhe të huajt të vijnë”, tha ai, duke shtuar se sektori privat nuk është në humor. “Ne do të donim që rritja ekonomike të jete më e lartë në mënyrë që jeta e shqiptarëve të ndryshojë. Por për këtë duhet krijuar një mjedis më i mirë për biznesin”, tha ai. Ndërkohë, për ministrin e Financave Arben Ahmetaj, situata është më pozitive. Bizneset e reja te rëgjistruara jane rritur më 24%, tha ai, duke shtuar se janë 9849 ndërmarrje të reja nga të cilat mbi 600 janë të huaja. Këto shifra, sipas tij, rrëzojnë fabulën politike që investitorët e huaj janë larguar nga Shqipëria.
Investitorët
Kjo nuk është hera e parë që zyrtarët vendas përpiqen të zbukurojnë realitetin. Por e çuditshme është që vazhdojnë të përsëritin se klima e krijuar për biznesin me reformat fiskale është positive. Këtë, deri tani, nuk e pranon askush, veç qeveritarëve. Kështu psh indeksi i biznesit të Dhomës Amerikane e Tregtisë 2015-2016 që pritet të publikohet sot, mësohet se ka rezultuar me një përkeqësim të ndjeshëm te të gjithë indikatorëve që masin klimën e biznesit në vend. Indeksi tregon kthim mbrapa në klimën e biznesit pas një përmirësimi për periudhën 2014-2015. Burimet nga Dhoma pohuan se indeksi mat elementët e rëndësishëm të tilla si politikat e qeverisë, nivelin e taksave, korrupsionin, informalitetin, zbatimin e ligjit dhe gjithashtu elementë lidhur me performancën e bizneseve dhe ekonomisë shqiptare, të cilat kanë rezultuar më rënie së fundmi. Ky indeks është i rëndësishëm pasi hartohet me pyetësorët që u drejtohen mbi 100 bizneseve anëtare të Dhomës, ndër më të mëdhatë në vend. Ky indeks lejon AmCham-in të identifikojë dhe të masë problemet që has komuniteti i biznesit dhe i jep mundësinë Dhomës të punojë me qeverinë dhe aktorë të tjerë, për të përmirësuar klimën e biznesit në Shqipëri.
Pak ditë më parë zëvendësambasadori amerikan, David Muniz, në një takim të organizuar nga FIAA tha se “investitorët që kanë dashur të investojnë në Shqipëri janë frikësuar dhe kanë ikur”. “Procedurat gjyqësore janë të thjeshta, detyrimet e borxheve janë një problem. Kompanitë amerikane kanë bllokuar planet për investime për shkak të zvarritjeve gjyqësore. Drejtësia nuk po bëhet. S’bëjnë investime, sepse nuk kanë siguri, ka edhe investitorë me përvoja të këqija. Edhe pronat janë probleme, me mbivendosjen e titujve të pronësisë”,- ka deklaruar Muniz.
Presidenti i Dhomës Amerikane, Mark Craëford, ishte i pari që pak muaj më parë doli hapur dhe tha se klima për investitorët e huaj nuk është pozitive dhe shumë prej tyre janë gati të ikin e disa madje kanë dalë nga tregu shqiptar, nuk kanë të pushuar ankesat. Edhe një indeks i Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë këtë pranverë tregoi se Shqipëria renditet e fundit si destinacion ku gjermanët do të investonin sërish, si dhe e parafundit në rajon për atraktivitetin si destinacion investimesh. Indeksi i Klimës së Biznesit, një publikim i Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) ka shënuar rënie radhazi për 4 tremujorët e vitit të shkuar.
Biznesi
Po çfarë mendon vetë biznesi vendas? Kryetari i Shoqatës së Biznesit të Vogël Nikollaq Neranxi deklaron se biznesi, këta muajt e fundit, po has në një fenomen negativ në ekonomi: indeksi i çmimeve të konsumit po qëndron në vend me prirje drejt zeros dhe në disa artikuj nën zero. Kjo është dukuri e qartë e rënies të konsumit, i cili ndikon në rënien e prodhimit apo aktiviteteve të shërbimit në tregti dhe në sektorë të tjerë. Në muajin prill p.sh., ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është vetëm 0,3%, thuajse i njëjti nivel me muajin mars, kur një vit më parë ky ndryshim ishte 2,3%! Kjo do të thotë se ka rënë kërkesa për mallra dhe shërbime, pasi ka rënë fuqia blerëse, ka më pak para në duart e popullatës. Këto, sipas tij, janë shenja të një ekonomie në vendnumëro, me pak nxitje për shtimin e prodhimit dhe të punësimit.
Ndryshimi i kësaj situate, thekson Neranxi, nuk është në dorën e biznesit, por organeve qeveritare qendrore dhe atyre lokale, institucioneve financiare dhe bankare, të cilat duhet të bashkërendojnë masat për t’i dhënë më shumë frymëmarrje biznesit, përmes rritjes së kreditimit dhe lehtësive fiskale. “E kam thënë shpesh në daljet e mia, hiqjani biznesit të vogël fashën, sepse ia morët frymën dhe lëreni të punojë sa të dojë, natyrisht duke i caktuar detyrime fiskale normale. Kështu edhe ata do paguajnë më shumë detyrime në shtet dhe biznesi i madh do të jetë i qetë nga presioni i të voglit, i cili nuk do faturë tatimore sepse nuk do të kalojë fashën. Kjo duhet bërë urgjent”. Taksat vendore, sidomos në kryeqytet, janë taksa falimentimi, deklaron Neranxi. Shoqata që unë drejtoj, e ka çuar paketën e taksave vendore në gjykatë, me shpresën që të kthehet mbrapsht, para se të jetë shumë vonë dhe të kemi falimentuar të gjithë, të mëdhenj e të vegjël. Por ndërkohë, bashkia duhej të kishte reflektuar, për të rregulluar atë që ka vetë në dorë. Është e pafalshme që nuk e ka bërë, përfundon ai.