Vlerat dhe kundërvlerat e mosnjohjes së realitetit problematik qeveri-biznes

0
224

– Jo vetëm bizneset amerikane po shprehin kritika drejt punës së administrative fiskale dhe mënyrës se si po aplikohen reformat në fushën e taksave në Shqipëri

 

 Ervin Kaduku

 

 

Një ditë pasi kundërshtoi me forcë gjetjen e një anketimi ndër subjektet e grupuara në Dhomën Amerikane të Tregtisë në Tiranë, ministri i Financave, Arben Ahmetaj, u ka dërguar një letër bizneseve për t’i njohur me draftin e qeverisë për thjeshtimin e procedurave fiskale, që konsistojnë, sipas tij, në uljen e burokracisë dhe përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit në vend. “Paketa e re me të cilën po punohet në Ministrinë e Financave ka hyrë në një proces të gjerë konsultimi me sipërmarrjen në të gjithë vendin. Janë marrë mbi 350 propozime të ardhura nga komuniteti i biznesit në vend, të cilat janë reflektuar në draft-ligj”, thotë Ahmetaj.  Duke dalë sërish si krijues i praktikave të reja në marrëdhëniet mes qeverisë dhe bizneseve, në letrën e tij, shefi i Financave të vendit ka veçuar elementët kyç të këtij drafti, që sipas tij do të ofrojnë më shumë lehtësi për sektorin privat. “Disa elementë që dëshiroj t’i veçoj si tejet të rëndësishëm janë e drejta e sipërmarrjes për t’u vetëkorrigjuar pa penalitet për një periudhë 5-vjeçare, detyrimi i administratës për njoftimin e sipërmarrjes 45 ditë para se të ushtrojë kontroll, koncepti i precedentit fiskal për zbatimin e legjislacionit, rikonceptimi i strukturës së apelimit, vendimet e të cilit do të jenë finale për administratën fiskale”, ka sqaruar Ahmetaj.

 

Ai ka shtuar më tej se, me këtë draft qeveria po mundëson një standard të ri e të pakthyeshëm në favor të thjeshtimit të procedurave dhe përmirësimit të klimës së biznesit si asnjëherë më parë në 25 vjet. Po si e perceptojnë në të vërtetë këtë marrëdhënie vetë bizneset, pas fasadës së ceremonive zyrtare? Jo vetëm bizneset amerikane po shprehin kritika drejt punës së administrative fiskale dhe mënyrës se si po aplikohen reformat në fushën e taksave në Shqipëri. Klima e biznesit edhe për Dhomën e Tregtisë Tiranë është përkeqësuar dhe masat fiskale kanë bërë gjithnjë e më pak biznesin konkurrues. Vazhdon të mungojë një analizë e thelluar e kostos së produktit dhe shërbimit që ofrohet nga industria dhe manifaktura shqiptare.  Vazhdojmë të jemi jokonkurrues, jo vetëm në nivel rajonal dhe global por edhe lokal, deklaron kryetari Nikolin Jaka, i cilin pohoi se prodhimet dhe shërbimet shqiptare vazhdojnë të jenë në mëshirën e fatit për nga suporti dhe mbështetja e politikave qeveritare. Dhe në shumë raste të kërcënuara nga paragjykimi dhe skepticizmi për cilësinë e tyre.

Nëse duhet të përmirësojmë diçka është shumë e rëndësishme që të njohim të vërtetën dhe realitetin e situatës në të cilën ndodhemi dhe duhet të përmirësojmë tha Jaka. Ai mendon se qeverisë shqiptare i duhet të dëgjojë me vëmendje dhe përulje çdo shqetësim dhe problematike të qytetarit dhe sipërmarrësit shqiptar, pa paragjykim, por me një analizë të zgjuar dhe të kualifikuar të problematikës së ngritur. Për hir të vërtetës, u shpreh Jaka, Shqipërisë i mungojnë jo vetëm strategjitë e zhvillimeve sektoriale por edhe menaxhimi territorial kombëtar. Vlen për t’u theksuar reforma administrative territoriale por sipërmarrja private akoma nuk po sheh sinjalet dhe impaktet pozitive të saj. Mbase pushtetarët vendorë po presin zgjedhjet e ardhshme që të shpalosin platformat e tyre zhvillimore sektoriale.

Nga ana tjetër, sipas tij, Shqipëria ka pasur dhe vazhdon të ketë probleme të rënda lidhur me funksionimin dhe zbatimin e legjislacionit, kryesisht në fushën e pronësisë dhe legjitimitetit të saj; procedurat e ankimit administrativ dhe mosfunksionimin siç duhet të sistemit të drejtësisë në tërësinë e tij. Po kështu, thekson kreu i biznesit të kryeqytetit, është problem mungesa e një oferte tarifore dhe proceduriale e sistemit fiskal duke e radhitur Shqipërinë në vendet e fundit të rajonit për sa i përket procedurave dhe tarifave të sistemit fiskal.

Ndërkohë që, sipas perceptimit të Dhomës së Tregtisë Tiranë, mungon dialogu dhe partneriteti publik privat. Mënyra e funksionimit të dialogut dhe partneritetit publik privat në Shqipëri, thekson Jaka, vazhdon të jetë jo në standardin e kërkuar dhe të merituar. Mungon ndjeshëm vlerësimi dhe respekti reciprok duke mos e përfshirë sipërmarrjen private në procesin e vendim marrjes për nisma ligjore dhe nënligjore që kane ndikim të drejtpërdrejtë në këtë sektor. Vlen për t’u theksuar organizimi dhe mbledhja e tryezave të dialogut të qeverisjes me sipërmarrjen private, por, në fundoren e tyre, asgjë ose rrallë herë, shumë pak, propozimet dhe iniciativat e sipërmarrjes merren parasysh në hartimin e reformave apo vendim marrjeve ligjore.

Është shumë e rëndësishme që politika shqiptare të heq dorë nga hartimi i recetave shëruese pa u konsultuar me “pacientin”. Jam i bindur që çdo sipërmarrës është më i informuar dhe i kualifikuar për mënyrën se si shërohen plagët e tij dhe në ketë rast, qeverisë në rolin e shërbëtorit nuk i ngelet gjë tjetër veçse të dëgjojë me kujdes dhe vëmendje shqetësimin e sipërmarrësit në veçanti dhe sipërmarrjes në tërësi. Kjo është e vetmja mënyrë e shërimit të plagëve të sipërmarrësit dhe sipërmarrjes private, shton ai. Nikolin Jaka shton se në vendet me demokraci të brishtë, me ekonomi të brishtë, si dhe të pazhvilluara, stabiliteti politik luan një rol të rëndësishëm në krijimin e klimës pozitive të bërit biznes. Sinjali që jepet nga sipërmarrja private në këtë rast ndaj klasës politike është shumë i qartë: stabiliteti politik, dialogu dhe kompromisi mundësojnë sigurinë dhe garancinë për të investuar.

Për sa sipër në funksion të krijimit të një klime pozitivë të bërit biznes Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë se Qarkut Tirane shumë shpejt do dali në një pakete propozimesh tarifore, proceduriale dhe rregullatore, njofton ai. Qeverisë shqiptare, deklaron kreu i Dhomës, i duhet të dëgjojë me vëmendje dhe përulje çdo shqetësim dhe problematikeëtë qytetarit dhe sipërmarrësit shqiptar pa paragjykim, por me një analizë të zgjuar dhe të kualifikuar të problematikës së ngritur, duke i shërbyer siç duhet zgjidhjes dhe nga ana tjetër duke demaskuar, në mënyrë të zgjuar propagandat dhe demagogjitë që ngrenë falsitete në problematika.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here