Duket se rezultatet e raportit të Agjencisë Evropiane të Mjedisit për cilësinë e ujit në plazhet europiane, të cilat nxorrën në pah gjendje skandaloze të ujrave shqiptare, mund të ketë ndikim në mbajtjen larg të turistave.
Nisur nga ky raport, agjencia e rëndësishme ndërkombëtare e lajmeve Associated Press ka shkruar një artikull me titullin “Uji i plazheve europiane është shumë i mirë, me përjashtim të Shqipërisë”. Lajmi është ribotuar, me të njejtin titull, nga shumë media botërore, përfshi Daily Mail, gazetën më të lexuar britanike në botë, rrjetin televiz amerikan ABC, shërbimin e lajmeve të Yahoo—së dhe dhjetra media lokale në SHBA dhe Europë.
Pas analizimit të kampioneve të ujit në më shumë se 70 plazhe, agjencia kryesore e BE-së për mjedisin nxorri në pah se rreth 40 përqind e plazheve në Shqipëri janë jashtë standarteve për t’u larë veçanërisht plazhi i Durrësit dhe përqark tij (shih këtu për më tepër).
Gjendja e ujrave në Shqipëri duket ekstreme, duke qenë se mesatarja e plazheve europiane me ujë të papërshtatshëm ishte 1,8 përqind, më e larta ndër të cilat ishte Britania e Madhe me rreth 4 për qind.
Duket se mungesa e investimeve në infrastrukturën e përpunimit të ujrave të zeza, investimet pa kriter në bregdet dhe në përgjithësi lënia pas dore e çdo kujdesi për detin e bregdetin duket se kanë prodhuar një bregdet e det aq të ndotur sa na ndëshkojnë.
Përballë këtij realiteti përpjekjet e Shqipërisë për tërheqjen e turistëve përmes panaireve dhe thirrjeve politike për të vizituar Shqipërinë duken të çuditshme dhe tregojnë mungesën e ideve e vizionit për zhvillimin e turizmit.