Harta e parcelave me kanabis është zgjeruar në Shqipëri. Dy vjet nga operacioni që coi në “rënien e Lazaratit”, bima narkotike po mbillet në të gjithë vendin, në të gjitha qytetet. Në dijeni të zgjerimit të zonave kultivuese është edhe Prokuroria e Përgjithshme. Ajo u ka dërguar një qarkore prokurorive në rrethe, me anë të së cilës u kërkon kujdes ndaj kultivimit të kanbisit.
Qarkorja përmban edhe emrat e zonave ku kultivimi është në masë. Janë rrethe si Vlora, Fieri, Gjirokastra e Shkodra. Sipas prokurorisë, fenomeni është rritur dukshëm jo vetëm në sipërfaqe. Të dhënat flasin edhe për ndryshimin e teknikave të kultivimit. Thuhet se në disa raste janë improvizuar edhe laboratorë me përdorim të energjisë elektrike
“Pavarësisht veprimtarisë në rritje të institucioneve ligjzbatuese, në luftën kundër fenomenit të kultivimit të lëndëve narkotike, në vitet e fundit është vërejtur tendenca për ta shtrirë këtë veprimtari të paligjshme në të gjithë territorin e vendit”, citohet në qarkore.
Kultivimi i kanabisit nuk është shqetësim vetëm për Prokurorinë shqiptare. Italia u ka rënë këmbanave të alarmit sërish. Duke siguruar disa të dhëna nga Guardia di Finanza, gazeta Corriere Della Sera shkruan se të mbjellat me kanabis në Shqipëri për vitin 2015 janë dyfishuar në krahasim me dy vite më pare. Ndërsa prodhimi i marijuanës i kalon 1 mijë ton në vit.
Sipas Guardia di Finanza, që monitoron prej 3 vitesh territorin shqiptar nga qielli, në 2013 në territorin shqiptar janë evidentuar 305 fusha të mjella me kanabis dhe më shumë se 81 mijë rrënjë. Në 2014-ën janë zbuluar 815 fusha të mbjella dhe 165 mijë rrënjë. Kulmi arriti në 2015 ku janë evidentuar 1200 fusha të mbjella me kanabis 240 mijë rrënjë kanabis.
Për vitin 2016, burime të prokurorisë thonë se sipërfaqja e kultivuar është akoma më e madhe dhe për herë të parë kë prekur zona ku nuk është kultivuar ndonjëherë.