Furia e komenteve dhe irritimi në rrjetet sociale nuk e ndihmuan Marsela Çaushajn. Nëna e divorcuar e 3 fëmijëve, që u rrah nga ish bashkëshorti, e kaloi natën në spitalin e Vlorës. Pranë saj, në spital qëndroi e ëma. Mjekët thanë se Marsela është në gjëndje të rënduar psikollogjike për shkak të dhunës. Ajo vazhdon të ketë frikë se Ilirjan Pajo do ta rrahë sërish, kur të dalë nga burgu. Gruaja është njësoj e pasigurtë për të ardhmen e 3 fëmijëve, që duhet të mbijetojnë me 4 mijë e 500 lekë ndihmë ekonomike. Askush nuk është afruar ta ndihmojë, pavarësisht solidariteti virtual në rrjetet sociale. Policia u mjaftua me arrestimin e Ilirjan Pajos, ndërsa bashkia ka heshtur.
“Sot vajta të gjeja një punë. Do mbaja një plakë. Shkova në bankë të hapja një llogari. Ai ishte në treg dhe ne u takuam rastësisht. Kërkoi djalin e vogël ta merrte në krahë, por ai nuk e njihte. Erdhi djali i zonjës, që do mbaja unë dhe ai i tha: Kush je ti? Kjo nuk do të fillojë punë. I thashë: Nuk të pyes ty. Kam 3 fëmijë. Ti nuk jep asnjë lek. Aty nisi të më rrahë.” tregoi Marsela .
Kjo nuk ishte hera e parë që Ilirjan Pajo rrihte ish bashkëshorten.
“Më 3 Mars 2014 mora urdhrin e parë të mbrojtjes. Më rrahu në shtëpi. Jetonim në Vlorë. Më keqtrajtonte, më rrihte, dhunë fizike dhe psikologjike. Mbi mua dhe fëmijët. Në dhjetor të 2014 më rrahu në rrugë, nuk e kanë dënuar asnjëherë” tha Marsela me zërin e trembur, e shtrirë në spital.
Për kujdesin ndaj gruas së moshuar, Marsela do të paguhej 15 mijë leke ne muaj. Ilirjan Pajo është arrestuar edhe herë të tjera për dhunën ndaj bashkëshortes, por është lënë i lirë nga policia dhe gjykatat.