Kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, ka shpjeguar edhe një herë për prestigjoze franceze “L’Equipe” dënimin e tij me karton të kuq në humbjen 1-0 me Zvicrën.
“Jam në duel me Seferovic, ai më shtyn pak, unë rrëshqas dhe bie. E shikoj që jam jashtë zonës, përpiqem të largoj topin me kokë, e shoh që nuk e arrij, nuk mund ta lë vetëm për të bërë gol kështu që rrezikoj. Përpiqem të përdor shpatullën, kokën, por e prek topin me dorë. Në momentin kur arbitri vërshëlleu shpresova që ta kishte dhënë në favorin tonë pasi pati një shtytje ndaj meje, por nuk isha i sigurt se për kë do ta jepte faullin. Nëse do të kishim qenë në zonë, nuk do ta kisha prekur topin me dorë,” tha Cana.
Nga sqarimi i kapitenit vlen për të kuptuar se ai u vetësakrifikua për skuadrën.
Pas dënimit Cana do të humbë përballjen me Francën, sfidë e cila do të ishte shumë speciale për të pasi për shumë vite luajti për ekipin e Marsejës.