Kriza e eksporteve, kush e ka fajin?!

0
197

Ervin Kaduku

 

 

Eksporti i patates për tremujorin e parë të vitit ka pësuar një rënie drastike krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015, edhe pse është një produkt që mund të kultivohet në çdo zonë të vendit. Mungesa e informacionit, por edhe mungesa e lidhjes midis fermerëve dhe tregjeve ka bërë që ky produkt shpesh here të përdoret për konsum vetjak nga fermerët, të shitet lokalisht, apo në rastin më të keq edhe të kalbet. Kështu, referuar shifrave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, për këtë vit eksporti i patates ka qenë rreth 27.7 ton, nga 124.1 ton që ka rezultuar një vit më parë.

Por ky nuk është viti i parë që në tremujorin e parë të vitit eksporti i këtij produkti bie, pasi në në vitin 2014 ka qenë në rreth 377 ton, që do të thotë se nga viti në vit rënia është drastike. E përkthyer në vlerë monetare, eksporti për këtë vit i patates është regjistruar në 1.1 milionë lekë nga në 5.1 milionë lekë që ka qenë vjet dhe nga 17.4 milion që ka qenë në të njëjtën periudhë të vitit 2014.

Nga ana tjetër, përkundrejt rënies së eksportit, vihet re se importi i këtij produkti është në shifra trefish më të larta krahasimisht me atë që tregtojmë, ç’ka tregon kërkesë për konsum. Në 3­-mujorin e parë të vitit janë importuar 8538 ton nga 8216 ton patate që ka qenë në të njëjtën periudhë të një viti me parë, me një vlerë prej 325 milionë lekë nga 265 milionë lekë.

Shifrat tregojnë një mungesë menaxhimi të këtij produkti në tregun vendas, kjo edhe për shkak se pjesa më e madhe e fermerëve janë të paformalizuar, ndërkohë që në paradoks, qytetarët shqiptarë paguajnë më shumë për konsumin e patates së importuar, pasi çmimi me të cilin tregtohet është shumë më i lartë se ai vendas, per shkak edhe te taksave ekstra qe paguhen.

 

f1_dogana-e-morinit-ne-kukes1336378624-629x340

 

Eksportet

 

Edhe pas gati tri dekadash, eksportet shqiptare nuk po dalin nga rrethi vicioz, ku i ka futur shfrytëzimi i pasurive natyrore dhe krahut të lirë të punës, teksa ka munguar sofistikimi, investimet në teknologji që do të rrisnin vlerën e shtuar dhe diversifikimi sipas vendit të origjinës. Të gjitha këto i kanë lënë eksportet të varura nga zhvillimet e një grushti kompanish dhe nga kërkesa e fqinjit tonë, Italia. Në total, shitja e pasurive natyrore dhe shfrytëzimi i krahut të lirë të fuqisë punëtore na sigurojnë rreth 80% të eksporteve.

Por, teksa prej vitesh po flitet (teorikisht) për dobësitë strukturore të eksporteve shqiptare, si varësia nga shitja e lëndës së parë (minerale e naftë) dhe krahut të lirë të fuqisë punëtore (eksportit me vlerë të shtuar të ulët të materialit të porositësit), në 2016-n vendi po përballet praktikisht dhe seriozisht me këtë problem. Çmimet e ulëta të naftës dhe mineraleve në tregjet ndërkombëtare i kanë çuar kompanitë e mëdha shqiptare të eksportit në një krizë të thellë likuiditetesh. Duke mos përballuar kostot me të ardhurat nga shitjet, eksportuesit më të mëdhenj në vend janë përfshirë në proces falimenti dhe transferimi të pronësisë, duke i futur eksportet shqiptare në qorrsokak, teksa autoritetet shqiptare kanë mbetur pa zgjidhje të reja në sfond. Në këto kushte, qeverisë shqiptare i duhen përpjekje të ruajë nivelin aktual të eksporteve, pasi rritja e mëtejshme e tyre mbetet një mundësi e largët.

Dy nga grupet më të rëndësishme të eksporteve, lëndët djegëse dhe mineralet janë tërësisht të ekspozuara ndaj çmimeve në tregun ndërkombëtar. Ato kanë shënuar mbi 64 miliardë lekë eksporte në vitin 2015, duke zënë gati 26% të totalit. Por ndërkohë, eksportet e këtij grupi po rrezikohen edhe për shkak se ato janë të përqendruara në vetëm pak kompani brenda vendit.

Në kërkim të kostove të lira pas krizës financiare të vitit 2008, Shqipëria u bë një oaz i kërkuar për prodhuesit e këpucës dhe tekstilit. Të dy grupet kanë parë një rritje të admirueshme gjatë dekadës, por duket se ecurinë më të mirë e kanë pasur këpucët, eksportet e të cilave janë trefishuar që nga 2005. Duket se përfshirja në cikël të mbyllur të kompanive të mëdha të prodhimit të këpucës i ka dhënë vlerë më të shtuar eksportit në krahasim me tekstilin, rritja e të cilit, ndonëse e lartë, nuk ka qenë e admirueshme sa e këpucëve. Por me rritjen e barrës fiskale dhe rritjen e konkurrencës në rajon, sektori nuk pret të zgjerohet më shumë se 6% sipas burimeve nga tregu. Gjithsesi, sot tekstilet e këpucët janë kthyer sërish në grupin më të madh të eksportuar, me 47% të totalit për 4-mujorin 2016, duke shënuar një kthim prapa, ku vendi ende ka si avantazh kryesor konkurrues krahun e lirë të fuqisë punëtore.

Ndërsa eksporti i prodhimeve bujqësore, me gjithë rritjen e madhe të vitit 2015, mbetet vulnerabël dhe nën ndikimin e kushteve klimatike. Gjithsesi, në periudhën afatshkurtër, pesha e tyre në eksporte do të mbetet e ulët në më pak se 10% të totalit.

 

 Dogana

 

Administrata doganore pritet të shfuqizojë referencat për 82 produkte importi. Në këtë shifër dominojnë kryesisht lëndët drusore si dhe kimikatet. Shfuqizimi nga referencat për këto produkte, do të thotë që tregtarit do t’i njihet vlera e transaksionit që paraqet përmes faturës. Aktualisht, administrata doganore aplikon referenca për afro 3 mijë produkte. Kjo shifër ka ardhur duke u ulur nga viti në vit. Administrata doganore aplikon në 87 % të importeve vlerën e deklaruar drejtpërdrejt nga importuesi dhe në 13 % të tyre ndërhyn me anë të mekanizmave të ndryshëm. Vendet e Bashkimit Evropian përdorin transaksionin në rreth 95 % të importit.

Referuar të dhënave, janë disa produkte dhe mallra, të cilat kanë risk më të madh në manipulimin e vlerës së faturës, duke e bërë administratën doganore dyshuese në vlerën e faturës së paraqitur. Sipas ekspertëve të Administratës Doganore bëhet fjalë për mallrat që vijnë nga origjinat e largëta me të cilat doganat shqiptare nuk kanë kontakte, apo për mallra për të cilat synohet të rregullohet vlera siç janë automjetet. Në paktën e re fiskale për vitin 2017 pritet të thjeshtësohen një sërë procedurash doganore, me qëllim përmirësimin e aktiviteti tregtar në këtë administratë.

 

Modeli

 

Sa u përket eksporteve, kohët e fundit po shtrohet gjithnjë e më shpesh pyetja: pse aktualisht eksportet, që po ecnin mirë deri 3 vjet më parë, tani po ecin mbrapsht? Sipas ekspertëve, për çdo vend rritja e eksporteve është prioriteti numër 1 në fushën e ekonomisë. Nga ana e modelit të zhvillimit ekonomik, kur flitet për botën, si shembull merret Kina që është bërë “uzina e botës”, ndërsa kur flitet për Europën, modeli është Gjermania. Ajo çfarë kanë të përbashkët këto dy vende, pavarësisht se janë shumë të ndryshme në modelin e tyre të zhvillimit, të historisë, kulturës, sistemit politik, nivelit të jetesës etj., janë pikërisht eksportet. Kina ishte në fillim si Shqipëria, duke u mbështetur në industrinë e manifakturës, që shfrytëzon avantazhin e krahut të lirë të punës dhe më pas kaloi drejt industrializimit, me teknologji dhe produkte të sofistikuara, duke rritur vlerën e shtuar. Ndërsa Gjermania njihet prej kohësh për prodhimin e produkteve me cilësi të lartë, të destinuara për eksporte.

“Sekreti” i tyre është kapaciteti për të eksportuar. Ka shumë rëndësi rritja e ekonomisë prodhuese pa prekur në mënyrë të pakthyeshme burimet e vendit, duke respektuar atë që quhet zhvillimi i qëndrueshëm. Duhet të ndjekim modelin e nxitjes së eksporteve, duke iu përshtatur në mentalitet dhe organizim vendeve të zhvilluara perëndimore dhe jo të klonojmë modelet e Greqisë dhe Italisë së Jugut, që janë nxënësit e fundit të Europës në këtë fushë. Pavarësisht marrëdhënieve të shkëlqyera të fqinjësisë së mirë që kemi me këto vende, në fushën e ekonomisë ne duhet patjetër të zgjedhim modelin e më të mirëve në Europë. Fqinji mbetet fqinj, kurse mikun duhet ta zgjedhim më të mirë se vetja.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here