Sejrie Baleta
Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve është një çështje që duhet punuar për të. Në Fletoren Zyrtare ditën e djeshme është hedhur vendimi i cili tashmë është miratuar. Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 265, datë 12.4.2012, “Për krijimin dhe funksionimin e mekanizmit të bashkërendimit të punës ndërmjet autoriteteve shtetërore përgjegjëse për referimin e rasteve të fëmijëve në rrezik, si dhe mënyrën e procedimit të tij” dhe në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 425, datë 27.6.2012, “Për përcaktimin e kritereve dhe të dokumentacionit të nevojshëm për pranimin në institucionet rezidenciale publike dhe private të përkujdesit shoqëror”. Sipas këtij vendimi janë bërë disa ndryshime që do tu vijnë në ndihmë fëmijëve në nevojë.
Institucionet e përkujdesit social rezidencial publik, të financuara nga fondet e buxhetit të shtetit, ofrojnë shërbimin e emergjencës për një periudhë kohore prej 72 orësh për fëmijët e identifikuar që kanë nevojë për mbrojtje të menjëhershme.
Fëmijë që ka nevojë për mbrojtje të menjëhershme është fëmija, i cili nëse lihet në rrethanat aktuale pa asnjë ndërhyrje mbrojtëse, mund të vdesë, të dëmtohet ose të plagoset rëndë apo të jetë pre e keqtrajtimeve të konsideruara vepër penale, sipas legjislacionit në fuqi. Fëmijë që kanë nevojë për mbrojtje të menjëhershme dhe që i ofrohet shërbimi i emergjencës në institucion përfshin:
- a) Fëmijë i gjendur vetëm, i pashoqëruar në situatë rruge;
- b) Fëmijë i neglizhuar, që jeton në rrethana që vendosin në rrezik jetën dhe shëndetin e fëmijës; c) Fëmijë i abuzuar seksualisht nga personat në gjini apo kujdestari.
- Fëmija që ka nevojë për mbrojtje të menjëhershme referohet në institucion nga njësitë për mbrojtjen e fëmijëve, strukturat e policisë, shërbimi social shtetëror/rajonal.
- Fëmija që ka nevojë për mbrojtje të menjëhershme vendoset në institucionin e përkujdesit shoqëror publik që ofron shërbime sociale për fëmijët, që ndodhet pranë vendbanimit/vendqëndrimit më të afërt me fëmijën. Dokumentacioni për vendosjen e fëmijës në institucion realizohet sipas procesverbalit bashkëngjitur këtij udhëzimi.
- Drejtuesit e institucioneve të përkujdesit social rezidencial për fëmijë marrin masa për garantimin e burimeve të nevojshme materiale dhe njerëzore për ofrimin e këtij shërbimi, sipas pikës 1 të këtij udhëzimi.
- Institucioni i përkujdesit social krijon kushtet e nevojshme për garantimin e plotësimit të nevojave bazë të fëmijëve, të cilëve u jepet shërbimi i emergjencës. Për shërbimin e emergjencës, institucioni ofron në mënyrë të menjëhershme: strehim, ushqim dhe kujdes shëndetësor. Një person përgjegjës është gjithmonë i pranishëm në institucion për ofrimin e këtij shërbimi.
- Institucionet e përkujdesit social publik, brenda 12 orësh, bashkërendojnë punën me njësinë e mbrojtjes së fëmijëve për të ndërmarrë hapat e parashikuar në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 265, datë 12.4.2012, “Për krijimin dhe funksionimin e mekanizmit të bashkërendimit të punës ndërmjet autoriteteve shtetërore përgjegjëse për referimin e rasteve të fëmijëve në rrezik, si dhe mënyrën e procedimit të tij”.
- Brenda 48 orësh nga marrja e njoftimit, njësia e mbrojtjes së fëmijëve i njofton zyrtarisht institucionit të përkujdesit social ku është akomoduar fëmija vendimin e grupit teknik multidisiplinar. Vendimi duhet të shprehë qartë nëse fëmija do të ribashkohet me familjen biologjike, do të marrë shërbim alternativ komunitar apo do të vijojnë procedurat për komisionimin e fëmijës në institucion përkujdesit social.
- Në rastet kur vendimi i grupit teknik multidisiplinar parashikon ribashkimin e fëmijës me familjen biologjike apo shërbim alternativ komunitar, njësia e mbrojtjes së fëmijës vijon me monitorimin e situatës së fëmijës pranë familjes (biologjike ose kujdestare).
- Në rastet kur vendimi i grupit teknik multidisiplinar parashikon komisionimin e fëmijës në institucion përkujdesit social, njësia e mbrojtjes së fëmijës përgatit dokumentacionin në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 425, datë 27.6.2012, i ndryshuar, “Për përcaktimin e kritereve dhe dokumenta-cionit të nevojshëm për pranimin e personave në institucionet rezidenciale publike dhe jopublike të përkujdesit shoqëror” dhe e përcjell në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror.
- Ngarkohen për zbatimin e këtij udhëzimi Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror, drejtoritë rajonale të shërbimit social shtetëror, Agjencia e Mbrojtjes së Fëmijëve, Institucionet e përkujdesit shoqëror rezidencial publik, të financuara nga fondet e buxhetit të shtetit, dhe njësitë e qeverisjes vendore. Ky udhëzim ka hyrë në fuqi pasi është botuar në Fletoren Zyrtare.