Përmet/ Dy ish-zyrtarë të bashkisë shpërdoruan detyrën, përfundojnë në prokurori

0
163

Dy ish-zyrtarë të Bashkisë së Përmetit, kanë shpërdoruar detyrën dhe dosja e tyre është çuar në organin e akuzës për ndjekje penale. Bëhet fjalë për ish-zyrtarët socialistë të kësaj njësie vendore e cila, është marrë nën administrim nga demokratët, vitin e kaluar me fitoren e zgjedhjeve lokale.

Vasil Panon dhe Denisa Duron të cilët janë funksionarë të lartë vendor të PS në Përmet, ku Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kallëzuar në Prokurori si ish-anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Bashkinë e Përmetit. Akuza e tyre, ka të bëjë me shkeljet e faktuara të barazisë në procedurat e prokurimit dhe favorizimit të operatorëve duke i shkaktuar shtetit dëm një vlerë prej 11 milionë Lekë të reja. Përfaqësues të KLSH, kanë ushtruar kontroll në këtë njësi vendore në fund të vitit të kaluar dhe një javë më parë, përpiluan raportin përfundimtar nga ky auditim i kryer.

Ajo cka vlerësohet interesante, është se dëmi i shkaktuar prej dy personave të lartpërmendur prej 11 milionë lekë, do të kompensohet nga vetë Bashkia e Përmetit dhe administrata aktuale e cila nuk ka pasur aspak lidhje me dëmin e shkaktuar nga bashkia e mëparshme ku drejtohej nga Gilberto Jace i PS. Gjithcka ka të bëjë me shkeljen e procedurave të tenderit me vlerësimin e ofertave në rikonstruksionin e trotuareve në bllokun e qendrës në Përmet. Nga krahasimi i ofertës ekonomike të dy prej operatorëve ekonomikë pjesmarrës në tender, rezultoi se këta patën paraqitur kontratë furnizimi guri me të njëjtën shoqëri furnizuese, dokumentacionin tekniko-ligjor i të cilës është i njëjtë për të dyja kontratat e lidhura.

Për rrjedhojë Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, aplikoi një standart të dyfishtë, duke e vlerësuar këtë kriter si të vlefshëm dhe në pajtueshmëri me kërkesat për operatorin konkurrues me ofertë ekonomike me të lartë dhe në papajtueshmëri për operatorin konkurrues me ofertë ekonomike me të ulët. Vlerësimi që është bërë nga dy ish zyrtarët e Bashkisë së Përmetit, qëndron në kundërshtim me ligjin për Prokurimin Publik, pasi ka skualifikuar ofertues të cilët plotësonin kriteret për kualifikim duke përdorur dy standarde gjatë vlerësimit të ofertave.

KLSH, duke i konsideruar veprimet e kryera nga Pano dhe Duro në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në procedurën e prokurimit të rikonstruksionit të trotuareve në bllokun e qendrës së Përmetit, si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme sipas ligjit. Duro dhe Pano, janë kallëzuar pak ditë më parë në Prokurorinë lokale për shkelje të barazisë në vlerësimin e ofertave gjatë tenderit, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm ekonomik në vlerën 11.1 milionë lekë të reja.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here