Dialogjet e mëposhtme janë nga bisedat zyrtare të protokollit më të lartë të zhvilluara në Kremlin në zyrën e Stalinit. Ajo është regjistruar gjatë takimit zyrtar të vizitës në prill 1947 së delegacionit të nivelit të lartë të Jugosllavisë nën drejtimin e numrit dy të saj Eduard Kardel, Ministrit të Jashtëm jugosllav Simic dhe Ambasadorit jugosllav në Moskë V. Popovic. Dialogu është autentik për një rajon si Ballkani, në historinë e të cilit zëri i “të fortëve” mbetet informacion.
Stalini: Po si i keni punët me shqiptarët? Hoxha sikur është ankuar për këshilltarët tuaj politikë në ushtrinë e tyre, sikur ata e dobësojnë disiplinën, apo jo
Kardeli: Kjo është gjë e re për ne. Ata nuk na kanë thënë asgjë për këtë.
Stalini: Cila është origjina e shqiptarëve?
Kardeli : Ata janë pasardhës të ilirëve.
Stalini: Më kujtohet se Tito më ka thënë se ata janë si puna e baskëve.
Kardeli: Kjo është e vërtetë.
S.Simici: Ka të dhëna që thonë se shqiptarët janë populli më i vjetër në Gadishullin Ballkanik. Disa fjalë prej tyre vërtetojnë se gjuha shqipe është më e vjetër se greqishtja. Fjala e tyre “Afrodita” është huazuar nga gjuha shqipe. Në gjuhën greke kjo nuk ka kuptim.
Stalini: Ky popull ka mbetur shumë mbrapa në zhvillim.
Popovici: Shqiptarët janë shumë trima dhe njerëz besnikë.
Stalini: Të tillë kanë qenë tek ne cuvashët. Carët rusë i merrnin ata në gardën personale.
Kardeli: Tek ne, në territorin e Kosovës dhe Metohisë edhe sot jetojnë më shumë shqiptarë se sa serbë. Ne mendojmë, që më vonë, kur të vendosim lidhje më të ngushta me shqiptarët, këto territore tua japim atyre.
Stalini: Po si janë ndodhur shqiptarët në këto territore?
Kardeli: Janë vendosur në këtë krahinë në kohën e turqve. Ndërsa një pjesë e popullsisë është asimiluar.
Stalini: Po si ka mundësi që një popull me nivel më të ulët zhvillimi, ka mundur të arrijë një gjë të tillë? Si shpjegohet kjo?…
(Botuar në Beograd nga gazeta “Borba” në 12-13 gusht 1989 dhe në librin “Rusia dhe Kosova” të ambasadorit Shaqir Vukaj Fq 93)