Nga Artan Fuga
Për ndeshjen me Rumaninë t’i lemë hartimet me 10 milionë shqiptarë, me heronj e me datëlindje që si dhuratë dëshiron fitoren me Rumaninë. Nuk del fitorja me hartime. Mos bëhemi naivë tani.
Problemi i vërtetë i kombëtares të të gjithë shqiptarëve nuk ka qenë as Franca as Zvicra. As matemi dot me to! Nuk kemi këllqe. Këtë e vërtetoi loja në mbrojtje që bëmë, si Vrana Konti në kështjellën e Krujës, e duke bërë ndonjë sulm të çartur si Selam Musai mbi tela me gunë, Yxhym ! Në rrëmujë e sipër çuna mos rrasni ndonji gol!
Problemi i vërtetë është Rumania, Tani fillon e vetmja gjë serioze e kampionatit. Deri tani ishte folklor. Fryrje e kotë karakteristike për t’u mat me të mëdhenjtë.
Kështu e kemi ne shqiptarët, matemi me Romën, me Perandorinë Osmane, me Kostandinopojën, me Bashkimin Sovjetik, me Kinën, me Amerikën, të tjerët nuk i llogarisim. Sindromi i të voglit. Cfarë të bëjmë! Na ka zënë. Vogëlsinë reale e kompensojmë pak me delire madhështie! Për të qeshur e qarë!
Me të mesmit dhe të vegjlit nuk kemi motiv për t’u ndeshur, sepse nuk i quajmë. Nuk na jep kënaqësi po të mundim Malin e Zi, Bosnjën, e ndonjë tjetër të dorës sonë.
Madje edhe kundër Serbisë dhe Greqisë motivi na vjen nga patriotizmi, jo nga futbolli, por jashtë futbollit. Me Rumaninë do të shihet :
E para sepse deri aty është hapi ynë. E dyta se aty shpresa për kualfikim, e treta sepse aty nuk ja dalim duke u ndryrë në portë e u bërë stivë atje për të mos marrë gol. Se do të sulmojmë me Rumaninë, ishalla ja dalim, por mos harrojmëse rumunët nuk flenë, dhe pikërisht nga hapja jonë do të përfitojnë duke krijuar hapësira të lira me sulmues të shpejtë që kanë. Mos harrojmë se ata i bën gola edhe Francës edhe Zvicrës, kurse ne akoma nuk e kemi provuar se çfarë shije ka goli. Kujdes mos hamë gola, se torta për ditëlindje hamë sa të duash!