Testi i Matematikës/ Përplasje Berisha – Nikolla. Maturantët: Varianti B bëhet publik 40 min para se të përfundonte provimi

0
183

1 3 4

 

Disa ditë më parë doli online para përfundimit të provimit testi i Letërsisë, fakt që u pranua nga ministria e Arsimit dhe u paralajmërua kallëzim penal

 

Sejrie Baleta

 

 

Plot 42 mijë maturantë iu nënshtruan ditën e djeshme testit të  njohurive të tyre në matematikë. Jo çdo gjë shkoi sikundër u parashikua.  Njëra  tezë e këtij provimi prej mbrëmjes së të enjtes po qarkullonte  në portalet online. Një fakt i tillë u denoncua  edhe nga ish-kryeministri, Sali Berisha. “Një turp kombëtar! Horrat e shtetit nxjerrin në treg, një ditë përpara, testin e matematikës si kurrë ndonjëherë në historinë e këtij shteti!” Nuk dihet sesi teza A ka “rrjedhur” nga Komisioni që e ka përgatitur. Nëse konfirmohet vërtetësia e këtij fakti, do përbënte vërtet një skandal. Pos pas daljes së variantit A në internet para se të përfundonte i gjithë procesi i provimit u publikua dhe variant B. Në përfundim të provimit, maturantët kanë konfirmuar se teza B e publikuar në rrjete është e njëjta me atë që kanë dhënë provim, ndërsa varianti A jo. Burime nga Ministria e Arsimit bëjnë me dije se dyshohet se testi i matematikës për Maturën Shtetërore është nxjerrë nga mësues të shkollave të Librazhdit. Ndërsa mbrëmë vonë u publikua varianti A i provimit. Ministria e Arsimit mohoi vërtetësinë e kësaj teze, duke deklaruar se ata që e dinë tezën janë të izoluar dhe kutitë kanë mbërritur me polici pa asnjë dëmtim. Ndërkohë, vetë maturantet pohuan se nuk ka qenë ky test ai që u ka qëlluar në provimin e sotëm. Nga ana tjetër, maturantët pohuan se para orës 11:50 doli varianti B i tezës, i cili u kishte qëlluar atyre në provimin e sotëm.

 

Ministrja Nikolla, mohon

 

Por një reagim ka ardhur nga Ministria e Arsimit Lindita Nikolla e cila e mohoi: “Ata që e dinë tezën janë të izoluar. Kutitë kanë mbërritur me polici dhe asnjë dëmtim nuk ka. Jam e bindur që është lajm i rremë”. Ky qëndrim është përforcuar edhe në reagimin zyrtar të Ministrisë së Arsimit. MAS ka paralajmëruar gjithashtu se kushdo që tenton të shkel rregulloren e Maturës Shtetërore do të përgjigjet penalisht përpara organeve ligj- zbatuese.

 

Reagimi i MASH

 

Në lidhje me disa lajme të cilat qarkulluan  në rrjetet sociale dhe portalet online ku u raportua për mundësinë e daljes së tezës të lëndës së matematikës të provimit Shtetëror të Maturës 2016 një natë përpara zhvillimit të testimit, Ministria e Arsimit dhe Sportit sqaron se: “ Ministria e Arsimit dhe Sportit, ka hartuar një proces të tillë administrimi të tezës i cili siguron pamundësinë e daljes së çfarë do informacioni deri përpara hapjes së tezës përcaktuar të dorëzohet për të gjithë maturantët ditën e premte datë 17 qershor 2016, ora 10.00, në të gjitha qendrat e provimit në vend. Kjo, pasi procesi i hartimit të tezës zhvillohet në masa të rrepta sigurie në ambiente ku hartuesit e saj janë të izoluar dhe nuk kanë mundësi komunikimi me ambientet e jashtme të godinës ku ata janë ngujuar. Nga ana tjetër, sqarojmë publikun se tezat janë shoqëruar dhe ruhen në të gjithë vendin nga forcat e rendit dhe punonjës të përzgjedhur të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Ndaj, çfarë do informacion që pretendon se teza e matematikës është publikuar përpara provimit është i pavërtetë dhe një sajesë dashakeqëse nga të gjithë ata që kërkojnë të baltosin këtë proces model administrimi të nisur prej MAS nga viti 2014. I bëjmë thirrje të gjithë administratorëve të provimit, maturantëve dhe të gjithë publikut se provimi i Maturës Shtetërore të lëndës së matematikës do të zhvillohet sipas të gjithave procedurave dhe standardeve të paracaktuara dhe informuara paraprakisht nga udhëzimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për provimet e Maturës Shtetërore 2016. Kushdo që tenton të shkel rregulloren e Maturës Shtetërore do të përgjigjet penalisht përpara organeve ligj-zbatuese. Duke siguruar dhe njëherë të gjithë maturantët e vendit për një proces administrimi me integritet  e që garanton meritokraci, i urojmë atyre suksese në provimin e radhës!

 

Tezat

 

Bëhet fjalë për 2 teza të publikuara në internet. Teza e parë është ajo e variantit A, vërtetësia e së cilës u mohua edhe nga maturantët. Ndërsa teza e dytë, Varianti B, u publikua përpara orarit zyrtar të përfundimit të provimit të maturës shtetërore dhe maturantë konfirmuan vërtetësinë e saj. Ndryshe nga provimet e tjera të maturës shtetërore, ai i matematikës prodhoi zhurmë dhe debate pasi u publikuan online 2 variante tezash. Varianti parë, ai A, u publikua në internet përpara hyrjes së maturantëve në provim. Mes denoncuesve në rrjete sociale, ishte dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Kur ende kishte pikëpyetje mbi vërtetësinë e kësaj teze, sërish në internet publikohet varianti tjetër i provimit të maturës, teza B. Kjo tezë u publikua përpara se nxënësit të linin klasat ku zhvillohej provimi i maturës, e sipas burimeve të MAS shkelja ka ndodhur në Librazhd, ku është ndëshkuar personi që e ka publikuar. Ndërsa të gjitha këto zëvendës/Ministrja e Arsimit Nora Malaj, e konsideroi këtë një tentativë për të prishur procesin e dhënies së provimit të maturës shtetërore, ndërsa paralajmëroi ndjekje penale për përgjegjësit. Në fjalën e saj Malaj tha: “Gjithçka që ka dalë pas orës 12:00 është thjesht dhe vetëm dëshira e ndonjërit, ne nuk e dimë, por do ta verifikojmë dhe do të shikojmë nëse ndodhet brenda institucionit të Ministrisë apo mund të ketë ende ndonjë përgjues tani që mund të na përgjojë se ne institucionet tona i kemi shumë të mirëmenaxhuar. Ashtu si Kombëtarja jonë, ashtu ka qenë dhe Matura Shtetërore sivjet. Nëse ndonjëri tenton, qoftë i blerë, qoftë i montuar, qoftë i çfarëdo lloj gjendur, ne kësaj radhe do të merremi seriozisht. Ka ardhur momenti që secili të përgjigjet për veprën penale që bën”. Ndërsa Drejtoria e Drejtorisë Rajonale të Elbasanit, u shpreh se nuk është raportuar në këtë qark nga administratorët për probleme të tilla. Provimi i matematikës është i treti në radhë i sfidës së maturantëve. Provimi i radhës është ai i lëndëve me zgjedhje, që do jepet në datën 24 qershor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here