Artur Zheji
———————————————————————————————
Shpërthimi i Koço Kokëdhimës, kundër tezave për Reformën në Drejtësi, të mikut të tij dhe kryeministrit Rama, ka ndoshta një prapaskenë gati konspirative, që nuk thuhet ende në publik.
Burime të 360grade.al, kanë mundur të mësojnë se ka ndodhur diçka e paqartë në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që i hoqi mandatin e deputetit, njerit prej themeluesve të asaj ngrehine pushteti që është sot Edi Rama.
Në influencimet e qarta që duket se janë bërë në vendimarrjen dhe interpretimin e konfliktit të interesit, të bizneseve të Kokëdhimës nga njera anë dhe mandatit të tij si deputet, nga ana tjetër, duket se ka patur gisht edhe kupola drejtuese e PS.
Si edhe u rregjistrua asokohe, pak javë më parë, askush nuk e ngriti zërin për këtë vendim që morri Gjykata Kushtetuese, e cila i dha një goditje ballore Koço Kokëdhimës dhe krenarisë së tij politike. Kokëdhima ka qenë dhe është një nga personazhet më të sulmuara personalisht nga Sali Berisha, sipër dhe poshtë brezit. Mirëpo përvec gëzimit të Opozitës, askush nuk shprehu ndonjë hidhërim apo irritim të dukshëm nga ana e Kupolës së PS. Duke i dhënë Kokëdhimës një goditje të dytë. Kësaj rradhe mbas shpine.
Edi Rama dhe Saimir Tahiri, u vërsulën me një egërsi dhe pasion të parrëfyer kundër Gjykatës së Apelit, që shkarkoi kryepolicin Haki Cako, për Krimin Shtetëror të përgjimeve të paligjshme. Sepse shqepja e fillit të këtij skandali, mund ta conte shumë larg Cështjen, nga Ministri e deri te zyra Kryeministrore.
Mirëpo mbas shkarkimit dhe deponimeve të para të kryepolicit të sinqertë, për përdorimin e pajisjes së përgjimit, plasi një luftë e vërtetë verbale me terma uluritës dhe shumë pështyme, kundër Gjykatës dhe kundër Sistemit të drejtësisë Shqiptare, që Reforma do fshinte nga faqja e dheut.
Gazetarë të Porositur fotografuan shtëpinë e gjykatësit Aliaj. BIRN publikoi për “rastësi” investigimin mbi pasurinë e gjykatësve. Mediat e shumëfishuan jehonën. Në 48 orë, makineria e qeverisë dhe e shtetit, u vu në një punë rrënqethëse.
Kryeministri ishte kërcënues dhe e quajti gjygjtarin në fjalë vrasës me pagesë dhe Gjykatën pjellë të Kënetës që duhet shkatrruar nga themeli. Dhe përmes kërcënimit dhe vringëllimës së Vetingut, që është e drejta për të seleksionuar tërë gjykatësit dhe prokurorët e Shqipërisë, në kuadrin e Reformës në Drejtësi, Kryeministri arriti të nënshtrojë Gjykatën e Apelit, e cila, në Shkallën e Dytë, rrëzoi edhe Prokurorinë e Përgjithshme, edhe Shkallën e Parë të së njejtës Gjykatë.
Duke kthyer në detyrë, përmes buzëqeshjes së pushtetit fitimtar, Kryepolicin e sinqertë Haki Çako. Mirëpo asgjë e tillë, e ngjashme sadopak, nuk ndodhi kur u shkarkua deputeti Koço Kokëdhima, në mënyrë gati arrogante dhe sfiduese politikisht nga Gjykata Kushtetuese.
Në atë rast, kryeministri as nuk foli dhe as nuk përmëndi ndonjë term që lidhej me “Kënetën e sistemit të Drejtësisë së kalbur shqiptare”, duke e lënë të vetëm dhe të tradhëtuar, Mikun e tij të Madh dhe mbështetësin e tij të kahershëm Koco Kokëdhima. Pra gjykuar nga qëndrimet publike të Kryeministrit, Gjykata Kushtetuese, kishte vendosur drejtësisht, duke ndëshkuar Koco Kokëhimën dhe në këtë kontekst, kjo gjykataë nuk ishte “pjesë e kënetës së kalbur” të Drejtësisë së Kalbur Shqiptare.
Madje ka edhe më shumë se kaq. Përflitet se, përvec gëzimit të madh që shfaqi dukshëm një pjesë e Kupolës së PS, nga goditja që morri Koco Kokëdhima, persona të caktuar të kësaj Kupole, kanë dhënë një “ndihmë” të rëndësishme, që Gjykata Kushtetuese, të mos merakosej nga konseguencat politike të një “Vendimi” të tillë.
Koço Kokëdhima mund të akuzohet për gjithshkshka, por jo për mungesë inteligjence dhe burrërie. Madje inteligjencën e ka me të tepërt dhe e ka vënë shumë shpesh, apo pothuajse gjithmonë, në funksion të sukseseve të Edi Ramës, që me sa duket mendon se sot, është shumë i fuqishëm dhe mund të bëjë fare mirë edhe pa Koco Kokëdhimën.
I prekur me sa duket, nga kjo peshore e dyfishtë e qëndrimeve politike, të kryeministrit, ndaj Sistemit të Drejtësisë Shqiptare, ndryshe në rastin e heqjes së mandatiti të deputetit nga njera anë dhe ndryshe, në rastin e shkarkimit të kryepolicit Çako, nga ana tjetër, Kokëdhima ka reaguar. Publikisht!
Qëndrimi i tij për domosdoshmërinë e konsensualitetit të Reformës në Drejtësi, nuk duhet lexuar si një hakmarrje, por si një mësim që ai ka nxjerrë në këto pak javë, se cfarë nënkupton kryeministri shqiptar, miku i tij, me Reformën në Drejtësi.
Përtej fjalëve të bukura për një drejtësi të Drejtë, Kokëdhima me sa duket kuptoi në lëkurën e vet, se kjo “Reformë e ashtuquajtur”, është në të vërtetë dëshira e krisur e kryeministrit, për të patur një Pistoletë të Drejtësisë së manipuluar.
Që ta mbajë në kokën e kundërshtarëve të vet politik, por pse jo, edhe ndaj miqve apo mbështëtsve të tij, me më shumë personalitet se sa duhet, simbas pikëpamjes së tij kryeministrore.