Një shqiptar 43-vjeçar është arrestuar nga policia italiane pasi ka dhunuar bashkëshorten e tij, dy fëmijët edhe vjehrrin.
Ngjarja ndodhi në banesën e tyre në zonën e Firenzes. Sipas mediave italiane, shqiptari ka rrahur gruan e tij, dy fëmijët, 16 dhe 8 vjeç, vajzë dhe djalë si dhe vjehrrin e tij. Aktet e dhunës burri shqiptar i kryente pasi pinte alkool dhe kthehej në banesë në gjendje të dehur.
Ka qenë gruaja e cila ka denoncuar dhunën fizike dhe verbale nga burri i saj. Policia vuri në pranga shqiptarin i cili u gjet në oborrin e pallatit ku familja ka apartamentin, ndërsa anëtarët e dhunuar u transportuan në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
E turpëruar nga situata në familjen e saj gruaja nuk kishte marrë më herët guximin për të denoncuar rastet e dhunës që nuk ishin për herë të parë ndaj saj – shkruajnë mediat italiane. Shumë raste të dhunës në familje kalojnë në heshtje vetëm se gratë nuk gjejnë guximin të denoncojnë në polici abuzuesit. Po ashtu, raste tragjike me humbje jete janë shënuar si pasojë e frikës nga bashkëshortët dhunues. Rasti në fjalë në familjen shqiptare në Itali fatmirësisht përfundoi vetëm me disa lëndime të vogla, pasi gruaja shqiptare mbyti ndjenjën e frikës dhe turpit.