Gjunjëzimi i ekonomisë/ Miliarda dollarë të reja, detyrimet e çdo ministrie dhe institucioni

0
154

5736f993ae2af

 

–  Propagandohet me të madhe shlyerja e disa qindra miliona dollarëve detyrime të prapambetura. Por, ndërkohë që nuk po ndërtohet as një kilometër rrugë dhe janë marrë masivisht borxhe të reja, situatë është përkeqësuar me shpejtësi…

 

 Ervin Kaduku

 

 

Vijon të shpallet, në çdo takim e mbledhje, ku të pranishëm janë qeveritarë, si suksesi madhor i këtij Ekzekutivi. Por, në fakt, fjala është për një “gjethe fiku”, pas së cilës fshihet një realitet skandaloz në menaxhimin e financave publike. Shlyerja e detyrimeve shtetërore të prapambetura ndaj privatëve në këto tre vjetët e fundit u krye si pasojë e një borxhi të ri, të marrë kryesisht nga institucione financiare ndërkombëtare. Por kjo nuk pengoi qeverinë Rama të krijonte një mal me borxhe të reja, ndonëse u angazhua se nuk do të lejonte krijimin e detyrimeve të prapambetura.

Mungesa e korrektësisë për të shlyer faturat në afat ka kapur sërish qeverinë, e cila, në fund të vitit që shkoi, nuk ka arritur të shmangë krijimin rishtas të detyrimeve të prapambetura. Gjatë vitit 2015, qeveria akumuloi detyrime të prapambetura në vlerën e 1.4 miliardë lekëve (10 milionë euro), nga të cilat 950 milionë lekë u përkasin kompanive të rrugëve. Kështu, detyrimi i akumuluar në Ministrinë Transportit më 2015 është 950 milionë lekë, sipas burimeve zyrtare në Ministrinë e Financave. Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) akumuloi detyrime të krijuara rishtas për kontrata investimi (ndërtime, rikonstruksione) në vlerën 594 milionë lekë. Ministria e Financave sqaron se këto janë kontrata shumëvjeçare dhe buxheti vjetor është i pamjaftueshëm për likuidimin e plotë të faturave, ndërkohë që kontraktorët vazhdojnë me avancimin e punimeve sipas grafikut të tyre. Shoqata e Ndërtuesve pohon se qeveria ka akumuluar borxhe ndaj kompanive të rrugëve, për të njëjtat shkaqe siç ndodhi edhe para vitit 2013. Arben Dervishi, sekretar i Shoqatës së Ndërtuesve shpjegoi se shkurtimi i buxhetit në mes të vitit 2015 preku edhe fondet dedikuar ndërtimit të rrugëve. Kompanitë ishin tenderuar me fondet e fillimvitit, por shkurtimi i tyre në mes të vitit ka krijuar detyrime të qeverisë për disa kompani, tha Dervishi.

Në vijim të borxheve, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka akumuluar detyrime në vlerën 180.1 milionë lekëve, që kanë ardhur si pasojë e mosplanifikimit të tyre në buxhetin e vitit 2015 nga ARRSH, shpjegon Ministria e Financave në një raport të posaçëm për këtë çështje. Në kontratat e supervizioneve të punimeve janë akumuluar detyrime në vlerën 11.8 milionë lekëve. Marrëveshja më Fondin Monetar Ndërkombëtar e detyron qeverinë të shlyejë detyrimet e akumuluara ndaj kompanive private në vitin fiskal pasardhës. Por Ministria e Financave konstaton se nga detyrimet e krijuara në periudhën 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2015, ARRSH ka planifikuar në buxhetin e vitit 2016 për shlyerjen e këtyre detyrimeve vetëm 44.7 milionë lekë, me argumentimin e tavaneve buxhetore të këtij viti të pamjaftueshme për të përballuar financimin e kontratave shumëvjeçare të angazhuara më parë. Kjo shumë është mjaftueshme për të shlyer vetëm një të dhjetën e borxhit të krijuar nga Autoriteti Rrugor më 2015!

Pas sektorit të rrugëve, kompanitë publike të ujësjellës-kanalizimeve kanë akumuluar borxhe ndaj kompanive private në vlerën e 89 milionë lekëve, të cilat kanë të bëjnë me pagesat e rimbursimit të TVSH dhe kosto lokale për projektet me financim të huaj. Sipas informacionit, që Ministria e Transportit ka paraqitur në Ministrinë e Financave, sqarohet se detyrimet e krijuara në periudhën 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2015 në këtë sektor janë planifikuar për t’u shlyer me fondet e buxhetore të këtij viti për Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve.

Detyrimi i akumuluar i Ministrisë së Arsimit për vitin që shkoi kap vlerën e 55 milionë lekëve, nga të cilat 31.3 milionë lekë janë detyrime për investime të kryera në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe 3.7 milionë lekë janë vendime gjyqësore për Zyrat Arsimore në rrethet: Skrapar, Përmet, Tepelenë dhe Kamëz.

Ministria e Drejtësisë ka krijuar detyrime të reja që shkojnë në vlerën 129.2 milionë lekë, nga të cilat Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave 120.7 milionë lekë, që ka të bëjë me detyrime për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, nga të cilat rreth 6.5 milionë lekë duhet të ishin raportuar dhe shlyer.

Detyrimi i akumuluar në Ministrinë e Shëndetësisë arriti më 2015 në 16.3 milionë lekë, të krijuara në disa Drejtori të Shëndetit Publik në disa rrethe, për vendime gjyqësore për largim nga puna.

Ministria e Punëve të Brendshme ka raportuar në Ministrinë e Financave se, për vitin 2015, ka akumuluar 10.2 milionë lekë detyrime, nga të cilat Emergjencat Civile 5.3 milionë lekë, të cilat duhet të ishin raportuar dhe shlyer, por, nga ana e njësive të qeverisjes vendore, këto detyrime janë raportuar me vonesë dhe pa dokumentacion të saktë pranë emergjencave civile.

Policia e Shtetit ka krijuar 3 milionë lekë borxhe për ekzekutim të vendimeve gjyqësore dhe 1.9 milionë lekë detyrime për shpenzime korrente për disa drejtori policie vendore dhe qarku.

Ministria e Bujqësisë ka krijuar detyrime që kapin vlerën e 65.6 milionë lekëve, nga të cilat mbi 3 milionë lekë janë krijuar nga Drejtoria e Bujqësisë në Elbasan si borxhe ndaj ekzekutimit të vendimeve gjyqësore. Pjesa tjetër, 62 milionë lekë, është krijuar për projektin “Ndërtimi i Portit të Peshkimit në Durrës” dhe ka të bëjë me detyrime për kosto lokale dhe TVSH për këtë projekt.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik raportoi në qeveri se, për 2015-ën, detyrimet e krijuara janë në vlerën 48.4 milionë lekëve, të lindura nga vendimet gjyqësore të formës së prerë. Këto detyrime raportohen në vlerën rreth 1.1 milionë lekë në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë dhe vlerën rreth 47.3 milionë lekë në aparatin e Ministrisë.

Borxhet e krijuara rishtas nga Ministria e Integrimit më 2015 kapin vlerën e 3.6 milionë lekëve, që kanë të bëjnë me detyrime për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.

Ministria e Mirëqenies Sociale ka krijuar 13.9 milionë lekë borxhe më 2015, të cilat përfaqësojnë vendime gjyqësore. Likuidimi i tyre është planifikuar të bëhet me buxhetin e vitit 2016. Nga kjo vlerë, rreth 1.1 milionë lekë duhet të ishin shlyer, por kanë mbetur të pashlyera.

Ministria e Kulturës ka krijuar 1 milion lekë borxhe vitin e kaluar ndërsa Ministria e Mjedisit 64 milionë lekë, të gjitha për vendime gjyqësore për largim nga puna. Këto vendime gjyqësore kanë ardhur si pasojë e ristrukturimit të Drejtorive Rajonale të Shërbimit, ku pjesa më e madhe e raportimit dhe depozitimit të tyre në Ministrinë e Mjedisit ka qenë gjatë periudhës janar-mars 2015 (periudhë në të cilën Ministria e Mjedisit nuk ka qenë e përfshirë në monitorim), sqaron Ministria e Financave.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, për të gjithë vitin 2015, ka krijuar 56 milionë lekë borxhe të reja për rimbursimin e TVSH-së.

 

Privatët

 

Shteti po krijon kështu një situatë shumë negative në marrëdhëniet e subjekteve private në treg, duke ndikuar në bilancet e tyre. Kështu psh, zinxhiri i borxheve në sektorin privat të industrisë në vend ka arritur në 1 miliard dollarë, teksa kompanitë e sektorit po falimentojnë dhe nga ana tjetër bankat rrezikojnë të përballen me një valë të re kredish të këqija. Në kushtet kur çmimi i mineraleve ka pësuar rënie të ndjeshme në tregjet botërore, bllokimi i pagesave nga ana e shtetit ndikon negativisht në drejtim të bllokimit të ndërmarrjeve, që po falimentojnë

Pra, ende pa u parë rezultatet e pastrimit të 60 miliardë lekë borxheve qeveritare të prapambetura të krijuara para 2013-s, mungesa e likuiditetit po shtrihet si një merimangë në të gjithë kapilarët e ekonomisë.

Jo rastësisht, lista e borxhlinjve të këqij në Tatime është shtuar me disa mijëra subjekte të reja, teksa ekstraktet e QKR janë tejmbushur me sekuestro nga shoqëritë përmbarimore për shkak të detyrimeve që kanë ndaj bankave dhe të tretëve.

Ky zinxhir borxhesh duket se ka prekur edhe pjesën më vulnerabël, punonjësit e kompanive, të cilët janë hedhur shpesh në protesta për pagat e prapambetura.

Kriza e borxheve është thelluar edhe në sektorin e ndërtimit. Nga anketimet e shoqatës së ndërtuesve, borxhet që kompanitë e ndërtimit i kanë njëra-tjetrës dhe zinxhirit të sektorëve i kalojnë të 200 milionë dollarët aktualisht.

Sipas specialistëve, borxhet janë pasqyrë e zhvillimit të dobët të ekonomisë. Sipas tyre, përmirësimi i konsumit është guri i themelit për të rigjeneruar rritjen, por kjo nuk ka se si të ndodhë nëse burimet që financojnë konsumin nuk rriten.

 

Brexit, Fondi Monetar jep alarmin

 

Fondi Monetar Ndërkombëtar jep alarmin, Britania do të hyjë në recesion në rast se më 23 qershor do të votohet pro daljes. Në dokumentin me 64 faqe të publikuar ditën e shtunë, Institucioni me bazë në Washington përforcon sinjalet e alarmit. Publikimi i dokumentit, i parashikuar për ditën e premte, u shty për shkak të pezullimit të fushatës në shenjë nderimi ndaj deputetes laburiste Jo Cos, e cila humbi jetën pas një sulmi nga një person i armatosur. Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëron gjithashtu edhe për një krizë likuiditeti, që do të dëmtonte shpenzimet dhe investimet. Institucioni, në dokumentin e publikuar, i paraqet projeksionet mbi bazën e dy skenareve, si në rast daljeje, ashtu edhe në rast qendrimi në Bashkimin Europian. Në rast se skenari më i keq do të vihet në jetë, atëherë ekonomia britanike do të tkurret me 0.8% vitin e ardhshëm, thekson Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Sipas këtyre projeksioneve, ekonomia do të zvogëlohej me 5.6% brenda vitit 2019, ndërkohë që papunësia do të rritej përtej normës së 6%. Të gjitha këto do të shoqëroheshin me një rënie të prodhimit e për rrjedhojë edhe me masa shtrënguese. Pak ditë më parë, kreu i Financave britanike, George Osborne, përmendi një buxhet emergjence në rast të daljes nga Unioni, që përkthehet në më shumë taksa dhe në më pak shpenzime publike.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here