Dje ishte një mbrëmje e paharrueshme, ku përpos lojës magjike, spikatën tifozet e bukura por edhe veshja e lojtarëve ku për supersticiozët merr ngjyrime të ndryshme.
Pyetja që parashtrohet tashmë është nëse ka qënë fat apo rastësi ngjyra e zezë e veshjes së lojtarëve tanë. Kombëtarja arriti një fitore historike ndaj Rumanisë, por për të gjithë supersticiozët ishte fanella e zezë ajo që i solli sërish fat lojtarëve të drejtuar nga De Biasi.
Shqipëria zbriti në fushën e “Stade de Lyon” me fanellën e tretë e cila dominohet nga ngjyra e theksuar e zezë.
Mendohet se është një zgjedhje supersticioze pasi Shqipëria pikërisht me këtë fanellë ka arritur fitoren ndaj Armenisë dhe kualifikimin historik për në Kampionatin Europian.
Si mysafir Shqipëria është dashur t’i veshë ose fanellat e bardha ose të zezat. Dhe si duket zgjidhja e tyre ka qenë e qëllimshme.
Duke qëndruar në të njëjtën linjë, mjaft e çuditshme është fakti se në të dyja këto ndeshje golin vendimtar e ka shënuar Armando Sadiku. Në Jerevan të Armenisë, Sadiku shënoi golin e tretë i cili siguroi kualifikimin e Shqipërisë në Europian.
Në ndeshjen e parë debutuese, atë ndaj Zvicrës, Shqipëria luajti me fanellën kuqezi, bluza e kuqe dhe tutat e zeza. Ndeshjen e dytë përballë Francës vendase, kombëtarja luajti me bluzën e dytë, atë të dominuar nga ngjyra e bardhë.