Dr. Ndriçim Mehmeti
Në rrjetet sociale, ka një garë se kush nga shkollat private do te nxjerr rezultatet e shkëlqyera të marra në gjuhën angleze. Kjo mund të jetë një gjë fare e natyrshme. Ka brenda krenari, promovim, reklamë, kënaqësi për punën e mësuesve, rezultateve të nxënësve dhe kështu me radhë. Por në tërë këto vite të Maturës Shtetërore, më ka rënë në sy një fakt, që unë e mendoj se duhet të kthehet në një debat më të shëndetshëm, sesa mburrja me notat e përvitshme, në gjuhën angleze, italiane, apo gjermane:
A është normale, që nxënësit të njohin më mirë gjuhën e huaj sesa atë kombëtare?
Kjo është një pyetje që duhet të na shqetësoj shumë, jashtëzakonisht shumë. Nuk bëhet fjalë për të treguar se kush është patriot ose jo. Të flasësh për gjuhën amtare, është një detyrë arsimore, përpara sesa ajo të jetë një çështje kombëtare apo një çështje për të cilën, gjithsecili, duhet të mburret se di më shumë se të tjetri. Mendoj se jemi në situatën, kur gjuha shqipe, pas procesit të saj të deformimit, po kalon me shpejtësi në procesin e shkatërrimit të saj. Ndërsa bëjmë thirrje që emigrantët shqiptarë, kudo qofshin në Amerikë, Evropë, Australi e gjetiu, mos të harrojnë gjuhën amtare, i kushtojmë shumë ka rëndësi përdorimit të saj brenda vendit. Ka fare pak interes për kultivimin e gjuhës, gjetjes së fjalëve të rralla, sesioneve shkencore për këtë qëllim. Aq më pak interes, shfaqet në përdorimin e saj prej nxënësve, që në kopsht, në klasën e parë, për ata që nuk kanë mundësi të ndjekin arsimin parashkollor e deri në universitet. Ka shumë pedagog, që ankohen se studentët e tyre, nuk e njohin gjuhën shqipe, e shkruajnë keq atë, nuk dinë kur duhet të vendosin shkronjën e madhe dhe ku të vogël. Kanë vështirësi në mënyrën sesi hartojnë fjalitë. Madje këto të meta, vërehen jo pak edhe tek programet e studimit për mësuesi. Nga vjen gjithë kjo mangësi? Padyshim që prej punës në arsimin parashkollor, e deri në klasat e para, e mandej në universitet. Shumë mësues të klasës së parë ankohen se fëmijët në arsimin parashkollor, mësojnë të shkruajnë me shkronja shtypi. Në kasë të parë ata e kanë të vështirë të mësojnë të shkruajnë pastër e bukur me shkronja dore. Ajo që dikur është quajtur bukurshkrimi, ka dalë nga qarkullimi në kohën moderne. Shto ngarkesën prej pesë lëndësh që në klasë të parë me tekste mësimore që duhen mësuar prej nxënësve ende pa njohur shkronjat, puna sa vete e vështirësohet. Gjuha shqipe merr pak kohë, në mësimdhënie për shkak të kohës së kufizuar që ka ora me mësimit, për mungesë të mjeteve didaktike dhe për arsye të rëndësisë pakët që i kushtohet kualifikimit të mësuesve në këtë fushë. Ka edhe mendime të prindërve, që shtojnë vështirësinë e punës së mësuesve, kur thonë: “Punë e madhe, të më mësojë fëmija gjuhën e huaj, pa shqipen do ta mësoj. Edhe po se mësoj gjuhën shqipe mirë, nuk është se i hyn shumë në punë”.
Por a hyn në të vërtetë gjuha shqipe “në punë”?
Nëse kërkon të fillosh një punë, të marrësh pjesë në një konkurs, në një projekt, në një konferencë, brenda vendit, kërkesa e parë që të kërkojnë është, “na dërgo një CV”. Askush nuk merr mundimin të të thotë “ju lutem më dërgoni jetëshkrimin tuaj”. Madje CV, duhet në modelin Europass, përndryshe nuk pranohet. Kur fliten në televizion, në mbledhje qeverie, parlament e në çdo tryezë të rëndësishme, gjysma e më shumë janë fjalë të huaja sesa shqipe. Udhëheqësit tanë të nderuar, për të treguar se vijnë nga një vend i vogël, por i zotërojnë mirë gjuhët e huaja, sa herë që ju jepte mundësia në takime zyrtare, brenda e jashtë vendit, flasin në gjuhën italiane, frëngjisht, italisht e si t’ju vijë më mbarë. Udhëheqësit e vendeve të tjera, brenda dhe jashtë vendit të tyre, flasin dhe përgjigjen në gjuhën amtare, ne jo. Nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh ndonjëherë, që në vendit tonë, të dënohesh, se e ke shkruar gabim në gjuhën amtare, tabelën e biznesit tënd. As nuk gjobitesh, po të bësh gabime e të përdorësh fjalë të huazuar në radion e TV shtetëror. Kështu që modeli i shtrembëruar i gjuhësh shqipe, është më i admirueshëm, sesa përdorimi i drejtë i saj. Në fund të fundit këtë gjuhë të shtrembëruar, e përdorin ministra, deputetë, udhëheqës partie, diplomatë, njerëz të shkencës, me pak fjalë ata që ne jemi mësuar t’i quajmë ajka e kombit. Jo vetëm kaq, por që të mbarosh një master, duhet të kesh dëshminë e gjuhës, së huaj, madje nga një kompani e njohur ndërkombëtare dhe e licencuar prej Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Nëse e ke shkruar në një gjuhë të pastër, të kuptueshme, me përdorimin e sa më shumë fjalëve të bukura shqip, temën e masterit, bachelorit, apo doktoraturës, kjo nuk ka shumë rëndësi. Ama, kartonin e gjuhës së huaj, duhet ta kesh në nivelin që kërkohet.
Ndokush mund të thitë se këtë shqetësim, e kanë shumë vende, madje edhe më të mëdha se ne, me më shumë mundësi ekonomike, me një arsimit të konsoliduar në shekuj., Mund të shkohet edhe më tej dhe të hidhet teza, e gjithë pranuar se është pasojë e globalizmit. Mbase të dyja këto arsyetime dhe shumë të tilla, mund të qëndrojnë. Nuk përjashtohet mundësia, që globalizmi, ideja që fëmijët tanë, të jetojnë një jetë më të mirë, larg vendit të tyre, na grish më shumë se ideja patriotike, që lind e mbaron në kohën kur zhvillohet një ndeshje e rëndësishme futbolli. Mundet që gjuha shqipe, të mos “ju hyjë shumë në punë”, atyre që e mendojnë në këtë mënyrë. Por ndërkaq shteti ka për detyrë të tregojë kujdesin maksimal për gjuhën amtare, që ajo të mos nëpërkëmbet. Përkundrazi gjuha shqipe duhet të pasurohet e madje të jetë një lëndë kyçe në sistemin arsimor, prej moshave foshnjore e deri në nivelet më të larta të studimit universitar. Keqardhja më e madhe qëndron pikërisht, se shteti e ka braktisur vetë përdorimin e pastër të gjuhës shqipe. Ja çfarë shkruhet në hyrjen e “Strategjisë kombëtare të zhvillimit dhe integrimit 2015-2020”: “Shqipëria – një demokraci në forcim, në rrugën drejt integrimit të saj në Bashkimin Evropian, me një ekonomi konkurruese, të stabilizuar dhe të qëndrueshme, që garanton të drejtat themelore dhe liritë e individit”. Stabilitet dhe qëndrueshmëri, ngjajnë si fjalia, “kjo risi e re”. Kryeministri deklaron kudo që shkon, se ka projekt të ri për qendrat e qyteteve, arsimimin, shëndetësinë, që ai i ka pagëzuar si “ projekte të gjeneratës tjetër!?
Nëse nuk kemi mundësi të kemi të kemi në kohë të afërt, universitete, si ai i Bolonjës, Sorbonës, Oxford etj., kemi mundësi shumë që të kemi një shkollë, ku edukimi frymës kombëtare, të filloj prej mësimit të gjuhës amtare, këndimit të himnit kombëtar në shkolla së paku ditën e hënë, masa të ashpra, për ata që e keqpërdorin në jetën e përditshme, në tabelat e biznesve, në listën e pijeve, gjellëve etj, që kanë në shitoret e tyre etj. Natyrisht që kjo punë nuk bëhet me aksion. Fillon me një plan kombëtar, afatgjatë, me bashkërendim të të gjithë aktorëve që marrin pjesë në edukim prej arsimit parashkollor e deri në universitete. Përpara se të mburremi me marrjen e librave nga Anglia dhe përkthimin e tyre, që është për të vënë duart në kokë, le të fillojmë të mendojmë më shumë për veten tonë.
Ndërkaq shkollat, cilado qofshin ato, private apo publike, kanë detyrimin, që të nxisin një mësimdhënie sa më efektive në gjuhën amtare. Kjo jo thjesht për të bërë detyrën si qytetar i mire i vendit tënd, por për të mundësuar në praktikë dhe jo me parulla boshe, një brez (gjeneratë) më të arsimuar, më të ditur, e natyrshme, shumë herë më të formuar me ndjenjën kombëtare.