Reforma në Drejtësi/ Topalli: Nuk e votoj kurrë nëse bëhet nga ndërkombëtarët

0
165

Ish-kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli deklaroi sot në Kuvend se nuk do të pranojë dhe nuk do të votojë kurrë që reforma në drejtësi dhe procese të tjera të rëndësishme kushtetuese të bëhen nga ndërkombëtarët.

 

Topalli theksoi se ndërkombëtarët duhet që të asistojnë dhe të japin ndihmën e tyre, por jo që ndryshime kushtetuese të bëhen prej tyre, por nga klasa politike shqiptare. Ish-kryeparlamentarja kritikoi edhe deputetë të mazhorancës, por pa përmendur emra, të cilët janë shprehur se do votojnë çdo propozim të ndërkombëtarëve edhe pa e lexuar fare fillimisht draftin.

 

Sipas deputetes demokrate, nëse ndodh që të tilla procese të rëndësishme të bëhen nga ndërkombëtarët, atëherë klasa politike shqiptarë ka “kapitulluar” dhe të gjithë duhet të largohen.

 

“KLGJ, KLP, GJK, kush e di se çfarë janë këto? Kjo është reforma. A duan shqiptarët këtë apo duan mos të ketë korrupsion. Kush i ka propozuar ato anëtarët e Gjykatës Kushtetuese? Me kë talleni? Kujtoni se shqiptarët nuk i dinë? A kemi ne një sistem meritokracie? Pse shitet cdo vend pune, pse shitet vendi në administratë? Sepse çdo gjë bëhet me të njohur, me para.

 

Problemi më i madh është se Shqipëria është bërë Lazarat në çdo cep, në çdo qoshe, ka vetëm drogë. Ku do e çojmë këtë vend? Të turpërojmë të gjithë shqiptarët, t’i vrasim ata me njëri-tjetrin? Po do ndërrohen qeveritë, do ndërrohen politikat fiskale. Droga është luftë, droga është mafie, prandaj nuk besoj te reforma në drejtësi. Sepse shtet ligjor me mafie që bën politikë nuk ka.

 

Unë mbështes atë që tha ish-Kryeministri Berisha, nuk do të votoj kurrë që në Kushtetutë të ketë një nen që të shkruhet se procese të ndryshme të bëhen nga ndërkombëtarë. Këtë proces nuk mund ta bëjnë ndërkombëtarët para shqiptarëve. Nëse e bëjnë ndërkombëtarët do të thotë që sistemi politik ka rënë. Nëse sistemi politik ka rënë, atëherë të ikim të gjithë në sekondë. Nuk bie kurrë dakord me ato kolegë që thonë ma kanë sjellë këtu dhe unë e votoj pa e parë. Bashkë me të huajt po, vetëm të huajt kurrë!”, u shpreh ish-kryetarja e Parlamentit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here