Zbardhet një vrasje në fshatin Gallatë të Kurbinit, krimi për një urë

0
153

 

Prokuroria e Kurbinit zbardh përfundimisht një vrasje të ndodhur më 2 prill të këtij viti në fshatin Gallatë, ku mbeti i vdekur shtetasi Mark Ndreca.
Ngjarja ka ndodhur për shkak të një ure në fshat. Sipas dosjes hetimore, autor i krimit është shtetasi Tom Lala, 69 vjeç, i cili qëlloi viktimën me armë zjarri gjahu.
Konfliktet e vazhdueshme për urën
Nga hetimet rezulton se dy ditë para krimit, viktima ka pasur një debat me bashkëshorten e autorit, dhe konflikti sipas hetimeve ka qenë i rëndomtë.
“Dy familjet, fqinje me njëra-tjetrën, kanë pasur debate të shpeshta lidhur me mbajtësen e urës që është në këtë fshat. Sipas familjes se autorit, ata e kanë sistemuar me të ardhurat e tyre urën dhe për këtë arsye e konsideronin si pronë të tyre. Ndërsa familja e viktimës pretendonte se ura është mirëmbajtur nga komuna Milot dhe për këtë arsye ajo nuk mund të përdorej si pronë private nga Tom Lala”, sqaron prokuroria.
Tallja me kallëzimin penal që çoi në vrasje
Familjet kanë pasur konflikte të vazhdueshme, ndërsa ditën e ngjarjes autori dhe viktima janë përballur në rrugët e fshatit. Më herët, familja Lala kishte bërë një kallëzim në polici për kanosje nga ana e familjes Ndreca dhe ky kallëzim bëri që të përshkallëzohet konflikti midis tyre. Sipas prokurorisë, viktima e ka ofenduar Tom Lalën për faktin se kishte bërë kallëzim dhe në debat e sipër, ky i fundit nxjerr armën dhe e vret, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Arma e gjahut me të cilën u qëllua viktima, autori i mbante me leje. Sipas autorit, ai ka qenë i detyruar të qëllojë, pasi ka parë se viktima është përkulur në makinë dhe ka marrë një objekt që i është dukur si pistoletë.
Telefonata për shefin e komisariatit dhe vetëdorëzimi
Menjëherë pas ngjarjes, autori ka telefonuar Shefin e Komisariatit të Policisë së Kurbinit, të cilin e ka njoftuar se ka vrarë shtetasin Mark Ndresa. Më pas autori është larguar, duke u fshehur për dy ditë. Pavarësisht kërkimeve policore, ai nuk u arrit të gjendej deri në datë 06.04.2016, kur sërish autori Tom Lala ka marrë në telefon shefin e komisariatit dhe është vetëdorëzuar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here