Ndërsa Shqipëria ka dalë me kokën lart nga Euro 2016, mes futbollistëve kuqezi ka një fitues të dukshëm të pjesëmarrjes në këtë Europian: Arlind Ajeti. Mbrojtësi është kthyer në objektivin e merkatos së shumë klubeve në Europë dhe tashmë ka luksin e zgjedhjes mes tyre.
Mbrojtësi që spikati në dy ndeshjet me Francën dhe Rumaninë, mendohej se do të shkonte te Peskara e Memushajt. Por sipas specialistit të merkatos, Xhianluka Di Marzio, mes skuadrave italiane që interesohen për të, në avantazh është Bolonja, e cila i ka bërë një ofertë më të mirë financiare.
Ndërkaq, lojtari 22-vjeçar ka oferta edhe nga Turqia, ku ka nisur një ankand i mirëfilltë mes Beshiktashit dhe Fenerbahçes për të siguruar firmën e tij. Por ai është i përqendruar më shumë te aspekti sportiv, i ndërgjegjshëm se me qëndrimin në Itali, do ta ketë të sigurt vendin në formacionin kuqezi për shumë vite në vazhdim.