Kroacia tashëm ka vetëm një synim, finalen e Kampionatit Evropian dhe për këtë duan të mposhtin çdo kundërshtar që iu del përpara.
Ballkanasit mbetën të pamposhtur në fazën e grupeve të cilën e mbyllën në vendin e parë pasi mposhtën kampionët në fuqi të Spanjës, dhe për më tepër janë nga krahu i lehtë i tabelës çka i bën një ndër skuadrat më të koutuara për të arritur në finale.
Në 1/8 do të përballen me Portugalinë e Ronaldos që u kualifikua vetëm në ndeshjen e fundit në sajë të atij barazimi 3-3 me Hungarinë që dënoi dhe Shqipërinë.
Nikola Kalinic që shënoi një gol fantastik ndaj Spanjës në një intervistë thotë se Kroacia është një nga më të më të fortat e këtij Evropiani.
“Portugalia ka lojtarë të shkëlqyer, por gjithçka varet nga ne, jemi një nga përfaqësueset më të forta, e ndoshta më e forta. Kemi besim, mund të ecim përpara”.
“Ronaldo? Është një ndër lojtarët më të mirë në botë dhe e tregoi në sfidën me Hungarinë. Portugalia varet në pjesën më të madhe nga ai, por janë një skuadër e paparashikueshme ndaj duhet të përballemi me ta duke dhënë më të mirën”.
Skuadra që kalon duelin Kroaci-Portugali do të ketë përballë në çerekfinalet e Evropianit me fituesen e çiftit Zvicër-Poloni. /Telegrafi.