Presidenti i Lacios, Klaudio Lotito, telefonon Etrit Berishën dhe i kërkon të qëndrojë, ndërsa portieri do siguri për aktivizimin. Mediat italiane kanë zbuluar dje bisedën e fundit mes drejtuesit të klubit bardhekaltër dhe portierit kuqezi. Pavarësisht ofertave që Lacio ka marrë për Berishën, nuk është e thënë që ai të largohet. Kontrata e tij skadon pas një viti, por afrimi i trajnerit Marcelo Bielsa do të ndryshojë strategjinë e klubit. Sipas “lalaziosiamonoi.it”, Berisha dhe presidenti Lotito u takuan edhe përpara nisjes së portierit në Europian.
Mendohet se numri 1 i klubit i ka ofruar garanci dhe i ka bërë me dije se beson tek aftësitë e tij, pasi Marketi mund të largohet me destinacion Juventusin.
Në këto kushte, portieri i lindur në Prishtinë projektohet titullar për sezonin e ri. Nëse ikën Marketi, Berisha do të luftojë për një vend me kroatin Vargiç për të fituar besimin e Bielsas, i cili ka dhënë bekimin në qëndrimin e shqiptarit.