Sistemi elektronik i lejeve të ndërtimit është i aksesueshëm përmes regjistrimit në portalin e-albania, që përmbledh dhe ofron të gjitha shërbimet publike elektronike, në një platformë të vetme online
Sejrie Baleta
Në fazën e procesit për aplikimin për leje ndërtimi, bashkëtitë në të gjithë vendin po trajnohen në lidhje me manualin e ri të procedurave për regjistrimin online të lejeve të ndërtimit. Pas 1 shtatorit, çdo aplikim për leje ndërtimi do të kryhet vetëm nëpërmjet sistemit online. Procesi, i cili është transparent, pasi aplikuesit nëpërmjet sistemit informohen në mënyrë periodike se në cilën fazë është aplikimi, rrit përgjegjësinë në nivel vendor dhe qendror, forcon koordinimin mes institucioneve dhe rrit edhe përgjegjshmërinë karshi qytetarëve. Aktualisht, Ministria e Zhvillimit Urban, në bashkëpunim me AKSHI-n dhe kompaninë zbatuese të projektit është duke punuar, në mënyrë intensive, për trajnimin e bashkive, projektuesve dhe investitorëve. Programi i trajnimeve me bashkitë ka hyrë në fazën e tretë të tij dhe parashikon asistencë të vazhdueshme për bashkitë, deri në fillimin e funksionimit në mënyrë të detyrueshme të tij, më datë 1 shtator. Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni ndoqi një prej seancave të trajnimit të stafeve të disa prej bashkive në vend. Ajo u ndal në mënyrë të veçantë në përgjegjësinë që pushteti vendor ka në mbarëvajtjen e një prej proceseve më të ndjeshme në fushën e ndërtimit në Shqipëri, siç është marrja e lejes. “Ne monitorojmë procesin e aplikimit të lejeve dhe unë marr çdo javë një raportim të plotë për çdo bashki. Vë re që pak aplikime janë bërë online. Skepticizmi, për një proces që deri dje është bërë me letra në dorë, mund të jetë një prej arsyeve. Por, unë dua të nënvizoj fort përgjegjësinë, që stafet e bashkive ku punoni, kanë për kthimin e përgjigjes në kohën e duhur apo për miratimin në heshtje të lejeve të ndërtimit. Ju lutem: Respektoni detyrimin ligjor, për të kthyer përgjigje për çdo aplikim në afatin e caktuar dhe për të qenë në kontakt me qytetarin apo investitorin. Duhet të keni parasysh që, prej korrikut të vitit të kaluar, çdo bashki jep pa asnjë pengesë leje ndërtimi. Dhe së dyti, procesi i dixhitalizimit duhet ta lehtësojë procedurën, në mënyrë që në çdo moment qytetarët apo investitorët të dinë statusin e aplikimit të tyre”,- tha Ministrja Gjermeni.
Regjistrimit në portalin e-albania
Sistemi elektronik i lejeve të ndërtimit është i aksesueshëm përmes regjistrimit në portalin e-albania, që përmbledh dhe ofron të gjitha shërbimet publike elektronike, në një platformë të vetme online. Deri më datë 1 shtator, aplikuesit kanë mundësinë të zgjedhin mes aplikimit në formë shkresore dhe aplikimit online, ndërsa prej datës 1 shtator, aplikimi online do të jetë e vetmja mënyrë për depozitimin e kërkesës për leje ndërtimi. Kjo peridhë tranzitore është lënë kryesisht për qytetarët, për t’u dhënë mundësi atyre që janë në zona të ndryshme të vendit dhe duan të aplikojnë për leje, që nuk kanë mundësinë e aplikimit online. Sa i takon investimeve strategjike, aplikimi do të bëhet pranë Agjencisë së Planifikimit të Territorit, një agjenci në varësi të MZHU,që është sekretariat teknik i Këshillit Kombëtar të Territorit. Afatet kohore,për shqyrtimin dhe përgjigjen për aplikimet për leje ndërtimi, do të jenë të monitorueshme, dukerritur përgjegjësinë e institucioneve qendrore dhe atyre vendore karshi qytetarëve. Bashkitë, brenda 10 ditësh,duhet të shqyrtojnë një aplikim për leje ndërtimi. Në momentin e marrjes së informacionit nga institucionet e tjera si: ZRP apo institucione të tjera që kanë dokumentacion, që lidhen me lejet e ndërtimit është lënë koha që të mund të koordinohen nga bashkia përgjegjëse. Pra, qytetarët nuk do të mund të sorollaten më për dokumentacion apo lista me dokumente, që kërkohen për një leje ndërtimi. Dokumentet që ndodhen në institucionet qendrore apo vendore do të merren nga vetë bashkia/sistemi, për të lehtësuar jetën e qyetarëve.