Pas një fillimi të vrullshëm të pjesës së dytë, Franca arriti të barazonte rezultatin me Griezman në minutën e 58 të ndeshjes. Pas një harkimi të Sanja nga krahu i djathtë, sulmuesi i Atletikos arriti të barazonte me një gjuajtje të saktë me kokë, duke rihapur ndeshjen. Vetëm tre minuta më vonë, sulmuesi u shfaq përsëri para portës irlandeze duke realizuar përmbysjen e rezultatit dhe duke kaluar në avantazh skuadrën e tij. Irlandezët kaluan në mënyrë të papritur në avantazh që në minutën e dytë të sfidës, falë një penalltie të shkaktuar nga Pogba ndaj Long. Bredi realizoi me saktësi nga pika e bardhë duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij. Më pas, irlandezët jo vetëm që u mbrojtën mirë, por edhe rrezikuan dy herë të tjera portën e Loris, duke qenë ata shumë më pranë një goli të dytë sesa Franca pranë barazimit.