Ambasadori Amerikan Donald Lu u shpreh se palët politike mund të arrijnë një marrëveshje pasi kanë zgjidhje kompromisi në dispozicion teksa bëri sërish apel për miratimin e reformës në drejtësi
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Lu, ditën e djeshme u kërkoi palëve politike dhe antarëve individual të Kuvendit,të miratojnë më 21 korrik reformën në drejtësi. Deklaratat e tij, erdhën përmes një editoriali “Një thirrje për brezin e ri të Shqipërisë” . “Nga ana tjetër, ndoshta udhëheqësit e partive politike të Shqipërisë kanë frikë nga kjo reformë dhe nuk janë të gatshëm të bëjnë asnjë marrëveshje. Në këtë rast, u bëj thirrje anëtarëve individualë të Kuvendit që të marrin përgjegjësinë për të votuar në favor të kësaj reforme. Votimi është planifikuar për datën 21 korrik. Është koha për të vendosur.Çdo udhëheqës politik partiak, çdo deputet i Kuvendit dhe çdo i ri e di se populli i Shqipërisë e mbështet në shumicën dërrmuese reformën në drejtësi. Cilët janë këta udhëheqës partish politike që i thonë popullit shqiptar se nuk mund ta ketë këtë reformë – u shpreh Lu. Ambasadori u ndal tek takimi i dështuar mes kryeministrit Rama dhe kryeopozitarit Basha duke theksuar se ekziton akoma mundësia e një marrëveshje dhe janë ofruar 3 zgjidhje për konsensus në tryezë. “Të dy palët duhet të mos ofendojnë më njëri-tjetrin dhe të mos përdorin më epitete fyese ndaj njëri-tjetrit. Duhet të ulen si të rritur dhe t’i zgjidhin çështjet përmes kompromisit.Është e vërtetë që Z. Rama dhe Z. Basha u përpoqën ta bënin këtë më 6 qershor. Ata dështuan në arritjen e një marrëveshjeje. Tre herë që prej 4 majit, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë ofruar propozime të arsyeshme kompromisi. Mazhoranca i ka pranuar këto propozime. Z. Basha ka gjetur gjithmonë diçka për të refuzuar.Mendoj se populli shqiptar është i lodhur që politikanët e tij bëjnë lojëra. Nëse opozita dhe qeveria duan të realizojnë një marrëveshje, ne u kemi ofruar tre zgjidhje kompromisi që janë tërësisht në përputhje me paragrafët 61 dhe 88 të Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias. Politikanët nuk është e thënë të marrin idetë dhe sugjerimet tona, por ata duhet ta gjejnë kompromisin. – nënvizoi ai.
Reagimi
Ambasadori Donald Lu i cili prej dy vitesh ka bërë rolin e negociatioreve mes palëve politike në Shqipëri me anë të editorialit I kërkoi brezit të ri shqiptar të njoftojnë udhëheqësit e tyre se e duan reformën drejtësi. Lu theksoi se vota e 21 korrikut do të përcaktojë të ardhmen e vendit. “Unë kam një kërkesë për brezin e ri të shqiptarëve. Ju bëj thirrje të gjithëve që t’u thoni udhëheqësve që ju keni votuar se e doni këtë reformë. Shkruajini një letër. Bëni postime në median sociale. Flisni me miqtë tuaj. Vota e 21 korrikut do të përcaktojë drejtimin e vendit. Bëjuni me dije udhëheqësve tuaj se doni të rriteni në një vend të lirë nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Thuajuni atyre se doni që Shqipëria të jetë një demokraci ku zërat tuaj do dëgjohen dhe ku ju do të trajtoheni në mënyrë të drejtë dhe me respekt,” – nënvizoi Ambasadori në editorialin “ Një thirrje për brezin e ri të Shqipërisë”.