Gazetari i njohur sportiv Gëzim Sinomati kohët e fundit edhe pse mjaftë aktiv në ekranet televizive me komentet e tij për futbollin dhe kampionatin Europian “Francë 2016”, befas ka zbuluar një problem të tijin me shëndetin.
Sinomati është duke u kuruar në repartin e Dermatologjisë në QSUT në Tiranë, pasi vuan nga një sëmundje e rrallë e lëkurës, e njohur si “Psoriasis”, e cila edhe pse mund të kurohet përsëri duhet trajtuar me mjaft seriozitet për pasojat që mund të sjellë në shëndetin e pacientit.
Por i kontaktuar nga “Mapo.al”, Sinomati ka thënë se aktualisht atij i është ndërprerë mjekimi që po merrte prej gati 2 muajsh në QSUT-ë. Shkak për këtë është bërë mungesa e medikamentit “Etanercet” i cili është dhe gjilpëra e cila u bëhet disa herë në muaj paciantëve që vuajnë nga kjo sëmundje. Sipas Sinomatit mësojmë se, kjo sëmundje nëse agravohet tek pacienti mund të prekë edhe indet kockore dhe të sjellë pasoja të parikuperueshme në kocka.
Ky lloj medikamenti përveç repartit të Dematologjisë e cila trajtonte me “Etanercet” 13-14 pacientë, përdoret edhe në repartin e Reumatologjisë, pasi këtë mjekim e marrin edhe personat që kanë artrite reumatizmale. Por kohët e fundit ky mjekim i cili është edhe i kushtueshëm (30 mijë lekë një flakon) ka munguar në QSUT. Pacientët e dermatologjisë janë shqetësuar tepër, pasi mungesa e këtij mediameknti për ta do të thotë automatikisht agravim i situatës së sëmundjes.
Ndërkohë që mësohet se në QSUT-ë mjekimi nuk po shkon më në repartin e Dermatologjisë, por vetëm te Reumatologjia, por edhe aty duket se mjekimi do të ndërpritet, pasi kostoja e medikamentit bën që ai të sigurohet nga pacientët nëpërmjet sistemit të rimbursimit. Nga burime të QSUT-së, mësohet se medikamnti “Etanercet” u bëhej pa pagesë të gjithë atyre pacientëve që ishin të prekur nga sëmundja e “Psoriasis-it” (Dermatologjia) dhe që kishin sigurim shëndetësor.
Ndërsa pacientët e pasiguruar duhet ta blinin atë privatisht. Por tani as të siguruarve ky ilaç nuk u vihet më në dispozicion më te reparti i “Dermatologjisë” dhe burime nga ky repart tanë për “Mapo” se, “nuk kanë asnjë informacion se kur mund të vijë një sasi e re e këtij medikamenti, apo se si do të jetë forma e dhënies së tij me apo pa rimbursim”.