Zoti Lu, pse duhet tja japim të gjitha pushtetet Kryeministrit?

1
173

Artur Zheji

Në thirrjen më të fundit të fisme dhe elegante të ambasadorit Lu, bie në sy, që ai, e ka ndarë tashmë me një vijë të qartë, se kush simbas tij është dhe kush nuk është për një Reformë në Drejtësi, të shëndetshme. Simbas Ambasadorit Lu, Kryetari i Opozitës Lulëzim Basha, nuk është njeri nga ata. Po cfarë ka bërë keq dhe të gabuar Lulëzim Basha? Në rradhë të parë, kujtoj se zoti Basha, është nga ata, që fyen më pak ose asapak, në fjalimet apo në qëndrimet e tija politike. Por le të themi se kjo ka vetëm një rëndësi të dorës së dytë, pamvarsisht se ambasadori ynë i dashur, në letrën e vet më të fundit, e rendit si një veti që duhet të ketë klasa jonë politike e “reformuar”. Por ajo cka ndan Opozitën nga Shumica nuk është as nevoja për një Reformë dhe as mungesa e vullnetit për ta votuar atë. Me sa më rezulton si gazetar, Cështja Kryesore është, se “Grupi i Punës” që do të bëjë Vetingun e famshëm, do të caktohet nga Qeveria, në një formë të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë. Vetingu, kjo lloj site apo ky lloj filtri që do të përcaktojë dhe do të seleksionojë “Kënetën e qelbësirave”, si e quajti Kryeministri Këshillin e Lartë të Drejtësisë, do të përjashtojë një numër të pakufizuar gjygjtarësh e prokurorësh, të të gjitha niveleve. Dhe fill më pas do të emërojë të tjerë, që sipas traditës shqiptarë, dinë të jenë mirënjohës ndaj emëruesve të tyre… Bukur mirë, mund të thonë disa, të shporren të korruptuarit. Por cilët pikërisht? Kjo u pa fare mirë në rastin e kryepolicit që u shkarkua nga Gjykata e Apelit e shkallës së parë dhe më pas, u “shfajesua” nga e njejta Gjykatë, por në shkallën e Dytë. Shkalla e Parë e kësaj Gjykate dhe gjykatësi që mori vendimin, duke gjykuar provat në ngarkim të kryepolicit, për Cështjen e Rëndë të përgjimeve politike, ishte pjesë e “kënetës” dhe “gjykatësi” nje vrasës me pagesë. Shkalla e Dytë, ajo e trembura pra, që uli kokën apo bishtin dhe u nënshtrua, nuk u përmend si pjesë e “Kënetës së ndyrësirave” të sistemit tonë të drejtësisë, sepse, kjo u soll “mirë” me qeverinë, risolli në detyrë kryepolicin dhe pra, shtoi pikët e veta në favor të Vetingut të nesërm. Zoti Lu nuk e komentoi këtë rast. Unë nuk e di pse! Dyshimet për Përgjime të paautorizuara, nga ana e policisë, janë apo nuk janë një “vepër e dënueshme” zot Ambasador? Apo po të përdorim pak ironi, i bie të themi se është, dora e gjatë e Lulëzim Bashës, që ka shkuar nga Opozita e deri te Drejtoria e Përgjithëshme e Policisë së Shtetit, për të kurdisur përgjimet?

Prirem të besoj që ashtu si edhe na thotë edhe ai vetë, zoti i Lu i do shqiptarët, por nuk besoj kurrë që është e shëndetshme që ne të dëgjojmë prej tij, se lideri i Opozitës, është një antireformist, ndërsa kryeministri është për pasojë, vetëm një “burrë i mirë”! Në 21 Korrik, nëse përmes një trysnije kaq të madhe, këshillash dhe ultimatumesh, do të votohet një Reformë në Drejtësi, që me sa duket, do ti japë të gjitha pushtetet Kryeminsitrit aktual, ky vend si zor se mund të bëhet më i jetueshëm zoti Ambasador. Dhe jo sepse kryeministër është Edi Rama. Por sidoqë të quhej ai kryeministër dhe kushdo të ishte, mbi pushteti do ta stimulonte për lajthitje të parrëfyera. Në këto 3 vite janë larguar mbi 200.000 shqiptarë, nuk themi për faj të Ramës, por edhe për faj të tij. Unë mendoj se ne, që e njohim Shqipërinë pak më mirë se ju zoti Lu, ndjesë për mungesën time të modestisë por e kam këtë pretendim për njohjen e Shqipërisë, edhe ne gazetarët pa pronarë, duhet të bëjmë valixhet e të largohemi. Shqiptarëve u duhet një kryeministër i “dobët” dhe një Parlament i fortë, një President me tagra më të larta dhe një skemë trepolare e shpërndarjes së fuqisë së pushteteve, përndryshe, një kryeministër i mbifuqizuar që kontrollon, qoftë edhe tërthorazi Drejstësinë, bëhet herët a vonë, shkak destabilizimi. Ju nuk e doni dhe nuk e keni dashur kurrë destabilizimin në Shqipëri, por shkuarja drejt një forme jo konsensuale, në miratimin e kësaj Reforme, krijon parakushtet institucionale, për një prishje të thellë ekuilibrash. Apo dikush ka vendosur që ti jepen të gjitha Pushtet Kryeministrit aktual? Unë nuk e besoj këtë dhe do të përpiqem që në vendin tim, të mos ndodhë një gjë e tillë! 360 grade.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here