Vdekja e elektricistit në Pukë, dënohet 7.6 vite burg autori

0
166

Gjykata e Pukës ka dënuar me 7 vite e 6 muaj burg autorin e vrasjes së elektricistit Bajram Hyseni, ngjarje e ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar. Por Petrit Mirashi, i cili u akuzua nga Prokuroria për plagosjen me pasojë vdekjen e elektricistit, për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë vetëm 5 vite burg. Vendimi ka irrituar familjarët, të cilët deklarojnë se do të kalojnë në ekstremitet. Bashkëshortja dhe xhaxhai i viktimës shprehen se janë të indinjuar nga gjykimi, teksa kërkojnë rishikimin e këtij vendimi i cili sipas tyre i hap rrugë vetëgjyqësisë nga ana e tyre. Bashkëshortja e të ndjerit u shpreh dje se vendimi i dhënë për vrasësin e Bajramit ishte qesharak. “Me dënime të tilla i bie të vrasë e të bëjë krim kushdo dhe të dënohet vetëm me 5 vite burg.

Çfarë do të thotë kjo për mua dhe dy djemtë e mi? Asgjë më shume se sa të marrim vetë masa për të çuar në vend dinjitetin e Bajramit”, thotë ajo. Ndërkohë, mes lotësh shprehet i irrituar dhe xhaxhai i elektricistit, Rexhep Hyseni, i cili shprehet se përmes këtij vendimi gjykata po i çon në vetëgjyqësi. “Jemi vërtet të shokuar nga ky vendim i Gjykatës së Pukës. Si është e mundur një gjë e tillë? Çfarë duhet të bëjmë ne tani, përveç që të hakmerremi. I kërkoj organeve të larta të shtetit të ndërhyjnë dhe të shikojnë këtë vendim. Unë jam i bindur se apeli do e hedhë poshtë vendimin e Gjykatës së Pukës, e cila shiti gjakun e të afërmit tonë”, shprehet xhaxhai i viktimës. Dënimet qesharake të gjykatave shqiptare janë bërë shpesh shkak për konflikte të mëtejshme deri në përdorimin e armëve. Sistemi gjyqësor sot është në ditën e tij më të zezë, teksa shohim të lirohen kriminelë, hajdutë, vrasës, matrapazë etj., ndërsa mbeten në burg hallexhinjtë, të cilët nuk kanë mundësi të paguajnë nën dorë gjyqtarët.

 

Vrasja e Bajram Hysenit 

 

Bajram Hyseni u qëllua me mjete të forta pasditen e 15 dhjetorit në fshatin Berishë të Njësisë Administrative Iballë në Bashkinë e Fushë Arrëzit. Ai po lexonte matësin elektrik kur është goditur barbarisht nga Petrit Marashi 44-vjeç. Policia sqaroi se faturisti u dhuna pasi 44-vjeçari dyshonte se i kishin faturuar më shumë kilovat orë energji elektrike se sa ai pretendonte se kishte harxhuar. Prandaj qytetari e ka goditur me mjete të forta, shtetasin Bajram Hyseni, duke i shkaktuar plagë të rënda. Autoritetet lokale të shëndetësisë kërkuan ndihmën e helikopterit të Ministrisë së Shëndetësisë për transportimin e tij drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Ish punonjësi i OSHEE, pas transportit me helikopter qëndroi nën përkujdesjen e mjekëve të Traumës deri në 21 janar të këtij viti, kur dhe iu dorëzua vdekjes. Bajram Hyseni prej vitesh ishte pjesë e Brigadave të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në zonën e Pukës. Në zonën e thellë ai ishte transferuar vetëm pak kohë para se të dhunohej barbarisht. Bajram Hyseni babai, i tre fëmijëve është vëllai i dytë nga familja Hyseni në Pukë që humb jetën në krye të detyrës. Gjatë vitit ‘98 vëllai i faturistit, Qazim Hyseni, punonjës policie u vra në një pritë të ngritur ndaj forcave të policisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here