Besimtarët myslimanë në të gjithë botën festojnë sot festën e Fitër Bajramit. Kjo festë përmbyll 30 ditë sakrificë, lutje dhe adhurim, që përkojnë me muajin e Ramazanit dhe që finalizohet me faljen e namazit të Bajramit.
Sot është dita ku të të gjithë besimtarët, urojnë njëri-tjetrin për më shumë begati, paqe, prosperitet e harmoni në familje.
Në orën 06:00, me mijëra besimtarë shqiptarë janë bashkuar faljes së madhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në ceremoninë e përvitshme të organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.
Ndër urimet e para, në këtë ditë të shënuar ka qenë ai i Skënder Bruçaj, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Në fjalën e tij, Burçaj uroi të gjithë besimtarët shqiptarë kudo që janë, Fitër Bajramin, ditën e shpërblimit, e harmonisë shpirtërore, solidaritetit, e vëllazërisë dhe të afrimit me njëri-tjetrin.
“Zoti e begatoftë Shqipërinë dhe të gjithë Shqiptarët”, e ka përmbyllur urimin e tij kreu u Komunitetit Mysliman.
Edhe redaksia e SYRI.net uron të gjithë besimtarët Gëzuar Festën e Bajramit dhe mbarësi në jetët dhe shtëpitë tuaja.
Urimi i Plotë i kreut të Komunitetit Mysliman, Skënder Bruçaj:
Bismil-lahi Rrahmani Rrahim!
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Të nderuar besimtarë mysliman shqiptar ku do që ndodheni, në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, ju përshëndes me paqen dhe sigurinë që vjen prej Krijuesit tonë Mëshirues dhe Mëshirëbërës dhe ju uroj gëzuar Fiter Bajramin, ditën e shpërblimit, e harmonisë shpirtërore, solidaritetit, e vëllazërisë dhe të afrimit me njëri-tjetrin.
Ne po e përcjellim me përmallim Muajin e Bekuar të Ramazanit, me shpresën e madhe, që Zoti të na ketë falur mëkatet tona dhe të ketë pranuar lutjet, adhurimet dhe sakrificën tonë.
Ramazani na mësoi se mirësitë dhe begatitë që na ka dhënë i plotfuqishmi, marrin kuptim, vetëm atëherë kur ndahen me të tjerët me synim fitimin e kënaqësisë së Zotit.
Ky muaj i madhërueshëm na mësoi se sofra e iftarit është sofra e harmonisë dhe e vëllazërisë, mes besimtarëve, mes vëllezërve dhe miqve, mes të pasurve dhe të varfërve. Të gjithë jemi të barabartë para Krijuesit, dallimi është vetëm në devotshmëri, në përkushtim, në bujari dhe te sinqeriteti në adhurim, lutje dhe vepër të mirë që bëjmë.
Lutjet, adhurimet, sakrifica, dhe ripërtëritja shpirtërore që përjetuam gjatë muajit të bekuar të Ramazanit na forcon dhe motivon ta shohim festen e Fitër Bajramit si ditën e shpresave të reja, si ditën e të kujtuarit dhe solidaritetit me njëri-tjetrin, si ditën e ripërtëritjes së vëllazërisë, miqësisë dhe dashurisë për njeriun dhe njerëzoren.
Më lejoni sëfundmi në këto çaste të gëzuara të festës së Fitër Bajramit, këtij momenti të gëzimit dhe të lehtësimit shpirtëror, t’ju përcjell mesazhet e mia më të sinqerta për një jetë sa më të lumtur, për shëndet dhe mirësi, për sukses në çdo moment të jetës suaj.
Zoti e begatoftë çdo ditë tuajën.
Zoti e begatoftë Shqipërinë dhe të gjithë Shqiptarët.
Amin