Presidenti Nishani uron myslimanët: Kjo festë na mbush me shpresë dhe respekt ndaj njëri-tjetrit, gëzuar

0
155

Presidenti i Republikës Bujar Nishani u  ka dërguar një mesazh urimi të gjithë besimtarëve myslimanë për Festën e shenjtë të Fiter Bajramit. Nishani shkruan:

“Fort të dashur besimtarë myslimanë,

Ju uroj nga thellësia e zemrës: Gëzuar Fiter Bajramin!

Kjo ditë e shenjtë na shërben të gjithëve për të larguar nga vetja urrejtjen, ndasitë dhe përçarjet e panevojshme duke na afruar edhe më tepër me njëri-tjetrin, duke na shtuar dashurinë për bashkatdhetarët si dhe duke na ripërtërirë virtytet, besimin dhe paqtimin.

Pas ditëve fort të mundimshme të agjërimit, por njëkohësisht të sprovës e të konsolidimit të besimit që keni kaluar gjatë Ramazanit, Festa e madhërishme e Fiter Bajramit kurorëzon përpjekjet e frytshme të atyre që besojnë në mësimet e shenjta dhe fuqinë e Krijuesit, të atyre që pasi kanë përshkuar udhëtimin shpirtëror njëmujor, ia kanë dalë mbanë të jenë bërë më të virtytshëm, më të mëshirshëm dhe më zemërgjerë.

Kjo Festë e madhe na mbush të gjithëve me pak më shumë shpresë, me shumë më tepër vullnet për të dhënë e për t’iu gjendur më afër të sëmurëve, fatkeqëve, të vobektëve si dhe atyre të cilët jeta nuk i ka trajtuar edhe me aq mëshirë apo begati.

Prandaj në këtë ditë të madhërishme, sidomos pas gjithë asaj sakrifice, ju dëshiroj shëndet, begati, ndriçim të shpirtit dhe kthjellim të mendjes, zemërgjerësi dhe sa më tepër respekt për më të pafatët e për ata që janë ndryshe.

Nga zemra ju uroj të gjithëve: besimtarë myslimanë dhe jomyslimanët, të cilët në respekt të tjetrit dhe për të mirën e vetes, mbajnë Ramazanin dhe respektojnë Bajramin.

Gëzuar dhe për shumë vjet Fiter Bajramin!”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here