Rama: Reagimi i institucioneve ishte zero, Noka: Të dhënat të çojnë tek Rama e Tahiri
Deputeti i LSI -së,Luan Rama deklaroi se një ngjarje si ajo e Rinasit nuk ka ndodhur as në 1997, ndërsa theksoi se po të kishte qenë ministër do ishte shkarkuar. Nga ana tjetër demokrati Flamur Noka, ngriti dyshime për bashkëpunimin e qeverisë me grabitësit.
Ambrozia Meta
Në tryezën e djeshme të Komisionit të Sigurisë, grabitja e afro një milion eurove në pistën e Aeroporit të Rinasit dominoi mbledhjen. Dy projektligjet e caktuara në rendin e ditës, ai për Kontrollin Kufitar dhe marrëveshja me SHBA – në për shkëmbimin e informacionit për terrozmin, u zbehën nga debatet për ngjarjen që cënoi sigurinë Kombëtare. I pari që mori fjalën ishte deputeti i LSI- së, Luan Rama i cili kërkoi shpjegime nga institucione për masat shtesë të ndërmarra të cilat rezultuan të padobishme.” Një grup i armatosur hyn brenda zonës së sigurisë së lartë në aeroportin e Rinasit. Prezumohet se ata mund të bënin, çfarë do aty dhe reagimi ka qenë zero. Një ngjarje e tillë nuk ka ndodhur në Shqipëri as në 1997. Prandaj zoti Kryetar, unë kam kërkuar një mbledhje të posaçme të komisionit për të analizuar ngjarjen. Të na informojnë organet e minitrisë së brendshme cilat kanë qenë masat shtesë që janë marrë, një ditë para ngjarje dhe pse këto masa shtesë favorizuan këtë grup të armatosur. Eshtë shkelur rëndë siguria kombëtare, dhe është shkelur vija e kufirit. Thënë më shkurt grupi i armatosur ka pushtuar pistën e Aeroportin të Rinasit. Ne kemi detyre të kërkojmë shpjegime dhe të mbajmë qëndrim,” – deklaroi ai. Duke replikuar me deputetin socialist Pjerin Ndreu, Rama shprehu bindjen se po të kishte qenë ministër i Brendshëm do të ishte shkarkuar pas një ngjarjeje të tillë. “Nuk kemi pse të bëjmë avokatin e një gjëje që nuk e bëjmë dot.Po të kishte ndodhur në kohën që ishte ti drejtor i policë se Tiranës do ishe shkarkuar, edhe unë nuk do isha më ministër,” – theksoi deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Qëndrimi
Ndërkohë nënkryetari i komisonit të Sigurisë Flamur Noka, bëri me dije se grabitësit kanë hyrë në Aeroport, nga pika e tij e dobët, duke hedhur dyshime mbi një bashkëpunim të qeverisë me personat që vodhën afro 1 milion euro. Deputeti demokrat bëri publike foton në të cilën duket shefi i Rendit të Aeroportit i cili, flinte gjumë në makinë, gjatë momentit të vjedhjes. “Çështja e terrorizmit është cështje mjaft delikate dhe prisja që këtu të vinte ministri por ka ca kohë që nuk vjen, nuk duket.Fakti që nuk kanë dalë në dritë që nga dita që ka ndodhur vjedhja me armë nga banda, të gjitha të çojnë tek ministri dhe kryeministri. Grabitësit kanë pasur të gjitha komoditet dhe informacionet që të shkojnë tek pika e dobët e Rinasit, mund të ma shpjegojë njeri se pse pikërisht grabitësit hynë në atë portë që ishte pika e dobët e aeroportit.Ndërkohë që shefi ishte në gjumë. Dhe unë disponoj këtu fotografinë me orë dhe me moment kur shefi i rendi ka qenë në gjumë 10 metra larg vendit të ngjares, në makinë. Pasi ju propaganduat me të madhe masat shtesë të sigurisë, Ku ishin masat shtesë?” – u shpreh demokrati Noka. Megjithëse më herët, deputeti demokrat, Asllan Dogjani kërkoi shtyrjen e mbledhjes deri në paraqitjen e Ministrit Tahiri në Komision për Raportim, kërkesa e tij u hodh poshtë me votat e mazhorancës. Në mbledhjen e djeshme u miratua marrëveshja me SHBA – në për shkëmbimin e informacionit për terrorizmin që parashikon dy pika kontakti, Drejtorinë Antiterror në Policinë e Shtetit dhe Qendrën e Verifikimit të Terroristëve nëAmerikë. Të dyja pikat e kontaktit do të shkëmbejnë në kohë sa më të shpejtë informacione lidhur me persona të dyshuar, të përfshirë në aktivitete terroriste.
Noka zbulon pamjet: Polici po flinte gjumë gjatë grabitjes
Deputeti demokrat Flamur Noka zbardhi dje në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë disa pamje që tregonin se në kohën kur grabitësit hyn në pistën Rinasit, polici ishte në gjumë. “A mund të ma shpjegojë njeri se pse pikërisht grabitësit hynë në atë portë që ishte pika e dobët e aeroportit. Ndërkohë që shefi ishte në gjumë. Dhe unë disponoj këtu fotografinë me orë dhe me moment kur shefi i rendi ka qenë në gjumë 10 metra larg vendit të ngjares, në makinë. Pasi ju propaganduat me të madhe masat shtesë të sigurisë, Ku ishin masat shtesë?”, tha Noka.
Debati në Komision
Luan Rama: Një grup i armatosur hyn brenda zonës së sigurisë së lartë në aeroportin e Rinasit. Prezumohet se ata mund të bënin, çfarë do aty dhe reagimi ka qenë zero. Është zero dhe sot që flasim. Në kulmin e masave të sigurisë, pasi kishte ndodhur një ngjarje terroriste në Stamboll, pasi ministria e Brendshme deklaroi se ishin marrë masa shtesë për sigurinë, pikërish në këtë moment ky grup i armatosur, bën një sfidë ndaj të gjitha organeve të sigurisë. Një ngjarje e tillë nuk ka ndodhur në Shqipëri as në 1997. Prandaj zoti kryetar unë kam kërkuar një mbledhje të posaçme të komisionit për të analizuar ngjarjen. Të na informojnë organet e minitrisë së brendshme cilat kanë qenë masat shtesë që janë marrë, një ditë para ngjarje dhe pse këto masa shtesë favorizuan këtë grup të armatosur. Nuk ka asnjë qëndrim zyrtar të organeve zyrtare përveç deklaratës së drejtorit të policisë së Tiranës. Eshtë shkelur rëndë siguria kombëtare, dhe është shkelur vija e kufirit. Thënë më shkurt grupi i armatosur ka pushtuar pistën e Aeroportin të Rinasit. Ne kemi detyre të kërkojmë shpjegime dhe të mbajmë qëndrim.
Paulin Stërkaj: I ke parë ti që ky grup ka qenë i armatosur? Ku e dimë ne si kanë funksionuar gjërat,kur flasim për armë duhet ti shikojmë armët.
Luan Rama: Unë i jam referuar njoftimit zyrtar që bëri drejtori i policisë së Tiranës. Le të jetë çështja në prokurori, unë po flas për kontroll parlametar ndaj institucioneve të sigurisë sepse, u fol një ditë para për masat shtesë së sigurisë. Dhe një ditë pas këtyre masave shtesë ndodhi ngjarja. E rëndësishme është që një grup, hyn në pistën e aeroportit të Rinasit. Unë po them të kërkojmë informacion.Të pyesim cfarë masash janë marrë shtesë, cili ka qenë reagimi i institucioneve pas ngjarjes.
Asllan Dogjani: Une mendoj që Komisioni i Sigurisë nuk mund të shqyrtoj mbledhje normale, nisur nga situate e krijuar ku është cënuar rëndë siguria kombëtare. Në këtë situatë duhe të ishte minsitri i brendshëm këtu për të diskutuar dhe raportuar në lidhje me situatën e krijuar. Duhet të bëjmë një mbledhje të posaçme që ti kërkojmë ministrit të raportojë.
Flamur Noka: Ccështja e terrorizmit është cështje mjaft delikate dhe prisja që këtu të vinte ministri por ka ca kohë që nuk vjen, nuk duket.Fakti që nuk kanë dalë në dritë që nga dita që ka ndodhur vjedhja me armë nga banda, të gjitha të çojnë tek ministri dhe kryeministri. Ju sillni këto letra që quani ligje por praktikisht nuk po shohim që këto ligje të zbatohen. Po ju them që faktet tregojnë që nga shefi i komisariatit e deri tek gjithë hierarkia e Rinasit ishin të përfshirë. Grabitësit kanë pasur të gjitha komoditet dhe informacionet që të shkojnë tek pika e dobët e Rinasit. Këto kohë jemi duke parë dy mashtuesë në garë, kush gënjen më shumë. Nga njëra anë kemi Erion Veliaj, që ikën në Rusi dhe nxjerr aktivitet sikur është në Shqipëri, nga ana tjetër Saje Qorri lidhet me krimin dhe thotë jemi të sigurtë se kemi marrë masa shtesë. Jepeni me koncesion territorin e Shqipërisë ta ruajë dikursh tjetër se ju nuk e bëni dot.
Pjerin Ndreu: A dini ju ndonjë lidhje kush ka qenë në grabitje? Nëse keni shkoni denonconi, mos akuzoni policinë. Duke akuzuar policinë indirekt po ndihmoni grabitësit. Po shoh që shume individë dinë shumë ne këtë komision. Shkoni denonconi.
Luan Rama: Unë nuk bëra asnjë akuzë, unë thjeshtë kërkova që komisioni të ushtrojë përgjegjësinë e vetë , çfarë masash janë marrë. Nuk akuzova ndokënd. Nuk kemi pse të bëjmë avokatin e një gjëje që nuk e bëjmë dot. Po të kishte ndodhur në kohën që ishte ti drejtor i policë se Tiranës do ishe shkarkuar, edhe unë nuk do isha më ministër.
Reagimi për super grabitjen
TIA: Policia u njoftua kur makina ishte në vendngjarje, policët ishin vetëm pak metra larg
“ Sa i takon ruajtjes së rendit jashtë gardhit të aeroportit nga ku ka hyrë makina, kjo është përgjegjësi e plotë dhe e vetme e policisë së shtetit”
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës reagoi dje lidhur me grabitjen spektakolare të një shume të konsiderueshme parash pak ditë më parë duke dhënë të gjitha detajet e ngjarjes. Drejtorja për marrëdhëniet me publikun Arlinda Çausholli, përkundrejt akuzave të policisë, deklaroi se forcat e rendit u njoftuan në kohë dhe blutë ishin në pistë në momentin që ndodhi grabitja. “TIA ka zbatuar me përpikmëri njoftimin në kohë të policisë. Njoftimi i TIA për policinë është bërë në kohën kur makina bashkë me autorët e krimit ishte ende në vendngjarje. Autoriteteve të hetimit i janë dorëzuar të gjitha dokumentet që provojnë se ky njoftim është kryer nga menaxheri i operimit në detyrë i TIA-s, kundrejt sallës operative të policisë në Rinas. Punonjësit e policisë kanë qenë prezentë në pistë vetëm pak metra nga ku ndodhi grabitja. Kete e vlerësojmë si saktësi të domosdoshme informacioni”, tha ajo.
Deklarata
Në qëndrimin e parë publik për ngjarjen TIA e ka konsideruar të pasaktë raportin e policisë për grabitjen. Sipas TIA vendi ku hynë autorët e grabitjes survejohet nga policia e shtetit që është e vetmja forcë e armatosur. “Kompania ICTS është përgjegjëse vetëm për shërbimin e sigurisë aeroportuale, shërbim që nuk e zëvendëson dhe as e zvogëlon detyrën dhe përgjegjësinë e policisë së shtetit. ICTS nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyjë fizikisht, ICTS vepron e paarmatosur, e vetmja force e armatosur është policia e shtetit. Për sa i takon ruajtjes së rendit jashtë gardhit të aeroportit nga ku ka hyrë makina, kjo është përgjegjësi e plotë dhe e vetme e policisë së shtetit. Sipas ligjit policia e shtetit duhet të sigurojë patrulla në të gjitha zonat e aeroportit duke parandaluar çdo aktivitet të paligjshëm. TIA është në dispozicion të autoriteteve që po hetojnë ngjarjen e gatshme për të zbardhur ngjarjen dhe zbulimin e fajtorëve. TIA ka vënë ne dispozicion të gjitha kamerat e sigurisë që hedhin dritë për ngjarjen. Në respekt të hetimeve dhe imazhit të Shqipërisë dhe personave që janë nën hetim, bëjmë thirrje për trajtimin e kujdesshëm të informacioneve”, u shpreh Çausholli. Përfaqësuesja e aeroportit ndërkombëtar të Tiranës theksoi gjithashtu se siguria kombëtare është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë autoriteteve që kanë detyrën e sigurisë në aeroport dhe që janë prezente në zonën e aeroportit. Duke u ndalur tek raportet e bëra publike nga Autoriteti i Aviacionit Civil, mbi shkeljet e konstatuara, Çusholli shton se ato kanë pasur përgjigjet konkrete, por nga ana tjetër ajo ka kërkuar konfidencialitet. “Dokumentet e bëra publike kanë pasur përgjigjie përkatëse, u janë dhënë organeve kompetente që po hetojnë. TIA kërkon etikë konfidencialiteti të respektohej nga të gjitha institucioneve.” shtoi ajo. Çausholli ka theksuar se TIA flet pikërisht tani, pasi po cenohet kompania që është në shërbim të të gjithëve, ndërkohë që shton se grabitja e ndodhur më 30 qershor është një ngjarje e rëndë. Sakaq, TIA siguron pasagjerët dhe partnerët për masat e sigurisë që janë në nivele të kërkuara. “Po flasim tani, duke vënë re se po cënohet kompania që është në shërbim të të gjithëve. TIA shpreh keqardhje që ka tronditur të gjithë. Fjalët janë të pakta dhe shqetësimi është shumë i madh. TIA siguron pasagjerët dhe partnerët se masat e sigurisë janë në nivelet e kërkuara”, theksoi Çausholli.
Presidenca: Ngjarje e rëndë në një objekt të rëndësisë së veçantë
Presidenca reagoi dje mbi grabitjen e ndodhur në aeroportin e Rinasit më 30 qershor, duke theksuar se ngjarja është e rëndë dhe ndodh në një objekt të rëndësisë së veçantë. Në deklaratën për media thuhet se kreu I shtetit dënon ashpër ngjarjen qe tregon qartë se sa rrezikshmëri dhe kufizim të ushtrimit të pushtetit ka krijuar heqja e një sërë kompetencash kushtetuese të Presidentit të Republikës si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura në situatat e kërcënimeve të sigurisë kombëtare. “ Kreu i Shtetit dënon me ashpërsi këtë ngjarje tejet të rëndë të ndodhur në një objekt të rëndësisë së veçantë, në një kohë kur është shpallur zyrtarisht rritja e nivelit të rrezikshmërisë dhe shtimi i masave të sigurisë në vijim të sulmeve terroriste në Aeroportin ndërkombëtar të Stambollit dhe në vende të tjera. Në këtë situatë, duke bashkëndarë shqetësimin serioz me të gjitha organet kushtetuese, Presidenti i Republikës gjykon se përballimi i ngjarjeve të tilla kërkon ushtrimin e kompetencave nga gjithsecili, përfshirë këtu edhe Kuvendin e Shqipërisë, i cili ka të gjithë instrumentet dhe mekanizmat e duhur në dispozicion të tij për kontrollin, hetimin dhe vlerësimin mbi të gjitha institucionet që përgjigjen përpara Parlamentit”, theksohej në njoftim. Më tej Presidenca nënvizon se,: “Ky rast tregoi se sa rrezikshmëri dhe kufizim të ushtrimit të pushtetit ka krijuar heqja e një sërë kompetencash kushtetuese të Presidentit të Republikës si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura në situatat e kërcënimeve të sigurisë kombëtare”. Në fund të deklartës Institucioni i Presidentit të Republikës tha se do të kërkojë nga të gjitha agjencitë ligj-zbatuese: “Zbulimin e plotë të kësaj ngjarjeje; Vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të saj dhe të personave që gjatë kohës së ushtrimit të detyrës lejuan apo dështuan të reagojnë sipas ligjit; Rritjen efektivisht të masave të sigurisë në standardin që i takon një vendi anëtar të NATO-s”.
Autoriteti i Aviacionit Civil : Ngjarja e rëndë, por nuk duhen deklarime të nxituara
Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC), e konsideroi dje shumë të rëndë ngjarjen që ndodhi pak ditë më parë në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” (TIA), por sipas këtij institucioni, serioziteti i kësaj ngjarje nuk duhet të lejojë askënd të bëjë deklarime të nxituara dhe të papërgjegjshme. “Në datë 20 Prill 2016, AAC në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka kryer një testim të fshehtë të sigurisë në aeroport, në ushtrim të funksioneve të tij rregullatore/mbikqyrëse dhe jo operacionale. Në raportin e dërguar në dt. 13/05/2016 janë evidentuar dështimet në zbatimin e 3 masave të sigurisë nga Operatori TIA. Në të njëjtin raport, AAC ka rekomanduar veprimet detyruese për korrigjimin e gjetjeve. Në dt. 07/06/2016, Operatori TIA dërgoi Planin e Veprimeve Korrigjuese për mangësitë e identifikuara nga raporti i datës 20 Prill. Pas shqyrtimit të masave të propozuara, AAC më dt. 08/06/2016 kërkoi rivlerësimin e masave të propozuara, dhe është në pritje të Planit të rishikuar nga ana e TIAs. AAC do të presë rezultatin e hetimit nga organet kompetente, rezultati i të cilit, bashkë me rekomandimet e AAC do t’i dorëzohet edhe Organit Shtetëror të Autorizuar, përkatësisht MTI dhe MZHETTS, për ta vlerësuar atë kundrejt edhe detyrimeve të kontratës konçesionare, për pjesën që lidhet me zbatimin e masave të sigurisë së Aviacionit Civil të parashikuar në këtë kontratë. AAC po ndjek dinamikën e kësaj ngjarjeje dhe theksojmë se është detyrim ligjor për të respektuar konfidencialitetin sipas ligjit”, thuhet në njoftim. Po ashtu AAC nënvizon se,: “në përmbushje të detyrimeve ligjore AAC do të vazhdojë aktivitetin mbikqyrës ndaj operatorit të Aeroportit, për mbrojtjen e aviacionit civil nga aktet e ndërhyrjes së paligjshme dhe për të garantuar standardin më të lartë të sigurisë në këtë aeroport”.
PS në mbrojtje të ministrit
Ruçi-deputetëve: Merrni masa, opozita do na mbysë me akuza. Debatet në grup mes socialistëve
Ndreu e Lutaj e gjejnë “fajin” e rëndimit të situatës te Rama i LSI. Stërkaj hap skenarë të rinj për grabitjen
Gëzim Saliu
Mbledhja e përjavshme e grupit parlamentar socialist u përqendrua dje tek super grabitja e ndodhur pak ditë më parë në pistën e Rinasit. Në mungesë të kryeministrit Rama, mbledhja u drejtua nga kreu i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi, i cili vuri theksin tek rëndësia e njohjes së situatës. Ruçi ka theksuar se grabitja e rreth 1 milion eurove në Rinas do të bëhet objekt i sulmeve të deputetëve të Partisë Demokratike. Në këtë kontekst ai u ka tërhequr vëmendjen deputetëve socialistë që të informohen për sigurinë, kontratën koncensionare të aeroportit dhe përgjegjësitë për ngjarjen. “Grabitja në aeroportin e Rinasit mendoj se do të bëhet promotor për sulmin që deputetët e Partisë demokratike mund të bëjnë ndaj nesh apo qeverisë. Ata do bëjnë gjithçka për të sulmuar ministrin dhe qeverinë për këtë ngjarje. Në duhet të jemi të përgatitur, ku nuk duhet të lëmë që në këtë ngjarje të na mungoi përgjegjshmëria dhe njohuritë. Duhet të jeni më të kujdesshëm në qëndrimet që mbani, pasi deklaratat mund të keqpërdoren. Ju duhet që të informoheni për gjithçka, duke përfshirë këtu kontratën e koncensionarit, sigurinë dhe përgjegjësitë” mësohet se është shprehur Ruçi, i cili nuk e ka mirëpritur debatin e zhvilluar dje në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë lidhur me ngjarjen.
Debatet
Ndërkaq grupi i PS është mobilizuar në mbrojtje të ministrit dhe qeverisë lidhur me ngjarjen. Vetë Tahiri mësohet se ka bërë të ditur në mbledhje se përgjegjësia kryesore e grabitjes mbetet tek TIA e ndërkohë ka propozuar si zgjidhje ose një marrëveshje të re mes këtij autoriteti dhe policisë ose rishikimin me themel të kontratës koncensionare. Ndërkohë deputetët socialistë të Komisionit të Sigurisë, të cilët paradite kishin diskutuar fort në mbledhjen në Kuvend me kolegët, theksuan në grup se ngjarja ishte e rëndë. Por ajo që u vu re në mbledhje ishte se askush prej deputetëve nuk shprehu asnjë formë kritike ndaj veprimtarisë së cunguar të forcave të rendit, ndryshe nga ngjarje të tjera ku brenda radhëve të PS-së nuk ka munguar “ngritja e zërit”. Përkundrazi u has një frymë kritike ndaj deputetit të LSI-së Luan Rama, pasi sipas deputetëve socialistë, ai e teproi me qëndrimet për ngjarjen. Deputeti socialist Pirro Lutaj tha para grupit se në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë në Kuvend deklaratat në Komision kanë qenë korrekt, krahas asaj të të Ramës dhe si gjithnjë të opozitës. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Pjerin Ndreu i cili mësohet se shkoi deri aty sa deklaroi se ,: “më i moderuar ka qenë në deklarata e tij Flamur Noka i PD-së sesa deputeti i LSI-së Luan Rama”. Ky i fundit në Komisionin e Sigurisë pohoi se reagimi i institucioneve lidhur me grabitjen ka qenë zero, duke pohuar se ngjarja ishte shumë e rëndë pasi u shkel siguria kombëtare. Ndërkaq në mbledhjen e grupit, deputeti tjetër socialist Paulin Sterkaj mësohet se ka deklaruar se grabitja në pistën e Rinasit mund të ishte edhe një skenar i individëve të caktuar që kanë lidhje me bankat.
Ministri i Brendshëm
Tahiri pranon pjesshëm përgjegjësinë e policisë: Pesha kryesore e fajit bie mbi kompaninë koncensionare
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në deklaratën e tij të parë për ngjarjen e grabitjes në Rinas pranoi se pjesë e përgjegjësisë është dhe policia. Por përtej kësaj, ai tha se përgjegjësia kryesore bie mbi kompaninë konçensionare për të cilën propozoi heqjen e kontratës. “Sigurisht është ngjarje shumë e rëndë, sepse cenon realisht jo vetëm rendin publik, por dhe sigurinë kombëtare. Ka që nga viti 2004 një kontratë koncesionare e cila ndalon Policinë të kujdeset për sigurinë në Aeroportin e Rinasit. Policia kujdeset vetëm për sigurinë e udhëtarëve në terminal. Shqipëria, si çdo vend i botës, ia ka besuar me një kontratë koncesionare sigurinë dhe menaxhimin e të gjithë aeroportit një kompania private që në vitin 2005. Në këto kushte kompania duhet të plotësojë detyrimet. Nuk po shmang përgjegjësinë e Policisë së Shtetit. Sepse besoj që Policia e Shtetit duhet të bëjë më shumë. Unë besoj se kontrata koncesionare duhet minimumi riparë. Sepse në këtë mënyrë nuk mund të ecet përpara me lojë të paprinciptë në publik, me kukafshehti, kush e ka fajin, e kështu me radhë”, tha ai. Më tej ministri i Brendshëm pohoi se testet e njëpasnjëshme kanë treguar dobësi themelore të sigurisë për shkak të përgjegjësisë direkte të koncesionarit dhe kompanisë që paguhet sipas tij për të ruajtur sigurinë në Aeroportin e Rinasit. “Ose të kontraktohet Policia e Shtetit për ta bërë atë detyrë, ose të shihet në themel kontrata koncesionare. Unë besoj se ka shumë për të bërë. Ashtu siç besoj se dhe vetë Policia e Shtetit ka shumë për të bërë në këtë rast për zbardhjen e ngjarjes dhe arrestimin e ngjarjes. Dhe kam shumë besim se nuk do jetë e largët dita kur autorët do arrestohen dhe do mbajnë përgjegjësi një-më-një përpara ligjit. Po ashtu Tahiri nuk nguroi të hidhte një hipotezë duke theksuar se,: “Në një bankë të nivelit të dytë të hysh dhe dera nuk hapet nëse nuk ta hap operatori brenda. Po si mund të huhet në Aeroportin e Rinasit dhe askush nuk e merr vesh, por e marrin vesh pasi del makina?”.
Gjykata vendos masën e “arrestit me burg” për pesë të arrestuarit
Pesë të arrestuarit pas grabitjes në Aeroportin e Rinasit, të cilët akuzohen për “shpërdorim detyre”, dolën dje para Gjykatës sëKrujës, ku kjo e fundit me kërkesë të prokuroris vendosi masën e sigurimit personal “arrest me burg”. Kështu këtë masë e mori shoqëruesi i vlerave monetare, Kujtim Picari, shefi i stacionit të kompanisë “ICTS”, Arben Karafili, dy agjentët patrullë Bledar Blloshmi dhe Fadil Jonuzaj, si dhe drejtori i shërbimeve aeroportuale, Vangjel Nikolla. Përfaqësuesi ligjor i këtij të fundit tha se klienti i tij nuk ka përgjegjësi, duke ia lënë fajin Policisë së Shtetit. “Përgjegjësia është e Policisë së Shtetit, apo e qeverisë që nuk kanë marrë masat për të mbrojtur territorin e jashtëm të aeroportit”, tha avokati Vladimir Meçe. Për 3 nga të pandehurit, gjyqtarja Enkeleda Hoxha u tërhoq nga gjykimi dhe u zëvendësua nga një tjetër gjyqtare për shkak të konfliktit të interesit. Ata mbroheshin nga avokati Fatmir Braka, me të cilin gjyqtarja ishte palë në një proces civil. Ndërkohë, në kohën kur caktoheshin masat e sigurisë, në Prokurorinë e Krujës u pa tek hynte edhe zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë për Krimet e Rënda, Ardian Çipa.