Kryetari i PD, Lulzim Basha, tha se kryeministri Edi Rama po synon ta përdorë dështimin e reformës në drejtësi për të ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Por ai e paralajmëroi se ky plan do t’i dështojë.
“Nëse Rama ka bërë plan të shkojë në zgjedhje të parakohshme me këtë kalë beteje, i them që e ka gomar të ngordhur, se nuk ka shqiptar të besojë se Rama nuk ka frikë nga gjyqtarët e pavarur që do të marrin një ditë të gjithë dosjet që nga CEZ, te koncesionet e Beqajt, të grabitjes së bandës së kriminelëve të lidhur me Tahirin, përgjimet apo 80 mijë dollarë financim i paligjshëm vepër penale në SHBA, nesër me kryeministrin të marrë të pandehur si porositës”, u shpreh Basha.
Opozita është pro zgjedhjeve të parakohshme, por me qeveri teknike. Basha e bëri këtë koment pasi tha se PD i ka bërë një tjetër propozim qeverisë për të gjetur kompromisin për rekomandimin 88 të Venecias për Reformën në Drejtësi (propozimi në rubrikën lajme të lapsi.al).
Basha tha se ky është kompromisi i tretë që opozita po i afron Ramës. “Rama ka vetëm shpresën që më 21 korrik të drejtojë gishtin te opozita, gishtin ia ka prerë Bilali me shokë. E ftoj të reflektojë, pasi kjo nuk është përplasje mes Bashës e Ramës, as kacafytje shumicë – opozitë”, tha Basha.