Edi Rama gati ligjin për ta shndërruar Shqipërinë në një kazan mbeturinash të ardhura nga çdo vend i botës

0
171

Bëhuni gati! Shqipëria pritet të shndërrohet së shpejti në një kazan gjigant mbeturinash të ardhura nga çdo vend i mundshëm i botës. Nëse afro 3 vite më parë, shqiptarët menduan se shpëtuan një herë e mirë nga ky makth, e kanë pasur gabim. Qeveria “Rama” e cila anuloi këtë ligj afro 3 vite më parë, mendon se kushtet në Shqipëri tashmë kanë ndryshuar dhe se industria e riciklimit ka nevojë për përkrahje, ndaj importi i plehrave duhet parë si një aktivitet i ligjshëm dhe fitimprurës për ekonominë tonë. Një projektligj i hartuar nga Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese dhe Shoqatën e Ricikluesve,i cili ka mbërritur vetëm para pak ditësh në Kuvend, tregon se sa shumë ka ndryshuar vizioni i qeverisë “Rama” nga koha kur ishte në opozitë, mbi mënyrën se si duhet bërë menaxhimi i mbetjeve. Në relacionin e këtij projektligji, fillimisht qeveria kujdeset t’i qajë hallin shoqatës së ricikluesve se kanë shpenzuar 120 milionë euro për të ngritur industrinë e tyre, të cilën ua bllokoi vetë ajo, sapo erdhi në pushtet në 2013. Siç pranohet hapur dhe në relacion, qëllimi i këtij akti është rilejimi i importit të mbetjeve jo të rrezikshme në territorin e Republikës së Shqipërisë, duke rivitalizuar kështu industrinë e riciklimit në vend. Më tej, qeveria justifikohet se rikthimi i importit të mbetjeve ishte i nevojshëm pasi institucionet kontrollore janë përmirësuar në infrastrukturë dhe staf, çka sipas saj, nuk do të përbëjë shkak për rrezik importi të mbetjeve të rrezikshme.

 

Qeveria: Janë plotësuar kushtet

Shumë investitorë të huaj dhe vendas kanë investuar në industrinë e riciklimit të mbetjeve, bazuar në legjislacionin në fuqi, i cili lejonte importin e mbetjeve të ngurta me qëllim riciklimi, ripërdorimi dhe përpunimi. Me miratimin e ligjit nr.10 463, datë 22.09.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, në nenin 49 lejohej importi i mbetjeve me qëllimin e sipërcituar. Nisur nga sa më sipër, u ngrit industria e riciklimit, e cila përfaqësohet nga Shoqata e Ricikluesve të Shqipërisë. Investimet në këtë fushë zënë rreth 120 milionë euro dhe janë punësuar rreth 35.000 punonjës. Investimet ishin llogaritur që përveç riciklimit të mbetjeve që gjenerohen në vend, të përfshiheshin edhe një pjesë nga importi. Këto ishin të përcaktuara qartë në dy VKM, të cilat përcaktonin procedurat dhe rregullat, si dhe listën e mbetjeve që lejoheshin, bazuar në listën e gjelbërt të BE. Me miratimin e ligjit nr.156, datë 10.10.2013, “Për disa ndryshime në ligjin nr.10 463, datë 22.09.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve u ndalua importi i mbetjeve, duke arsyetuar se institucionet përkatëse nuk ishin në gjendje të inspektonin dhe kontrollonin cilësinë e mbetjeve. Kjo për mungesë të kapaciteteve dhe laboratorëve përkatës. Në relacion sqarohet se ndalimi i importit solli si pasojë që industria e riciklimit të punojë me 30 % të kapaciteteve, duke u shkaktuar një dëm të madh ekonomik, si dhe shkurtim të fuqisë punëtore. Nga ana tjetër, hartuesit e projektligjit relatojnë se për të miratuar një akt të tillë është dashur të bëhen një sërë investigimesh pranë doganave të vendit dhe pranë impianteve të riciklimit të mbetjeve në vend dhe gjatë këtyre 3 viteve, në këtë drejtim janë bërë përmirësime të dukshme. “Kemi një rinovim të Inspektoriatit të Mjedisit, si në infrastrukturën përkatëse e cila mungonte, ashtu dhe në trajnimin e personelit si brenda dhe jashtë shtetit. Agjencia Kombëtare e Mjedisit është pajisur me një laborator, i cili kryen analiza të ndryshme , dhe në rastet kur ai nuk ka mundësi t’i kryejë ato i bën në laborator privat të specializuar dhe akredituar për këtë qëllim”, thuhet në relacion, sipas të cilin, edhe në doganë ka përmirësime si në infrastrukturë dhe në personel të trajtuar.

 

Justifikimi, kështu plotësojmë kushtet e BE

Në relacionin e projektligjit për lejimin e mbetjeve citohet shprehimisht se ndryshimet ligjore të propozuara, do të mundësonin plotësimin e një prej kritereve të integrimit, të nënvizuar si të paplotësuar në raport progresin e fundit të BE. Më tej, relacioni shpjegon se ndryshimet ligjore do të hapnin mundësi të mëdha ekonomike në sektorin e riciklimit shoqëruar me krijimin e dhjetra mijëra vendeve të reja të punës, rritje të rëndësishme të GDP dhe dyfishimin e eksporteve, referuar nga Shoqata e Ricikluesve.

 

Çfarë ndodh me projektligjin e ri

Projektligji i propozuar rikthen të drejtën e importit të mbetjeve jo të rrezikshme në vend. Ai i rikthen të drejtat që ka pasur Këshilli i Ministrave si pjesë e rrjetit të integruar të mbetjeve. Gjithashtu, ai përcakton autoritetin pranë të cilit depozitohet kërkesa për importin e mbetjeve siu dhe autoritetin që e lëshon këtë akt. Si pasojë e këtij parashikimi, bëhen edhe ndryshimet përkatëse në pjesën takuese të kundravajtjeve administrative me qëllim që mbetjet jo të rrezikshme të mos importohen pa u pajisur me dokumentacionin përkatës që specifikohet në këtë akt. Akti i propozuar parashikon daljen e një VKM, e ashtuquajtura “lista e gjelbër”, ose siç mund të thuhet ndryshe lista e mbetjeve që mund të importohen në territorin shqiptar pasi akti që ka qenë në fuqi për këtë qëllim është shfuqizuar me Ligjin nr.156/2013. Miratimi i këtij akti do të realizojë fillimin e implementimit të tij.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here