Ish- efektivi i Reneas grabiti taksistin në Yzberisht, prokuroria e dërgon në gjyq

0
152

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq ish- efektivin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Eduart Budini. Ai akuzohet për vjedhje të mbetur në tentativë, pasi nën kërcënimin e armës së shërbimit tentoi të grabiste një taksist. Video e kësaj ngjarje u bë publike nga policia, e cila kërkoi ndihmën e qytetarëve për identifikimin e autorit. Budini u prangos nga kolegët e tij në datën 16 Mars, menjëherë pas publikimit të videos. 30-vjeçari e ka pranuar akuzën, por ka sqaruar se në atë moment ka qenë i pavetëdijshme për shkak të konsumimit të alkoolit dhe problemeve familjare që kishte. Madje sipas hetimit, Budini nuk ia ka marrë paratë taksistit, duke ia lënë në makinë. Në seancën e caktimit të masës së sigurisë në gjykatë, ish – polici deklaroi se kishte shkuar disa ditë më vonë për t’i kërkuar falje taksistit Halim Hoxha, por nuk e kishte gjetur. Si një qytetar i thjeshtë, grabitësi ka kërkuar shërbim taksi dhe është ulur në sediljen e pasme. Pasi ka ecur deri në një farë rruge, ai përdori pistoletën për të kërcënuar taksistin të cilit i kërkoi paratë që kishte me vete dhe më pas i kërkoi edhe unazën. Siç dukej dhe në video, në njërën dorë grabitësi mbante një armë që ngjan me pistoletë ndërsa dorën tjetër me dorashkë të zezë e shtrëngon fort në qafë.

Policia publikoi videon 4 muaj pas ngjarjes

Ngjarja për të cilën akuzohet Budini ka ndodhur në Nëntor të vitit 2015, në rrugën “3 Dëshmorët” në zonën e Kombinatit dhe objekt i grabitjes është shoferi i identifikuar me inicialet H. H. Por pamjet janë vënë në dispozicion nga policia më 16 Mars 2016, ku kërkonte ndihmë për të bërë të mundur identifikimin e autorit të grabitjes së taksistit. Madje policia vuri në dispozicion dhe një shpërblim prej 200 mijë lekësh Policia e Tiranës garantonte ruajtjen e anonimatit dhe ndjekje të shpejtë të çështjes, deri në zbardhjen e plotë të saj dhe vënien para përgjegjësisë së autorit. Dhe ashtu ndodhi. Telefonata të shumta mbërritën menjëherë në polici dhe brenda ditës u bë i mundur arrestimi i autorit.

 Arsyet që çuan 30 vjeçarin në grabitje

Prindërit e 30-vjeçarit Eduart Budini, i cili u ndalua në Gjirokastër si autori i grabitjes së taksistit thanë se djali i tyre e ka kryer grabitjen nga dëshpërimi, për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike. Refit dhe Violeta Budini deklaruan pas arrestimit se djali nuk u ka hapur kurrë probleme, por ndodhej në një situatë të vështirë, pasi ishte në proces divorci dhe kishte shumë borxhe e një kredi të pashlyer. “Jam gati të marr borxh për t’i kthyer paratë taksistit. Drejtësia të marrë parasysh gjendjen ekonomike. Nuk kam asnjë lek në shtëpi. Nuk kam para as për të udhëtuar për të takuar djalin. E di që do të dënohet, dhe nuk do jem gjallë derisa ai të dalë nga burgu”, u shpreh nëna e Eduart Budinit. 30-vjeçari Eduart Budini ishte punonjës i Policisë në Repartin e Forcës së Ndërhyrjes së Shpejtë të Fierit. Ai ishte i emëruar me detyrë në Dragot të Tepelenës. Budini, nga qyteti i Këlcyrës, ka shërbyer si pjesë e Sektorit të Komandove në Forcat e Armatosura i rekrutuar në Policinë e Shtetit dy vite më parë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here