UEFA ka vendosur që të kalojë Partizanin në Ligën e Kampioneve pas dënimit të Skënderbeut.
Të kuqtë e kanë mësuar vendimin e UEFA-s në Sllovaki, ku gjendeshin për të zhvilluar ndeshjen me Slovan Bratislavën, të vlefshme për takimin e kthimit të turit të parë në Ligën e Europës dhe tani duhet të përgatiten për të luajtur kundër Ferencvarosh të Hungarisë në turneun më të rëndësishëm për klube.
Ja njoftimi i plotë që UEFA publikoi në faqen e vet në internet
Partizani zëvendëson Skënderbeun në Ligën e Kampioneve
Nënkampionia e Shqipërisë, Partizani, do të zëvendësojë Skënderbeun në Ligën e Kampioneve 2016-2017, që do të thotë se Slovan Bratislava kalon direkt në turin e dytë kualifikues të Ligës së Europës.
Në vijim të mbajtjes në fuqi nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (KAS) të vendimit të Komisionit të Apelit të UEFA-s për të deklaruar Skënderbeun të papërshtatshëm për të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve 2016-2017, Paneli i Emergjencave në UEFA u mblodh sot dhe vendosi që Skënderbeu të zëvendësohet në turne nga KF Partizani, nënkampion në Kampionatin shqiptar 2015-2016.
Si rrjedhojë, ndeshja e kthimit të turit të parë kualifikues të Ligës së Europës 2016-2017 mes Partizanit dhe Slovan Bratislavës do të cilësohet si një ndeshje miqësore, gjithmonë nëse të dy klubet nuk bien dakord ta anulojnë dhe Slovan do të kalojë direkt në turin e dytë të Ligës së Europës, pavarësisht rezultatit të kësaj ndeshje të kthimit.