Si i fsheh Carlo Bollino 7 kompanitë që ka në Shqipëri me ndihmën e qeverisë

0
190

Me origjinë nga Puglia, Carlo Bollino ka shtrirë në Shqipëri tentakulat në sektorin ekonomik falë mbështetjes së qeverisë së majtë. Nga një hulumtim i Boldnews.al, italiani i shqiptarizuar zotëron 7 kompani, të hapura kryesisht në emrat e bashkëpunëtorëve të tij.

Kompania më e fundit është ajo e krijuar më 11 shkurt të 2016 dhe që mban emrin e Carlo Bollinos. Nuk dihet qëllimi i kësaj kompanie, por të dhënat e publikuara në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit thuhet se fusha e veprimtarisë është konsulencë dhe asistencë në implementimin e projekteve kombëtare dhe ndërkombëtare. Duke ditur edhe marrëdhënien e afërt të Bollinos me qeverinë, kjo lë dyshime se italiani mund të përfitojë fonde publike duke dhënë asistencë për projektet që do të zbatohen në Shqipëri.

Një tjetër kompanie e krijuar në 2014, “Spazio Eventi” është në pronësi të Carlo Bollinos. Edhe pse nuk rezulton si aksioner në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, kompania është themeluar nga Lindita Dode e cila njihet si një bashkëpuntore e vjetër dhe financiere e Bollinos. Tjetër themelues po në këtë kompani është edhe italiani Francesco Milella, i cili gjithashtu ka një biznes tjetër në bashkëpronësi me vjehrrin e Carlo Bollinos. “Spazio Eventi” ka qënë në qëndër të akuzave për fondet publike të përfituara nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Kulturës për restaurimin e Bunk’art. Gjithashtu kjo kompani ka realizuar disa aktivitete me taksat e qytetarëve në kuadër të fushatës kundër kancerit të gjirit.

“Media content” është një tjetër kompani e krijuar nga italiani kontrovers. Sipas të dhënave, kompania rezulton në emër të bashkëshortes së Bollinos, Alba Malltezit dhe ka si fushë veprimitarie krijimin e rrjeteve televizive analoge e digitale si dhe përgatitjen e programeve apo reklamave televizive.

Edhe “FFM Group” është në pronësi të Alba Malltezit ndërsa ka për ortakë edhe financieren e Carlo Bollinos. E krijuar në 2011, kjo kompani ofron auditime dhe konsulencë në fushën e medias. Një nga pikat kyçe të kësaj kompanie është edhe trajnimi i gazetarëve, operatorëve dhe fotografëve në mediat elektronike si dhe krijimin e website-ve. Deri tani nuk dihet kush gazetar apo operator ka dalë i trajnuar nga kjo kompani, por e sigurtë është që në mediat e Bollinos shfaqen pakënaqësi për vonesat në pagesa dhe mosrespektim të kodit të punës.

Edhe pse është ndarë jo mirë me Koço Kokëdhimën, Bollino vijon të ketë aksione tek televizioni i ish deputetit socialist. Referuar QKR, kompania “TV Ballkan” (aktualisht A1 Neës, ende s’ka nisur transmetimet) ka për aksioner me 35 % “Media Content” e cila ndodhet në pronësi të Alba Malltezit. Nuk dihet se përse Bollino mban peng aksionet në këtë televizion dhe a është e qëllimshme kjo për të bllokuar nisjen e transmetimeve për televizionin e ri.

Një mungesë transparence shihet edhe në kompanitë që përfaqësojnë mediat e Carlo Bollinos. “Report TV” nuk është regjistruar me emrin autentik në QKR, ashtu siç regjistrohen televizionet e tjera si Klan, Top Channel apo Ora News. Bollino ka përdorur emrin “Multiscreen” për të krijuar televizionin e tij ndërkohë që këtë kompani e ka përdorur në mënyrë të maskuar për të marrë edhe fonde publike për reklamat televizive. Maskimi shkon deri aty sa kompania është në emër të Lindita Dode, financieres dhe bashkëpuntores së Carlo Bollinos.

Edhe gazeta “Shqiptarja.com” publikisht dihet që është media e Carlo Bollinos. Por italiani puljez është kujdesur që të mos lërë emrin e tij por të bashkëshortes Alba Malltezi. Sipas QKR, ortakë në “Shqiptarja.com” është FFM Group, kompania në pronësi të Malltezit. Ndërsa administrator është Genc Kondi, një njeri shumë i afërt me Carlo Bollinon.

Më herët, Boldnews.al investigoi sesi vjehrri 73-vjeçar i Carlo Bollinos ishte aksioner në një lokal luksoz tek ish-blloku. Bëhet fjalë për restorantin “In Puglia” i cili përveç babait të Alba Malltezit, ka për aksioner edhe italianin Francesco Milella. Emri i këtij të fundit është lakuar edhe tek fondet e përfituara për restaurimin e Bunk’Art dhe realizimin e disa fushatave sensibilizuese për kancerin e gjirit.

Dyshimet për aktivitetin financiar të Carlo Bollinos janë të forta, pasi të gjitha kompanitë e tij kanë një adresë të përbashkët. Boldnews.al do të publikojë në vijim fakte të pakontestueshme për financimet e dyshimta nga kompani offshore për mediat e Carlo Bollinos./boldnews

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here