Këtë vit pushuesit që po vizitojnë Vlorën janë përballur me një trafik të rënduar, si pasojë e ngushtimit të rrugës në shëtitoren “Lungomare”. Nga katër korsi, kjo rrugë është ngushtuar në dy korsi, që nuk e përballojnë fluksin e automjeteve. Në orët e pikut policia e devijon trafikun, duke i bërë të dyja korsitë në një sens lëvizje, në drejtim të Ujit të Ftohtë. Në sensin e kundërt makinat detyrohen të bëjnë unazën që ka shërbyer edhe gjatë kohës së punimeve fillestare për ndërtimin e shëtitores. Por as kjo “gjetje” nuk e shmang trafikun. Projekti fillestar i “Lungomare” mundësonte një rrugë me 4 korsi, por ndryshimi i tij ka sjellë një situatë kaotike në qytetin e Vlorës.