Një histori nga ato që të mbajnë frymën pezull dhe që i ngjajnë filmave apo librave ku ndërthuren elementë surrealë. Por për fat të keq këtu gjithçka është reale dhe personazhet janë të vërtetë.
Bëhet fjalë për dy vëllezër nga fshati Mbrostar i Fierit të cilët që në fëmijëri janë diagnostifikuar me një sëmundje të rëndë që quhet distrofi muskulare progresive.
Sëmundja fillon me dobësimin e këmbëve rreth moshës 3 vjeçare dhe avancon me shpejtësi duke çuar në vdekje shpesh para moshës 40 vjeçare për shkak të përfshirjes së mushkërive dhe muskujve të zemrës.
Sejdin Bica dhe vëllai i tij Miklovan Bica, përkatësisht 30 dhe 35 vjeç nuk duan kurim por thjesht një karrocë me bateri për t’i lehtësuar lëvizjen.
“Të dy vëllezër kemi të njëjtën sëmundje. Shqetësimi ynë është se kemi nevojë të dalim pak nga shtëpia. Kemi nevojë për ndonjë karrocë me bateri se na u mbyll jeta brenda. Të shikojmë një ditë të bardhë. Sëmundja jonë është e pashërueshme Anta. Duam të jetojmë sa të jetojmë”, më thotë Seldini, vëllai i vogël.
Kur i pyes nëse ndokush kujdeset për ta, ai më rrëfen: “Kujdeset mami jonë e shtrenjtë, sepse ka dy trima të vrarë por qendron e fortë”, ndërsa zbulon një tjetër fakt tronditës. Babai i tyre vuan gjithashtu nga një sëmundje e rëndë.
“Babin e kemi me kancer. Kemi mamin por edhe ajo është për të ardhur keq e kështu që s’ka se kush merret me ne”, rrëfen Sejdini.
Në Facebook-un e tij shoh se në një foto Sejdini është veshur me kostum e kollare ndërsa në qafë mban të varur një “badge”, ndaj e pyes nëse punon diku.
“Aaaa ai i shëmtuari në karrocë?! A po po, unë jam”, më thotë gjithë humor. “Aty jam në një kongres fetar dhe për këtë mbaj atë si distiktiv të varur në qafë”.
E ndërsa kur e pyes sesi është për të një ditë e zakonshme, më tregon se lexon shumë.
“Unë e kaloj ditën duke lexuar. Lexoj biblën por edhe shumë botime të tjera”.
Sejdini e ka humbur besimin te pushtetarët. Për të ata janë të pandjeshëm ndaj edhe apelin për ndihmë ia drejton qytetarëve të thjeshtë.
“Pushtetarët kudo, në të gjithë botën, janë bërë si luanë. Nuk kanë dhembshuri për më të dobëtin. Ndaj unë i drejtohem qytetarëve. Ja si përshembull ti dhe pronarja jote mund të publikoni hallin tim”. Newsbomb