Ditën e sotme pranë ”Sheshit të Flamurit” në Vlorë është vjedhur filiali i një banke të nivelit të dytë. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe sipas hetimeve dy persona me maska dhe të armatosur me pistoleta janë futur nga dera e pasme e bankës duke vjedhur një shumë parash prej 35 mijë euro.
Grabitësit i janë drejtuar arkës dhe pasi kanë marrë shumën nga të dyja sportelet janë larguar nga vendngjarja. Sipas dëshmive të para të punonjësve të bankës dy personat të ri në moshë e të shëndoshë ishin të maskuar e të armatosur. Ata gjithashtu raportojnë se nuk ka pasur të lënduar dhe të shtëna me armë.
Njëri prej grabitësve ka vijuar aksionin brenda ambienteve të bankës dhe tjetri e ka pritur jashtë duke mbajtur nën kontroll rojen e sigurisë, më pas të dy pasi kanë ecur disa metra në këmbë janë larguar me një automjet.
Policia e Vlorës ka ngritur disa pika kontrolli në akset kryesore hyrëse dhe dalëse të qytetit ku dhjetëra efektivë janë vënë në ndjekje të autorëve. Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së bankës si dhe të disa bizneseve përreth vendit ku ndodhi grabitja. Ndërkohë po vijojnë hetimet për identifikimin e autorëve të ngjarjes.-