Një shpërthim ka ndodhur pasditen e sotme në një pikë të furnizimit me gaz në qytetin e Vlorës. Si pasojë ka mbetur i plagosur një person. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Partizani” mbi Spitalin Rajonal, në një pikë furnizimi me gaz, në pronësi të shtetasit G.L, 65 vjeç, banues në Vlorë, ku është dëmtuar shtetasi N.C, 67 vjeç, banues në Vlorë. Paraprakisht dyshohet se të dëmtuarit (blerësit) i ka shpërthyer një bombol gazi, ku për pasojë është dëmtuar pjesërisht dhe është dërguar në Spitalin Rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore. Mësohet se nuk ka persona të tjerë të dëmtuar, dhe shërbimi zjarrfikës ka bërë të mundur shuarjen e flakëve të zjarrit duke mos lejuar përhapjen e tij. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje duke kryer veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.