Kamerat e sigurisë të bankës, që u grabit në Vlorë regjistruan gjithçka ndodhi në pak minuta të vjedhjes. Sapo hynë brenda, grabitësit shtrinë në tokë të gjithë punonjësit. Klientët kanë qenë të paktë në atë moment, rreth orës 14;52 minuta. Njëri prej grabitësve i mbante pistoletën në kokë, rojës së bankës, ndërsa tjetri me një Kallashnikov në duar, kërcënoi punonjësit që të mbushnin qeset me para. Të dy ishin veshur me rroba kamuflazh dhe mbanin në kokë kapele me strehë, për t’iu fshehur sadopak kamerave të sigurisë. Nuk ka të dhëna për shumën e grabitur, por ngjarja ndodhi në mes të Vlorës, pranë sheshit të Flamurit, kur lëvizjet në qytet kanë qenë të pakta për shkak të temperaturave të larta.