Nuk kanë munguar tensionet para ndeshjes mes Partizanit dhe Ferencvaroshit, takim i vlefshëm për turin e dytë paraelimintar të Ligës së Kampionëve.
Para fillimit të ndeshjes ka pasur incidente mes tifozerisë së kuqe dhe forcave të rendit në stadiumin Elbasan Arena. Autobusët me tifozë të Partizanit janë vonuar për shkak të një incidenti në Mullet gjatë rrugëtimit nga Tirana drejt Elbasanit.
Për këtë arsye, ata kanë mbërritur me vonesë dhe janë munduar të hyjnë me shpejtësi në stadium. Por forcat e rendit nuk kanë lejuar që tifozët të futeshin menjëherë në impiant duke kërkuar që t’i kontrollojnë me imtësi ata.
Kjo ka sjellë momente tensioni në hyrje të impiantit, ndërsa situata është qetësuar vetëm pas disa minutash, kur tifozëve u është mundësuar që të hyjnë në stadium për të mbështetur ekipin kryeqytetas.