Bylykbashi: Rama po keqinformon shqiptarët, Nuland nuk kërkoi rol ekzekutiv të ekspertëve në vetting

0
147

Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi ka treguar detaje të takimit mes zyrtares së lartë amerikane Victoria Nuland dhe kryetarit të PD-së Lulzim Basha, duke akuzuar kryeministrin Rama se po tenton të mbjellë gënjeshtra lidhur me përgjigjen e PD-së për propozimin hibrid të SHBA për reformën në drejtësi.

Sipas Bylykbashit, “në takim zoti Basha shprehu qëndrimin e opozitës që roli i vëzhguesve ndërkombëtarë të jetë plotësisht në përputhje me rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias, sepse roli i propozuar kishte kompetenca vendimmarrëse”. “Zj.Nuland, i kërkoi z. Basha që të bënte propozime për rolin e vëzhguesve ndërkombëtare në përputhje me rekomandimin 88. Z. Basha premtoi që brenda ditës së marte, PD do të ofronte zgjedhjen e saj bazuar mbi propozimin hibrid të ambasadoreve. Dhe kështu bëmë, ditën e martë në mbrëmje, PD dërgoi propozimin e saj. Kujt i duket kjo si Po ose Jo, le të kthehet në klasë të parë, ose të bëjë një ekzaminim të koshiences”- deklaron Bylykbashi.

Deklarata e plotë e Bylykbashit:
“Kam ndjekur me vëmendje se si Rama ka mbjellë me tamtamet e tij mediatike apo edhe të tjerë tamtame në politikë apo analitikë, gënjeshtrën se zj. Nuland ka kërkuar vetëm një Po ose një Jo nga z. Basha.
Duke qenë se unë kam qenë aty dhe s’luaj me fjalët, më vjen të qesh me këtë tentativë mjerane për të luajtur me gënjeshtra për gjëra kaq serioze. Ore, e meritojnë një sqarim shqiptarët që keqinformojnë këta.
Në atë takim zj. Nuland paraqiti atë që ajo e cilësoi si propozimin hibrid të ambasadorëve Lu dhe Vlahutin bazuar mbi qëndrimet e palëve, pa marrë autorësi. Ajo shprehu kundërshtimin për rolin e Gjykatës Kushtetuese si organi që do të bënte vetting-un e kandidatëve që do të bëjnë vettingun e gjyqtartëve dhe prokurorëve.
Z. Basha shprehu qëndrimin e opozitës që roli i vëzhguesve ndërkombëtarë të jetë plotësisht në përputhje me rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias sepse roli i propozuar kishte kompetenca vendimmarrëse.
Z. Basha pranoi të rishikohej roli i Gjykatës Kushtetuese për të eleminuar konfliktin e interesit. Sigurisht, Opozita nuk ka asnjë tagër t’i mohojë kompetencën e shqyrtimit të shkeljes së të drejtave të njeriut kësaj Gjykate.
Zj. Nuland, pasi nënvizoi se ndërkombëtarët nuk mund të kenë rol ekzekutiv, i kërkoi z. Basha që të bënte propozime për rolin e vëzhguesve ndërkombëtarë në përputhje me rekomandimin 88. Z. Basha premtoi që brenda ditës së martë, PD do të ofronte zgjedhjen e saj bazuar mbi propozimin hibrid të ambasadorëve. Dhe kështu bëmë, ditën e martë në mbrëmje, PD dërgoi propozimin e saj.
Kujt i duket kjo si Po ose Jo, le të kthehet në klasë të parë ose të bëjë një ekzaminim të koshiencës”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here