Avokati i Popullit, Igli Totozani, zhvilloi dje një vizitë në Fushë-Krujë ku takoi nga afër persona në nevojë dhe bisedoi mbi problemet e tyre. Në mënyrë të përsëritur, edhe dje Totozani i bëri thirrje qeverisë të publikojë sa më shpejt minimumin jetik në vend. “Sistemi i mbrojtjes sociale, pa u bazuar në një standard real jetese, është i pavërtetë dhe fyes për dinjitetin njerëzor. Qeveria të publikojë minimumin jetik në vend”, u shpreh Totozani. Avokati i Popullit së bashku me grupin e ekspertëve do të përgatisin rekomandimet e posaçme për institucionet përgjegjëse shtetërore, duke i informuar mbi situatën e vështirë, si dhe duke kërkuar impenjimin maksimal të administratës shtetërore për gjetjen e zgjidhjeve për këta banorë, që duhet domosdoshmërish të marrin shërbimet dhe ndihmën e shtetit. Sipas Totozanit ndihma sociale është në nivel shumë të ulët dhe me të është e pamundur që një persona të mbulojë nevojat bazike. Ndërkohë në Fushë-Krujë Totozani u përball me shqetësimet e banorëve, të cilët u ankuan për problemet e tyre. Shqetësim i madh mbetet mungesa e një autoambulance, e cila është e domosdoshme në këtë njësi administrative me mbi 70 mijë banorë. Rëndësia e pajisjes së kësaj qendre shëndetësore me një autoambulancë rritet edhe për shkak të pozicionit të Fushë-Krujës pranë rrugës nacionale, ku numri i aksidenteve është i lartë. Ndërkohë, në këtë qendër shëndetësore u evidentua edhe mungesa e pajisjeve si defribilatorë, apo e medikamenteve, kryesisht të serumeve. Pas konstatimit të kësaj gjendje në qendrën shëndetësore të Fushë-Krujës, Avokati i Popullit i bëri thirrje ministrit të Shëndetësisë të ndërhyjë në mënyrë urgjente, pasi kjo është një situatë e papranueshme. “Janë me mijëra banorë që kanë nevojë për shërbim shëndetësor, por kur në qendër mungojnë pajisjet, autoambulanca apo serumet çfarë mund të presin qytetarët, alternativa e vetme e të cilëve mbetet rruga drejt kryeqytetit”, tha Totozani. Avokati i Popullit në takimin me drejtuesin e Njësisë Administrative të Fushë-Krujës, Ilir Loci, bisedoi për problematikat kryesore që shqetësojnë banorët e kësaj zone. Totozani tha se furnizimi me ujë të pijshëm mbetet ende një shqetësim i pazgjidhur.