Kushtetuesja nis shqyrtimin e mandatit të Rakip Sulit,pretendohet se ka përfituar fonde nga buxheti i shtetit

0
141

Gjykata Kushtetuese nisi dje shqyrtimin e kërkesës së Partisë Demokratike, për heqjen e mandatit të deputetit socialist, Rakip Suli, pas pretendimeve se përmes familjarëve të tij, ai ka përfituar fonde nga buxheti i shtetit. Mandati i Sulit shkoi njëherësh me atë të Valentina Leskajt në Kushtetuese, por ndryshe nga rasti i parë, Gjykata ka vendosur ta shqyrtojë kërkesën për pavlefshmërinë e mandatit të Rakip Sulit. Në seancën e djeshme ka folur juristi i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, i cili ka thënë se Kushtetuesja duhet t’i heqë mandatin Sulit, pasi ka shkelur ligjin. Ai ka shtuar se kjo çështje është kompetencë e Kushtetueses, pasi Suli ka përdorur kompaninë që administron djali i tij për të përfituar tendera nga operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. “Gjykata Kushtetuese duhet t’i heqë mandatin, pasi Suli ka shkelur ligjin. Kjo çështje është nën juridiksionin e Kushtetueses. Suli ka përfituar e përfiton me një kontratë të OSHEE e Aurora grup në pronësi të Sulit. Edhe pse firmën Suli ia fali djalit, kjo se shmang nga konflikti interesit. Edhe sot Rakip Suli është zotërues i kompanisë Aurora Grup dhe pse ia ka dhënë aksionet djalit. OSHEE i ka dhënë Sulit një kontratë abuzive pa tender e garë për 3.5 euro /m2 qira”, ka thënë Bardhi gjatë fjalës së tij. Ndërkohë, Rakip Suli nuk ka qenë i pranishëm gjatë shqyrtimit të çështjes, por është përfaqësuar nga avokati i tij. Pak muaj më parë, Gjykata Kushtetuese vendosi t’i heqë mandatin Koço Kokëdhimës, pikërisht për përfitim të fondeve publike në kundërshtim me ligjin, dhe Rakip Suli mund të jetë deputeti i radhës që mund të largohet nga PS po për shkelje. Në thelb, Rakip Suli akuzohet për të njëjtat shkelje që humbi mandatin Kokëdhima, ndaj nuk përjashtohet mundësia që ai të ketë të njëjtin fat.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here