Një pyetje për vettingun/ Si ndërkombëtarët do jenë dhe monitorues dhe vendimmarrës?!

0
183

Nga vettingu ndërkombëtar te sovraniteti shqiptar. ONM si OSBE apo si ministre e Brendshme

Gëzim Saliu

Ndërkohë që palët politike kanë rënë dakord mes tyre thuajse për 95 % të projektit kushtetues që lidhet me reformën në drejtësi, pika kryesore e ngërçit mbetet procesi i vettingut. Ndërsa kryeministri Rama e PS mbështet draftin e hedhur së fundmi në tryezë nga ndihmës sekretarja Nuland, i cili bashkërendon kërkesën e opozitë për komision ad-hoc me propozimin e vijës së kuqe të Ramës, opozita nga ana e saj shpreh kriticizëm për rolin e ndërkombëtarëve . Duke sjellë si shembull dy vendet e anëtarësuara së fundmi në BE si Kroacia e më parë Rumania, PD thekson se në asnjë prej këtyre shteteve reforma në drejtësi dhe përkatësisht procesi i vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk është bërë nga ndërkombëtarët. Sipas demokratëve, kjo praktikë ka ndodhur vetëm në vendet protektorate që sapo kanë dalë nga lufta apo që janë autonome. Në këto kushte, PD propozon që radiografimi i trupës së gjyqësorit të bëhet nga ekspertët vendas që do jenë nën mbikëqyrjen e rreptë të ONM( ekspertëve ndërkombëtarë). Madje këta të fundit do kenë mundësi që ti drejtohen Komisionit me dokumente që nuk janë në dispozicion të trupës shqiptare dhe që vërtetojnë se gjyqtari apo prokurori ka shkelur ligjin e dekriminalizimit. Po ashtu ONM do ketë mundësi të paraqesë edhe një raport që do sillet në Kuvend, ku do jepen të gjitha detajet e monitorimit të procesit. Por sipas kryeministrit Rama ky rol që i jep opozita ndërkombëtarëve është i papranueshëm, pasi thekson ai, shkon në kundërshtim me vetë direktivat e SHBA dhe BE. Ndërsa këto dy të fundit kanë kërkuar me ngulm që palët të gjejnë konsensusin, duke lënë të hapur edhe mundësinë e negocimit të draftit aktual, kryeministri këmbëngul se si ai ashtu edhe SHBA e BE nuk duan të lëvizet nga “vija e kuqe”. Por nëse realisht opozita do të pranonte draftin aktual siç është propozuar, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, nuk do ishte më në rolin e vëzhguesit, siç e kërkon Komisioni i Venecias, por të pjesëmarrësit në proces. Çfarë do të thotë kjo?

Për ta konkretizuar po marrim shembullin e OSBE-ODIHR që pak a shumë OMN duhej të ishte simotra e saj. Nëse OSBE do funksiononte sipas draftit aktual që mbështet nga kryeministri Rama, atëherë ky organizëm ndërkombëtar do të ishte jo më vetëm monitorues i procesit, pra zgjedhjeve, por edhe kryrës i tij. Pra i bie që OSBE të merrte rolin e qeverisë dhe ministrisë së Brendshme duke qenë pjesë e organizimi të zgjedhjeve, skedulimit të listave, marrjes së masave për transparencë dhe votë të lirë e të tjera si këto. Por në fakt detyra e OSBE ashtu si edhe në çdo vend tjetër është monitorimi i procesit dhe në fund dalja me një raport që i certifikon zgjedhjet ose i rrëzon ato. E pikërisht këtë rol duhej të kishte sipas rekomandimit të Venecias edhe Operacioni Ndërkombëtarë i Monitorimit (ONM). Ky i fundit duhej të monitoronte procesin e vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe në fund ta certifikonte ose për ato pika ku nuk binte dakord ta rrëzonte duke dhënë dokumentet përkatëse. Pra ONM do vëzhgonte zbatimin e çdo kriteri në çdo rast, duke pasur çdo dokument në dorë në përputhje me ligjin e dekriminalizimit si edhe më pas do raportonte rezultatet e procesit në KE apo SHBA, gjë e cila sigurisht do kishte pasoja për vendin në rrugën e integrimit,  nëse reforma e kryer nga ekspertët vendas nuk do ishte e duhura. Por dhënia e një roli bashkautori të kryerjes së procesit të vettingut, pra shkurt rol vendimmarrësi, shkon përtej rolit monitorues që duhet të ketë ONM sipas edhe rekomandimit të Venecias. Në këtë rol që merr ONM sipas draftit që mbështetet nga PS, ekspertët ndërkombëtarë do të duhet më pas të japin llogari në Shqipëri nëse reforma nuk shkon ashtu siç duhet, dhe mund të themi se ndihet që tani skepticizmi kur shpesh dëgjohet me bisedave të qytetarëve: “e njëjta gjë si përherë do ndodhë, askush nga peshqit e mëdhenj nuk do preket”. Në këto pikë na duhet të pyesim: ku do ti gjejmë këta ekspertët për llogaridhënie, ndërsa ata do kenë mbaruar punën 6-mujore, do kenë marrë rrogat përkatëse e do jenë larguar në vendin e tyre? Ndokush do thotë se ku e kemi gjetur ne llogaridhëninen në 25 vite për fajtorët e politikës? Mjaftueshëm e drejtë edhe kjo, por të paktën kur kemi dashur me ja kthyer “kusurin” politikanëve, e kemi bërë përmes votës, pra i kemi ndëshkuar duke i rrëzuar nga pushteti. Po për ekspertët ndërkombëtarë si do ja bëjmë? Mos ndoshta edhe për një ndër reformat më të rëndësishme të vendit, faji do mbesë jetim?

 

ambasadori Lu

Nga ultimatumet te sfidat

Lu: Rama e Basha të takohen të hënën, mos dalin aty pa gjetur zgjidhje ose të mbyllen përjetë

 

“Propozimi i Bashës  i papranueshëm nga SHBA, edhe ai i fundit i Ramës refuzohet: problemet të zgjidhen nga udhëheqësit shqiptarë”

 

Ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu kaloi dje nga deklaratat “gisht fajësuese” për bllokimin e reformës në drejtësi tek “urdhrat” dhe “sfidat” për krerët e dy partive kryesore në vend. Pas përplasjeve indirekte mes kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës Basha lidhur me zhvillimet e fundit të çështjes, kryediplomati amerikan përmes një deklarate sfidoi dy kryetarët që të takoheshin të hënën ballë për ballë dhe të mos dilnin nga salla pa gjetur një zgjidhje përfundimtare kompromisi për reformën në drejtësi. “Propozoj një zgjidhje të thjeshtë; e sfidoj kryeministrin dhe kreun e opozitës që të takohen ballë për ballë të hënën dhe të premtojnë publikisht se nuk do të largohen nga salla e takimit derisa të gjejnë një zgjidhje, një zgjidhje për çështjen e fundit të kësaj reforme dhe të shohim se kush është me të vërtetë në favor të gjetjes së një kompromisi. Kjo do të zgjidhë problemin në njërën prej dy mënyrave. Ata ose do të gjejnë një zgjidhje që mund të mbështetet si nga qeveria ashtu edhe nga opozita ose mund të mbyllen brenda asaj salle takimi së bashku përjetë”, theksoi Lu.

 

Qëndrimi

 

Në nisje të qëndrimit të tij ambasadori amerikan u shpreh se propozimi i fundit i PD-së është në kundërshtim me SHBA-në dhe alternativën e hedhur në tryezë nga ndihmës sekretarja amerikane Victoria Nuland. Po ashtu Lu e konsideroi të papranueshëm deklaratën e dy ditëve më parë të kryeministrit Rama, sipas të cilit hiqte dorë nga negociatat dhe ishte gati të miratonte çdo reformë që propozonte opozita me kusht që ajo të pranohej nga BE-ja dhe SHBA-ja. “Mendoj se ka një gjë për të cilën biem dakord: të gjithë jemi të acaruar dhe të lodhur me politikanët e Shqipërisë. Sot zt.Basha dha se opozita kishte vendosur mbi tavolinë një propozim të vlefshëm. I thashë zt. Basha, se propozimi i tij ishte i papranueshëm nga SHBA dhe tregon se ka thyer zotimin e tij ditën e diel ndaj ambasadores Nuland. Gjithashtu, sot zt.Rama njoftoi se u ka dhënë fund negociatave me opozitën dhe tha se do të pranonte çdo kërkesë të opozitës që të pranohej nga BE dhe SHBA. Unë e refuzoj edhe këtë rol. Përgjegjësia për zgjidhjen e problemeve politike të Shqipërisë qëndron mbi udhëheqësit shqiptar”, u shpreh ai. Në fakt kjo pikë e fundit, ku ambasadori kërkon që zgjidhjet dhe vendimmarrjet ti takojnë aktorëve vendas, bie jo pak në kundërshtim me pikën kryesore të ngërçit mes palëve që kërkon pikërisht të kundërtën e këtij qëndrimi. Vettingu nga ndërkombëtarët dhe aktorët vendas, është pjesë kyçe e propozimit që mbështete nga SHBA e BE dhe që nga ana tjetër kundërshtohet nga opozita me argumentin e kundërshtimit të shtetit protektorat. Ndërkohë në deklaratën e tij ambasadori amerikan theksoi gjithashtu se të enjten, deputetët e Kuvendit kanë mundësi të tregojnë qëndresë për popullin e Shqipërisë që e kërkojnë këtë reformë. “Gjysmë ore më parë pyeta se kush ka më shumë frikë nga kjo reformë. Krerët e krimit të organizuar, gjyqtarët e korruptuar apo politikanët kriminelë. Sot përgjigja është e qartë; të gjithë po e luftojnë. Të enjten, deputetët e Kuvendit kanë mundësi të tregojnë qëndresë për popullin e Shqipërisë që e kërkojnë këtë reformë. Ka ende kohë që zt.Basha dhe zt. Rama të gjejnë një kompromis. Nëse ata nuk munden, Kuvendi duhet ta miratojnë këtë reformë. Harku i historisë është i gjatë, por ajo anon nga drejtësia. Reforma në drejtësi do të miratohet. E vetmja pyetje është; nëse ky Kuvend dhe udhëheqësit politik do të mbahen mend për suksesin apo do të fajësohen për dështimin e saj?!”, pohoi ambasadori amerikan Donald Lu.

 

edi rama

Qëndrimi i kryeministrit

Rama: Gati për takim me Bashën, nëse ka formulë që pranohet nga SHBA e BE e votojmë

“Në reforma evropiane, siç është kjo e drejtësisë, sovraniteti është relativ dhe jo absolut”

 

Gëzim Saliu

 

 

Kryeministri Rama ripërsëriti dje qëndrimin sipas së cilit PS do të pranonte çdo lloj formule që do propozonte PD, por me kushtin që ajo të ishte e pranueshme nga SHBA e BE. Në deklaratën nga Kryeminstria, Rama theksoi se ishte i gatshëm të takohej në çdo moment me kryedemokratin Basha për të gjetur zgjidhje lidhuer me ngërçin, por theksoi ai, formula duhet të jetë brenda vijës së ndërkombëtarëve. “Unë e ftoj Lulzim Bashën nga sot dhe deri në orën 10:00 të datës 21 Korrik, kur fillon seanca, të më njoftojë menjëherë, në çdo orë të ditës dhe çdo orë të natës, e ka numrin tim të telefonit, për t’u takuar nëse ka ndonjë të re që konsiderohet e pranueshme nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Unë do ta votoj, ne do ta votojmë, pa kërkuar ndryshimin e asnjë presjeje. Ky është konsensus me firmë mbi letër të bardhë. Të shkruajnë çfarë të duan, mjafton që ajo që do të jetë shkruar të ketë dy vula: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian”, theksoi Rama.

 

Deklarata

 

Nga ana tjetër në qëndrimin e tij, kryeministri akuzoi demokratët se kundërshtia e tyre me tezën e sovranitetit të vendit nuk lidhet me këtë të fundit por se me frikën nga drejtësia e vërtetë. “Nuk u befasova unë dhe nuk u befasua askush që e di mirë se në ç’bark fle lepuri i frikës nga drejtësia. I cili, është kryekëshilltari i opozitës për Reformën në Drejtësi, frika. Por, sigurisht, u befasuan dhe zhgënjyen aleatët e Shqipërisë, të cilët janë investuar masivisht si kurrë më parë për një reformë në Shqipërinë e çerekshekullit të fundit. Kërkesa e re e Partisë Demokratike dhe klithma e djeshme e dëshpërimit në Kuvendin e Shqipërisë për mbrojtjen e sovranitetit të vendit nga “rreziku i ri euroamerikan”, janë dëshmia ulëritëse e të vërtetës se pretendimi i tyre, me nenin 55 në dimër, e pastaj nenin 88 në pranverë, ishte vetëm një alibi e montuar”, u shpreh Rama. Më tej kryeministri tha se Vetting-u i mbështetur nga ndërkombëtarët ua heq përgjithmonë çekiçin nga dora këtyre kriminelëve dhe shemb një pjesë të madhe të pushtetit sovran të korrupsionit politik e financiar mbi drejtësinë në Shqipëri. “Kjo është një reformë për Shqipërinë europiane që duam të ndërtojmë dhe ta anëtarësojmë në Bashkimin Europian. Në reforma të tilla sovraniteti ynë është relativ, jo absolut, sepse nuk ka vend të Bashkimit Europian, apo që kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Europian, që të ketë sovranitet absolut për t’i lexuar dhe kuptuar si të dojë normat, standardet, kërkesat e Bashkimit Europian. Nuk ka vend ish’komunist që të jetë anëtarësuar në Bashkimin Europian duke zgjedhur çfarë i pëlqen dhe duke refuzuar çfarë nuk i pëlqen nga reformat modernizuese të procesit të anëtarësimit. Nuk ka reformë drejtësie të zbatuar në vendet e reja të Bashkimit Europian, ku të jetë përdorur shpata e sovranitetit, për të mbajtur jashtë kështjellës së korrupsionit të drejtësisë partnerët ndërkombëtarë”, deklaroi ai. Më tej kryeministri tha se pa këtë reformë drejtësia vendi do të mbetet gjithnjë prapa derës së BE-së. “I kam dëgjuar të komentojnë të fyer në sedrën e tyre patriotike: “Si ka mundësi të lejohet marrja e pushtetit gjyqësor nga ndërkombëtarët.”  A mund të ma thotë kush pse nuk e bëmë ne 25 vjet rresht këtë punë kaq të dobishme që sot po na thonë që: “E bëjmë vetë!” “Jemi sovranë.” “Kemi njerëzit tanë.” Kur s’e bëmë dot 25 vjet me radhë si mund ta bëjmë ne tani pastrimin e sistemit të drejtësisë nga kjo koorporatë të pasurish, që po të mblidhen bashkë e blejnë dhe Lionel Messin dhe e sjellin të lozë me Kamzën e Xhelal Mziut?!”. Në fund Rama tha se nuk do të pranojë më një një proces absurd negociimi vetëm e vetëm që t’i japi PD-së mundësinë sipas tij të vazhdojë të gënjejë shqiptarët se s’jemi ne që duam kompromis. “Fusha është e lirë. Dhëntë Zoti që lepuri në barkun e tyre të bëhet luan dhe ata të vijnë të votojnë Reformën në Drejtësi, pasi të kenë hequr apo shtuar çfarë të duan në draftin e reformës dhe produkti i kësaj ndërhyrjeje të fundit të vlerësohet nga SHBA dhe BE si plotësisht i pranueshëm dhe Shqipëria të duartrokiten dërkombëtarisht dhe të marrë ftesën për të hapur negociatat”.

 

 

“Të mbyllem përjetë me Bashën”, Rama: Ruajna zot, nuk e di çfarë del ditën që do marrim ajër

Në një takim që mbajti me studentët e drejtësisë, kryeministri Rama uy pyet lidhur me deklaratat e ambasadorit Lu i cili theksoi se kryedemokrati dhe kreu i qeverisë duhet të takohen të hënë dhe të mos dalin nga salla pa arritur konsensus. “Tani ta vëmë këtë propozim në tavolinë dhe të mbyllemi përjetë me Lul Bashën në një dhomë? Nuk e di çfarë del ditën që do të dalim të marrim ajër, por konsensus nuk ka për të dalë”, u shpreh kryeministri. Këtë pyetja Rama e shfrytëzoi për të thënë me jo pak ironi disa gjysmë të vërteta, siç i quajti kryeministri. “Edhe ajo fjala përjetë e ambasadorit duhet marrë me rezerva, sepse ai flet shqip por mendon anglisht. Megjithatë, edhe sikur të ishte një kërkesë e SHBA-ve, këtë nuk e pranoj dot që të mbyllem përjetë me Bashën në një dhomë? Ruajna Zot! Nuk e di çfarë do të ishte… Pastaj të mbash Bashën përjetë brenda dhe të lësh Saliun jashtë, çfarë konsensusi mund të bësh? Të paktën ai duhet të hyjë e të dalë, sepse duhet të merret vesh me Saliun. Nejse, kjo është shaka, por gjysmë e së vërtetës”.

 

 

Oerd-Bylykbashi

Zbardh takimin me ndihmës sekretaren

Bylykbashi: Nuland tha se nderkombetaret s’mund të kene rol ekzekutiv, na u kërkua formulë sipas 88-ës

Nënkryetari demokrat i komisionit të posaccëm për reformën në drejtësi Oerd Bylykbashi në kundërpërgjgije të deklaratave të kryeministrit Rama, zbardhi dje një pjesë të bisedimeve mes kryedemokratit Basha dhe ndihmës sekretares amerikane Nuland. “Ne ate takim zj. Nuland paraqiti ate qe ajo e cilesoi si propozimin hibrid te ambasadoreve Lu dhe Vlahutin bazuar mbi qendrimet e paleve, pa marre autoresi. Ajo shprehu kundershtimin per rolin e Gjykates Kushtetuese si organi qe do te bente vetting-un e kandidateve qe do te bejne vettingun e gjyqtarteve dhe prokuroreve. Z. Basha shprehu qendrimin e opozites qe roli i vezhguesve nderkombetare te jete plotesisht ne perputhje me rekomandimin 88 te Komisionit te Venecias sepse roli i propozuar kishte kompetenca vendimmarrese. Z. Basha pranoi te rishikohej roli i Gjykates Kushtetuese per te eleminuar konfliktin e interesit. Sigurisht, Opozita nuk ka asnje tager t’i mohoje kompetencen e shqyrtimit te shkeljes se te drejtave te njeriut kesaj Gjykate”. Më tej Bylykbashi vazhdoi duke pohuar se,:  Zj. Nuland, pasi nenvizoi se nderkombetaret nuk mund te kene rol ekzekutiv, i kerkoi z. Basha qe te bente propozime per rolin e vezhguesve nderkombetare ne perputhje me rekomandimin 88. Z. Basha premtoi qe brenda dites se marte, PD do te ofronte zgjedhjen e saj bazuar mbi propozimin hibrid te ambasadoreve. Dhe keshtu beme, diten e marte ne mbremje, PD dergoi propozimin e saj. Kujt i duket kjo si Po ose Jo, le te kthehet ne klase te pare ose te beje nje ekzaminim te koshiences”.

 

 

Mes “etheve” të reformës, Lu takohet me Xhafën

Ambasadori amerikan Donald Lu ka vijuar edhe dje takimet në kërkim të gjetjes së konsensusit për reformën në drejtësi. Lu u takua gjatë paradites së djeshme në Kryesinë e Kuvendit me kreun e Komisionit të Posaçëm për Reformën, Fatmir Xhafaj. Mendohet se në qendër të takimit ishin zhvillimet e fundit të reformës në drejtësi si edhe qëndrimi për gjetjen e konsensusit për të mbyllur me sukses votimin në seancën e 21 korrikut.  Dy ditë më parë Lu dhe Vlahutin njohën kreun e Kuvendit Ilir Meta me propozimin që solli në Tiranë nga Uashingtoni si formulë konsensusi, ndihmës sekretarja e Shtetit, Victoria Nuland. Nga ana e tij kryeparlamentari nënvizoi se do bëjë gjithçka për të arritur konsensus mes palëve. “Do të bëjmë gjithçka që kjo reformë të miratohet me konsensus dhe mbi të gjitha t’i japë një imazh pozitiv vendit tonë si një vend i ndërgjegjshëm për problematikën që ka por edhe me vullnetin për t’i rritur ndjeshëm dhe me ambicie të vendosur standardet e funksionimit të shtetit ligjor”. Ndërkaq kryeministri Rama i kërkoi dy ditë më parë Partisë Demokratike që ta shkruajë si të dojë reformën në drejtësi dhe mazhoranca do ta miratojë me kusht që të marrë miratimin e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian. Ndërkohë opozita ka theksuar nga ana e saj se propozimi i Nuland është i ndërthurur në 95 % në draftin që ajo ka paraqitur, por se nuk mund të pranohet sipas demokratëve që në një vend sovran procesin e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve ta bëjnë të huajt.

 

 

lulzim basha

 

Basha: Rama e ka zgjidhjen në tryezë, ta votojmë . Venecia, arbitri i vetëm i kërkuar nga palët

 

“Zgjidhja e ofruar nga opozita është tërësisht sipas rekomandimit të Komisionit të Venecias që është arbitri i vetëm i kërkuar dhe i pranuar nga të gjitha palët”

 

Ambrozia Meta

 

Kryedemokrati Lulzim Basha iu përgjigj ditën e djeshme propozimi të kryeministrit Rama duke deklaruar se Kreu i Qeverisë, e ka zgjidhjen mbi tryezë. Lideri i selisë blu iu referua propozimit më të fundit të demokratëve, i cili ndryshon nga propozimi hibrid i Ëashingtonit  në rolin që i atribuohet Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. “Hipokrizi e mesditës. Rama nuk tërhiqet nga bllokimi por gjen pretekste për ti ikur përgjegjësisë dhe për t’ju fshehur Venecias.Nëse vërtetë e do reformën në drejtësi, zgjidhjen e ka gati, e ka në tryezë, Opozita e ka shkruar propozimin me kaligrafi dhe permbajtje te Venecias, dhe Rama e ka mbi tryeze. Ta votojmë, e shqiptarëve dhe aleateve që po kërkojnë konsensusin tash sa kohë, tu japim lajmin e mirë!” – tha Basha. Lideri opozitar në reagimin e tij, rikujtoi edhe njëherë rolin që demokratët i japin ndërkomëbtarëve në këtë process. “Ja cfare roli i jep propozimi i PD ndërkombëtarëve në proces:”Vëzhgues nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kanë të drejtë të marrin pjesë në seancat e shqyrtimit të kandidatëve pa asnjë kufizim. Kjo trupë ka të drejtë të ketë akses të plotë dhe të papenguar tek çdo dokumentacion që administron komisioni. Gjithashtu, ONM ka të drejtë të dorëzojë pranë komisionit ad hoc dokumentacion që vërteton kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit në përputhje me Ligjin e Dekriminalizimit dhe që nuk disponohen nga institucionet shqiptare. Pas përfundimit të shqyrtimit të kandidatëve nga komisioni ad hoc, ONM ka të drejtë t’i dorëzojë Kuvendit një raport të detajuar me vlerësim për secilën kandidaturë, sipas kritereve kushtetuese dhe ligjore dhe dokumentave dhe provave të administruara nga komisioni. Raporti i vihet menjëherë në dispozicion çdo deputeti.”Kjo zgjidhje e ofruar nga opozita është tërësisht sipas rekomandimit të Komisionit të Venecias që është arbitri i vetëm i kërkuar dhe i pranuar nga të gjitha palët,” – u shpreh kryeopozitari.

 

Qëndrimi

Kryetari i partisë Demokratike deklaroi ditën e djeshme se ai nuk ka besim tek kryeministri Rama pas qëndrimeve kontravers që ky i fundit ka shfaqur. Basha këmbënguli se reforma në drejtësi  ka nevojë për gjithëpërfshirjen e shqiptarëve, të opozitës dhe jo për deklarata elektorale.” Reforma në drejtësi nuk ka nevojë për deklarata elektorale. Kjo reformë kërkon gjithëpërfshirje të gjithë shqiptarëve, të çdo faktori politik dhe opozitës, e jo përjashtime siç ka bërë deri tani dhe siç po vazhdon të bëjë Rama.Eshtë e vështire ti besosh një njeriu që një herë thotë Reforma e Drejtësisë do të kalojë pa opozitën, pastaj kërcënon se “do ta votoni me një këmbë”, pastaj tenton planin e blerjes së mandateve, pastaj plane të tjera B, C, D…e tani lëshohet në ekstremin tjeter: “shkruajeni vetë si të doni ” duke përjashtuar Partinë Socialiste nga përgjegjësia,” – tha ai. Lideri I të djathtëve theksoi se nuk do të pranojë kurrë që drejtësia të trajtohet si plaçkë duke shprehur angazhimin e opozitës për një reformë që mbështetet mbi rekomandimet  e”Venecias”. “Nuk kam pranuar që në fillim, dhe nuk do të pranoj as sot, as nesër që drejtësia të trajtohet si plaçkë për të mbyllur pazare apo për të bërë kalkulime për hir te karrikes. PD dhe opozita është angazhuar me seriozitet që ditën e parë, duke kërkuar konsensus, duke ofruar zgjidhje, duke qëndruar fort në parimet dhe rekomandimet e Venecias,” – nënvizoi kreu demokrat në reagimin e tij.

 

 

Flet zyrtari gjerman, Rachel:“ Reforma të votohet edhe me shumicë të thjeshtë”

 

Ernest Rachel, drejtori për Europën Juglindore në Ministrinë e Jashtme gjermane, deklaroi ditën e djeshme se reforma në drejtësi duhet të miratohet me çdo kusht, qoftë edhe me shumicë të thjeshtë. “Nëse nuk arrihet konsensusi do ishim edhe për miratimin me shumicë të votave,” –  u shpreh zyrtari gjerman. Rachel mbrojti qëndrimin se roli i ndërkombëtarëve është i rëndësishëm në procesin e Vetingut, nisur nga situata e rëndë në vend. “Nëse pjesmarrja e ndërkombëtarëve në proçesin e vettingut rregullohet me Kushtetutë, nuk mund të flasim më vonë për një pjesmarrje antikushtetuese –  tha ai. Drejtori për Europën Juglindore në Ministrinë e Jashtme adresoi krtika të ashpra në drejtim të opozitës. “Njerzit  evarfër duhet të gjejnë drejtësi. Një drejtësi funksionale do të nxisë investitorët. Si për SHBA – në e Gjermaninë, kjo luan një rol kyç. 91% e shqiptarëve i kanë thënë po reformës në drejtësi.Në skenën e komunitetit ndërkombëtar pas disa muajsh loje politike mbizotëron një frustacion.  Sa herë që opozita bën kërkesë dhe kjo kërkesë refuzohet atëherë na bie ndërmend një kërkesë tjetër dhe gjendet një pretekst për të refuzuar reformën.  Me këtë përvojë që kemi na lind pyetja nëse opozita nuk e do reformën për arsye të ndryshme. Unë nuk i di arsyet e opozitës dhe nuk dua të spekuloj. Ju e njihni situatën dhe besoj si unë jeni konfuz me qëndrimin në vazhdimësi të opozitës,” – theksoi Rachel. Zyrtari gjerman i bëri apel klasës politike  për miratimin e reformës në drejtësi, pasi në rast se kjo reformë nuk kalon dëmet për Shqipërinë do të ishin shumë të mëdha.”Reforma duhet të votohet dhe nuk duhet të pritet deri në zgjedhje. Shqipëria do të kishte hapa pas dhe do të humbiste një shans të madh për tu integruar. Në progress – raport nuk shikojmë vetëm aspektin që bëhen ligjet por edhe që implementohen,” – nënvizoi Rachel.

 

 

majlinda-bregu

Bregu: Rama po tallet me shqiptarët, PD duhet të sjellë një propozim të pranueshëm nga SHBA

Ish-ministrja e Integrimit, deputetja demokrate  Majlinda Bregu akuzoi kryeministrin se po tallet me shqiptarët duke fituar kredo sikur ai është njeriu që më së shumti e do reformën në drejtësi. Nga ana tjetër Bregu kërkoi më shumë edhe nga PD e cila sipas tij duhet të paraqesë një propozim të pranueshëm nga SHBA. “Une mendoj se Kryeministri po tallet me shqiptaret! Propozimi i tij i “ri” dje eshte nje provokim ekstrem ndaj opozites dhe qendrimi yne s’mund te jete kaq pasiv.  Ne s’mund te vazhdojme te kerkojme konsensusin e Edi Rames nderkohe qe SHBA permes ambasadorit Lu na thote: propozimi eshte i papranueshem.  Ne s’mund te lejojme qe kjo tallje e re e Kryeministrit te vazhdoje si avaz i ri i kenges te vjeter, nderkohe qe edhe me i durueshmi nga te gjithe ambasadori amerikan u shpreh i lodhur me te gjithe dhe refuzues ndaj talljes se Edi Rames! Ne keto kushte, ne duhet ta sfidojme Kryeministrin me nje propozim konkret dhe te pranueshem nga SHBA.  Pastaj te shohim se per sa presje do nxjerre bishta njeriu qe po fiton padrejtesisht kredon si i perveluar per reformen ne drejtesi!  Me kete rast shpetojme nga “murosja” edhe dy kreret e Partive dhe shpetojme edhe ne nga nje legjende e re Rozafe brenda mureve te Pallatit te Kongreseve”, shkruante Bregu në FB.

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here